/Kisha e Shën Gjergjit Libofshë – nga Ilirjan Gjika

Kisha e Shën Gjergjit Libofshë – nga Ilirjan Gjika

E përmendur në histori qysh në fund të mesjetës, Libofsha, vijon të mbetet e njohur edhe sot jo vetëm për historinë, por edhe njerëzit e shquar që ka nxjerrë dhe monumentet e shumta të kulturës. Nga pikëpamja etnografike ajo shtrihet në Myzeqenë e Madhe, përgjatë anës së djathtë të lumit Seman që në gjuhën e popullit njihet si ‘’Dheu i Butë’’ (1).
Dikur këtu kalonte një nga degët jugore të rrugës Egnatia, gjurmë të së cilës janë gjetur nga arkeologët përgjatë shpateve perëndimorë të kodrave të Ardenicës. Zbulimi i një vendbanimi, një mozaiku dhe një varreze, që i përkasin periudhës antike tregojnë vjetërsinë e kësaj qëndre (2). Pikërisht këtu, në lindje të Libofshës përgjatë shpatit të kodrave, ngrihet në mes të qiparisave të shumtë edhe kisha Shën Gjergjit, një monument kulture që nga viti 1963 (3). E ndërtuar me kontribute të komunitetit vendor, ky objekt, i shpëtoi edhe tallazeve të kohës sepse në vitet e furtunës ateiste e shndërruan në depo ushtarake. Pas vitit 1990, kisha, ju rikthye besimtarëve dhe klerit duke u ju nënshtruar përkujdesit dhe restaurimeve të ndërmara nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
Kisha e Shën Gjergjit është një bazilikë trenefëshe me përmasa monumentale. Ajo është ndërtuar me gurë shtufi të lidhur me llaç, ndërsa absida poligonale prej shtatë faqesh, është punuar me gurë të bardhë dhe elementë dekorativë e të zbukuruara me nike. Në absidë është murosur edhe një skulpturë nga Apolonia e cila paraqet një maskë teatrale të antikitetit. E dokumentuar me fotografi në vitin 1916, nga arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober, ajo qëndon përsëri aty duke dëshmuar faktin se në të gjitha kishat e Myzeqesë gjenden spolie të shumta nga Apolonia antike (4). Kisha përbëhet nga naosi, altari, hajatet e mbyllura dhe këmbanorja. Naosi me përmasa 16.30 m gjatësi dhe 9.20 m gjerësi përbëhehet nga tre anijata, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej druri. Ai veçohet nga altari me anë të ikonostasit ndërsa komunikon me hajatet nëpërmjet tre portave (5). Naosi mbulohet me një tavan të rrafshët mbuluar nga një çati dyujëse, ndërsa dyshemeja është shtruar me pllaka guri në një nivel më të ulët se ai hajateve. Në anën perëndimore të tij hajati që luan edhe rolin e narteksit e lidh atë me këmbanoren që ka formën e një kulle të lartë (6).
Historia e ndërtimit të Shën Gjergjit është e veçantë sepse kisha u ndërtua me kontributin e komunitetit vendor që ishin jo vetëm klerikë por edhe laikë. Ndoshta këtu gjejmë mbishkrimin dedikues më me shumë emra që ka të bëjë me ktitorin. Ja se çthuhet në të: ‘’Në vitin shpëtimtar 1776 u rindërtua ky tempull hyjnor i dëshmorit të madh, të lavdëruar shën Gjergj tropeofor. U pikturua në vitin 1782 në kohën e peshkopatit të gjithhirshmit dhe të shumëditurit mitropolit të Beratit, zotit, Joasaf, me kontributin dhe shpenzimet e të gjithhirshmit e të shumëditurit igumenit të Ardenicës, zotit Kliment, dhe të muzikantit të shumëditur igumenit zotit Manasi, të priftërinjve zotit Mihail Kartofilakut, zotit Papa Nikollës, zotit Papa Vasilit, zotit Papa Thanasit, zotit Papa Petre, zotit Papa Kristi dhe të subashëve zotit Nako Bushi, Gjergj Athanasit, Andresë Sem Danës, Filip Gjeçit, Nas Vasilit, Doke Llukës, Pjetrit të Dhimitrit, Sotir Subashit, Pashkos, Semit të Rrapit, Stavre Gjatës dhe të burrave të tjerë dhe të grave, të cilët ti meritoi zoti perëndi (për) mbretërinë e qiejve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre. Në muajin mars (10), Bush Dane dhe Kosta Kandilapti” (7).
Një tjetër mbishkrim interesant është edhe ai i fronit episkopal i shkruar me shkronja të zeza në një fushë të bardhë. ‘’Ky thron u pikturua në kohën e të gjithhirshmit mitropolitit, shenjtit të Beratit Joasaf. Me dorën e Naumit dhe Gjergj Çetirit 1831, dhjetor 20, dhe me kujdesin e Stefan Gjeçit dhe epitropit Koçi Dino dhe atyre që u gjendën’’, lexohet në të (😎.
