/Kisha e Asomatit në Velçë/Objekt studimesh dhe hipotezash – nga Ilirjan Gjika

Kisha e Asomatit në Velçë/Objekt studimesh dhe hipotezash – nga Ilirjan Gjika

Asomati është një vend që ndodhet në fshatin Velçë të Bashkisë Selenicë në Qarkun e Vlorës. Ai përmendet për herë të parë në krisovulën (aktin perandorak) e vitit 1307, ku perandori bizantin Androniku II Paleolog i konfirmon Peshkopatës së Kaninës të drejtat dhe privilegjet e saj (1). Ndërkohë evidentimi i mbetjeve të një kishe mesjetare e vuri këtë vend në fokusin e studimeve. Do të ishin gjurmimet sipërfaqësore të ekspeditës arkeologjike në vitet 2011-2012, të përbërë nga Suela Xhyheri, Skënder Muçaj, Erten Halilaj dhe Lorenc Sheremetaj, të cilat zbuluan rrënojave e këtij objekti. Publikimi i këtyre kërkimeve në terren do të hapte perspektivat e studimit të këtij monumenti dhe hipotezave historike që lidhet me të (2). E quajtur në gjuhën e popullit si ‘’Kisha Mëne’’, objekti i rrënuar ishte ndërtuar dikur në taraca të sistemuara pranë një burimi, mbi rrënojat e një tempulli antik të periudhës helenistike (3). Në vazhdim të gjurmimeve gjatë fushatave të gërmimeve në vitet 2013-2015, ekspedita e përbërë nga arkeologët Suela Xhyheri, Skënder Muçaj, Aleksej Pentkovskiy dhe Irklid Ristani, do të nxirte jo vetëm rezultatet e kërkimeve por do të formulonte edhe një studim të detajuar mbi kishat mesjetare në luginën e Shushicës, përfshirë edhe kishën e Asomatit (4).
Sipas autorëve të studimit në këtë rast kemi të bëjmë me një kishë të tipit kryq i brendashkruar me kupolë, mbështetur mbi katër shtylla të lira. Objekti përbëhet nga naosi me planimetri katrore, absida gjysëmrrethore dhe narteksi i mbuluar me qemer cilindrik, që i përkisnin fazës së parë të ndërtimit në shek. X (5). Fillimisht kisha e Asomatit ishte një nefshe dhe kishte përmasa 10.84 x 7. 08 m, në qëndër të së cilës ndodheshin katër shtylla me prerje katrore ku mbështetej mbulesa me qemer. Muret e naosit, absidës dhe narteksi kishin një trashësi 0,75- 0,80 m dhe ishin ndërtuar me blloqe gurësh të gdhendur, gurë mesatarë dhe të vegjël të kombinuar me pjesë kornizash, tullash, tjegullash dhe fragmente pllakash dhe qeramike, materiale të periudhës antike të gjitha të lidhura me llaç gëlqereje. Më pas në shek XI, kisha, do ti nënshtrohej një faze të dytë ndërtimi duke i zgjeruar përmasat në 13.85 x 12.70 m (6). Në këtë periudhë asaj ju shtuan nefet anësorë, anekset dhe portiku perëndimor, të gjithë të mbuluar me çati druri. Muret e kësaj faze ishin ndërtuar me gurë shtufi, blloqe të ripërdorur nga tempulli i dikurshëm dhe fragmente qeramike të lidhura me llaç balte. Arkeologët gjeten edhe vendet e tre hyrjeve të kishës që ndodheshin në anët veriore, perëndimore dhe jugore. Brenda saj u zbuluan edhe tre varre të tipit çist me orientim L-P dhe një material i pasur arkeologjik, si materiale ndërtimi, objekte qeramike, qelqi, monedha, etj. Nuk mungonin edhe gjetjet e skulpturës arkitektonike si pjesë kornizash, harqe dritaresh dhe një nga këmbët e tavolinës së altarit. Ndërsa në anën e brendshme të mureve të saj si në absidë, shtyllat mbajtëse të kupolës, këmbët e tavolinës së altarit dhe kornizat mbështetëse të tamburit u gjetën fragmente afreskesh (7).
Interesant dhe intrigues në këtë rast është edhe emri Asomat i cili vjen nga greqishtja që do të thotë “pa trup”. Ky term personifikon simbolikisht figurat e kryeëngjëjve Mihal (Mëhill) dhe Gabriel, ku në trajtën ‘’Asomat’’ e ndeshim në shumë kisha të vjetra që ndodhen në territorin e Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Qipros, Libanit, etj. Ndërsa kisha e Asomatit në Velçë është e vetmja e gjetur në vendin tonë që ruan këtë emër përpara se ai të zëvendësohej me emrin e ri, ‘’Shën Mëhill’’, diku në shek XIII (😎. Ky emërtim, të dhënat e studimit arkeologjik, toponimia e zonës përreth fshatit Velçë dhe të dhënat e tjera me karakter historik, i bënë arkeologët që në studimin e tyre ta lidhin kishën e Asomatit me veprimtarinë e Klementit të Ohrit, një nga figurat kryesore të krishtërimit te popujt sllavë (9). Sipas të dhënave historike, Shën Klemeti, ishte një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Cirilit dhe Metodit, pjesë e komisionit që kishte formuluar në Kostandinopojë, alfabetin e parë sllav. Ndërkohë në vitin 886 ai do të përfshihej në projektin e mbretit bullgar Boris për krijimin e një kishe të pavarur me kler sllav. Kështu Klementi do të dërgohej si misionar në territoret e tokave që mbretëria bullgare kishte pushtuar në Shqipëri. E tillë ishte provinca e quajtur ‘’Kutmiçevica’’, ku ai do të predikonte ungjillin, do të hapte shkolla në radhët e popullsisë bullgare të vendosur atje dhe do të merrej me përgatitjen e klerikëve të rinj (10). Këto të dhëna janë nxjerrë kryesisht nga librat ‘’Biografi e gjatë’’ me autor kryepeshkopin e Ohrit, Theofilaktin (1088-1125) dhe ‘’Biografi e shkurtër’’, me autor kryepeshkopin tjetër të Ohrit (1216-1234), Homatjanin (11). Sipas tyre Kutmiçevica ishte një territor që shtrihej nga liqeni i Ohrit në lindje deri në bregdetin e Adriatikut në perëndim dhe nga Shkumbini në veri deri në Vlorë në jug. Ndërkohë Klementi do të punonte për shtatë vjet në Kutmiçevica ku mbreti Boris i kishte dhuruar disa rezidenca dhe shtëpi në qytetet e Ohrit, Diabolisit (Devollit) dhe Gllavinicës (Ballshit). Ndërsa atij do të vihej nën kujdestari edhe një rajon i gjerë që shtrihej nga Selaniku deri në Adriatik, ku bënin pjesë edhe qytetet Hieriko (Orik) dhe Kaninë. Kurse në vitin 893, me ardhjen në pushtet të mbretit tjetër bullgar, Simeonit, Klementi do të emërohej peshkop i ‘’Dragvistës dhe Velicës’’, një tjetër dioqezë e kishës bullgare (12).