Gjithsesi nuk mungojnë edhe mbishkrimet e tjera si: ‘’1875. Është e kishës së Shën Gjergjit të katundit Libofshë, kazaja e Beratit’’, i cili gjendej në një nga kambanat e kambanerisë së kësaj kishe (9).
Kisha e Shën Mërisë Libofshë është dekoruar në vitin 1782 me afreske të mrekullueshme nga krijimtaria e piktorëve Kostandin dhe Tërpo Zografit. Këtë e dëshmon edhe mbishkrimi që gjendet në portën perëndimore të naosit, në të cilin thuhet se: “U pikturua kjo kishë me dorën e Kostandinit dhe birit të tij Tërpos nga qyteti Korçë” (10).
Duhet theksuar se mjeshtrat-piktorë të familjes Zografi e nisin aktivitetin e tyre me vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi, të cilët e kanë ushtruar veprimtaria artistike në bazilikat e Voskopojës, Vithkuqit, Korçës, Ardenicës, Prespës, Thesalisë, malit Athos në Greqi, etj. Më pas aktiviteti i kësaj familjeje vijon me djalin e Kostandinit, Tërpon dhe të birin e Athanasit, Eftimin. Piktura e Zografëve cilësohet nga specialistët ë artit si pika kulmore e ikonografisë së shekullit të XVIII në vendin tonë (11).
Ndërsa studjuesi Theofan Popa dallon të Zografët jo vetëm elementë të traditës së lashtë por edhe të imagjinatës krijuese. Një gjë të tillë ai e kostaton në njërën prej pikturave murale të kishës së Shën Gjërgjit (12). I tillë është afresku me temë ‘’Dasma në Kana të Galilesë’’, ku paraqiten jo vetëm veshjet më të vjetra të kësaj krahine, por edhe vallja e njohur ‘’Dyshe’’ e burrave të Myzeqesë. Në këtë skenë paraqiten dy të rinj fshatarë që vallëzojnë të kapur me njëri-tjetrin. Ata mbajnë të veshur nga një këmishë të gjatë gjer deri te gjuri, me mëngë të gjata dhe të gjera, dhe me një rrip të ngushtë të lidhur në mes. Ndërsa në këmbë kanë mbathur çorape shajaku të gjata që arrijnë gjer te pulpat (13).
Ndërkohë që naosi dhe muri perëndimor i kishës janë dekoruar në të gjithë hapësirën e tyre me dy breza afreskesh. Në to janë paraqitur motivet nga Dhiata e Vjetër, Dhiata e Re, etërit e kishës dhe shenjtorët kryesorë të saj. Kurse nga disa mbishkrime të tjera që janë të shumta në këtë kishë, mësojmë se ikonostasi është i vitit 1805 (14). Në të kanë qënë të vendosura një sërë ikonash prej mbishkrimeve të të cilave njohim jo vetem besimtarët por edhe fshatrat e zonës së Libofshës. Këto mbishkrime që gjenden në ikonat e Shën Marisë, Krishtit, Shën Gjergjit, Shën Kollit, Shën Spiridhonit, Shën Thanasit apo Kryeëngjëjve, i përkasin vitit 1808, ndërsa ikonostasi është lyer me varak në vitin 1817 (15).
Sot, kisha e Shën Gjergjit, funksionon jo vetëm si objekt kulti por edhe vendvarrimi për banorët ortodoksë të zonës së Libofshës. Gjithashtu ky objekt kulti është shndërruar prej kohësh në një qëndër të turizmit fetar dhe atij kulturoro-historik.
…………………
1-Rrok Zojzi, Ndamja krahinore e popullit shqiptar, “Etnografia Shqiptare”, I, Tiranë 1962, f. 54
2-Rrapi Saqellari, Dorëshkrim, Muzeu Historik Fier, 1982, f. 1-3
3-Gazeta Zyrtare Nr. 1 – 1963
4-Kamilo Prashniker-Arnold Shober, Kërkime Arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi, PEGI, Tiranë 2003, f. 78
5-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 209-214
6-Po aty, f. 209-214
7-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1998, f. 104
8-Po aty, f. 126
9-Po aty, f. 139
10-Po aty, f. 109-110
11-Kliti Kallamata, Ikona, Athinë 1998, f. 30-31
12-Theofan Popa, Shkolla e Korçës dhe tradita e saj në pikturën kishtare’’, Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike, Tiranë 1969
13-Theofan Popa, Elemente laike dhe realiste në pikturën tonë mesjetare, Studime Historike, Tiranë 1972, f. 141
14-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1998, f. 117
15-Po aty, f. 117-18