Pikërisht mbi këto të dhënë historike, autorët e studimit, ‘’Kishat mesjetare në Luginën e Shushicës (Shqipëria e Jugut) dhe Peshkopata Sllave e Shën Klementit të Ohrit’’ (Medieval Churches in Shushica Valley (South Albania) and the Slavonic Bishopric of St. Clement of Ohrid), Skënder Muçaj, Suela Xhyheri, Irklid Ristani dhe Aleksey M. Pentkovskiy, mendojnë se kisha e Asomatit ka funksionuar gjatë ekzistencës së kësaj peshkopate, të drejtuar nga Klementi (13). Sipas tyre ajo u krijua për popullsinë bullgare të vendosur në këtë zone të luginës të Shushicës, si një organizim kishtar me karakter etnik. Ndërkohë që popullsia autoktone do të vijonte të ishte pjesë e strukturave tradicionale të kishës, një prej të cilave ishte edhe peshkopata e Gllavinicës fqinje. Duke u bazuar këtu, studjuesi Aleksandër Meksi në librin e tij: ‘’Kishat e Shqipërisë-shek. IV-XV’’, shkruan se: ‘’Me sa duket nga fillimi i shek. X me organizimin e kishës në krahinat perëndimore kemi ridalje të qëndrave të vjetra që mbijetojnë, si dhe funksionimin në tokat e pushtuara nga bullgarët të peshkopatës ‘etnike’ në Velçë për sllavët dhe peshkopatave për popullsinë vendase me peshkopatën e Gllavinicës dhe atë të Himarës nën Naupaktin’’ (14).
Ndërsa për kishën e Asomatit, autorët e studimit të mësipërm vërejnë se planimetria e saj është e njëjtë me kishën e manastirin të Ohrit ngritur nga Klementi, i cili kishte si preferencë që kishave të ndërtuara prej tij ti vendoste emrat e kryeëngjejve Mihal dhe Gabriel, të njohur deri në atë periudhë në traditën kristianë të shek. XI me emrin Asomat (15). Ndërsa të tjerë elementë në favor të kësaj hipoteze janë edhe afërsija e kësaj zone me Gllavinicën (Ballshin), ku Klementi kishte një nga rezidencat e tij, apo toponimia vendase me emra të tillë, si Velça apo Drashovica, që përkojnë nga ana gjuhësore me emërtimin e dioqezës bullgare të ‘’Dragvista dhe Velica’’ (16). Po kështu janë edhe një sërë të dhënash të mbledhura në Ballsh, Berat dhe Myzeqe, që dëshmojnë veprimtarinë në këtë rajon të Shqipërisë Jugperëndimore, jo vetëm të Klementit, por edhe të misionarëve të tjerë të kishës sllave, si: Naumit, Angjellarit dhe Gorazdit (17). Gjithsesi studimet e mëvonshme do të na japin të tjera të dhëna rreth këtyre zhvillimeve. Ndërkohë që kjo hipotezë ka filluar të ketë gjithnjë e më shumë vëmendje në studimet historike, fakt që tregon jo vetëm traditat e vjetra kristiane të rajonit të Vlorës por edhe zhvillimet politike që lidhen me të gjatë periudhës së mesjetës. Gjithsesi hartës së monumenteve kishtare të trajtuara nga studjuesit e fushës në këtë zonë si në Amantia, Mesaplik apo Armen, i shtohet tashmë edhe Kisha e Asomatit ose e qujtur në gjuhën e vendit si kisha ‘’Mëne’’.
*****
1-Dokumente të periudhës bizantine për historinë e Shqipërisë (shek. VII-XV), ASH të RPSSH, Tiranë 1978, f. 85
2-S. Xhyheri, S. Muçaj, E. Halilaj, L. Sheremetaj, Kërkime arkeologjike në zonën e Vlorës. Raport 2012, Iliria 37, Tiranë 2013, f. 455-456; S. Xhyheri, S. Muçaj, A. Pentkovskiy, I. Ristani, Kërkime arkeologjike në krahinën e Vlorës, Mallakastrës, Myzeqesë dhe Korçës, (Korridori Vlorë-Prespë, raport 2013-2015), Candavia 6, 2016, f. 279-313; Suela Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tiranë 2016, f. 123
3- S. Xhyheri, S. Muçaj, E. Halilaj, L. Sheremetaj, Kërkime arkeologjike në zonën e Vlorës. Raport 2012, Iliria 37, Tiranë 2013, f. 455-456; Suela Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tiranë 2016, f. 41
4-S. Xhyheri, S. Muçaj, A. Pentkovskiy, I. Ristani, Kërkime arkeologjike në krahinën e Vlorës, Mallakastrës, Myzeqesë dhe Korçës, (Korridori Vlorë-Prespë, raport 2013-2015), Candavia 6, 2016, f. 279-288; S. Muçaj, S. Xhyheri, I. Ristani, A. M. Pentkovskiy, Medieval Churches in Shushica Valley (South Albania) and the Slavonic Bishopric of St. Clement of Ohrid, Slovene, International Journal of Slavic Studies, 1, 2014, f. 5-42
5-Po aty, f. 279-288
6-Po aty, f. 279-288
7-Po aty, f. 279-288
8-Suela Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tiranë 2016, f. 41
9-S. Muçaj, S. Xhyheri, I. Ristani, A. M. Pentkovskiy, Medieval Churches in Shushica Valley (South Albania) and the Slavonic Bishopric of St. Clement of Ohrid, Slovene, InternationalJournal of Slavic Studies, 3/1, 2014, p. 11; Suela Xhyheri, Disa kisha njënefëshe të tipit kryq të brendashkruar me Kupolë mbi katër mbështetje të lira në Shqipëri, Candavia, 5, Tiranë 2015, f. 202-204
10-Dimitri Obolenski, Klementi i Ohrit dhe Shqipëria, Konferenca kombëtare për formimin e popullit shqiptar të gjuhës dhe kulturës së tij, ASH RPSSH, Tiranë 1988, 68-72; S. Muçaj, S. Xhyheri, I. Ristani, A. M. Pentkovskiy, Medieval Churches in Shushica Valley (South Albania) and the Slavonic Bishopric of St. Clement of Ohrid, Slovene, International Journal of Slavic Studies, 1, 2014, p. 11
11-Paul Gautiers, Theophylacte D’Achrida: Discours, Traites, Poesies (Corpus Fontium Historiae Byzantinae), Thesalonique 1980; A. Milev, Grutskite zhitiya na Kliment Okhridski, Sofia 1966, f. 76-146
12-Dimitri Obolenski, Klementi i Ohrit dhe Shqipëria, Konferenca kombëtare për formimin e popullit shqiptar të gjuhës dhe kulturës së tij, ASH RPSSH, Tiranë 1988, 68-72; P. Gautier, Clement d’Ochrid eveque de Dragvista, REB 22, 1964, f. 199-214
13-S. Muçaj, S. Xhyheri, I. Ristani, A. M. Pentkovskiy, Medieval Churches in Shushica Valley (South Albania) and the Slavonic Bishopric of St. Clement of Ohrid, Slovene, International Journal of Slavic Studies, 1, 2014, f. 5-42; Suela Xhyheri, Disa kisha njënefëshe të tipit kryq të brendashkruar me Kupolë mbi katër mbështetje të lira në Shqipëri, Candavia, 5, Tiranë 2015, f. 202-204
14-Aleksandër Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 175
15-S. Mucaj, S. Xhyheri, I. Ristani, A. M. Pentkovskiy, Medieval Churches in Shushica Valley (South Albania) and the Slavonic Bishopric of St. Clement of Ohrid, Slověne, 2014, 1, f. 5-42; Suela Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tiranë 2016, f. 41
16- S. Mucaj, S. Xhyheri, I. Ristani, A. M. Pentkovskiy, Medieval Churches in Shushica Valley (South Albania) and the Slavonic Bishopric of St. Clement of Ohrid, Slovene, 2014, 1, f. 5-42; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 188, Paul Gautier, Clement d’Ochrid eveque de Dragvista, REB 22, 1964, f. 199-214
17-Theofan Popa, Disa konsiderata të përgjithshme rreth pikturës post bizantine në Shqipëri, Studime historike, 2, Tiranë 1967, f. 95
* Foto: Rrënojat e kishës së Asomatit në Velçë, autor Dr. Skënder Bushi, arkeolog.