/Kisha – Çfarë është Kisha? “Në Një Kishë të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike” – Simboli i Besimit

Kisha – Çfarë është Kisha? “Në Një Kishë të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike” – Simboli i Besimit

                                                    Kisha

“Besoj në një Kishë të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike” (Simboli i Besimit)

1. Çfarë është Kisha?

Kjo është një pyetje shumë serioze të cilës të Krishterët duhet t’i përgjigjen në çdo moment. Prandaj ne të gjithë duhet ta studiojmë me kujdes këtë temë me qëllim që ta kuptojmë sa më mirë. Kisha. Kisha jonë. Atëherë çfarë është Kisha? Çfarë është Kisha e Krishterë? Kisha e Krishterë është totali i atyre që besojnë në Krishtin dhe e adhurojnë Atë në një mënyrë Orthodhokse (të drejtë) si Perëndi-njeri, si Shpenguesin dhe Shpëtimtarin e tyre. Të gjithë ata së bashku, me një shpirt dhe me një zë, pohojnë dhe rrëfejnë se Perëndia dhe Zoti i tyre, Kapiteni dhe Kreu, Kryeprifti i Lartë i tyre dhe Ndërmjetësuesi te Ati Qiellor është Jisu Krishti; të gjithë ata që ndajnë të njëjtin besim dhe pohim, dhe marrin pjesë në të njëjtat Misteret e Shenjta për shenjtërim dhe shpëtim; ata që kanë në totalin e tyre Klerin e Shenjtë si drejtuesit e tyre, me Episkopët në krye, për t’i drejtuar dhe udhëhequr si përfaqësues të Krishtit në tokë, dhe për të kryer Misteret e Shenjta. Këta formojnë Kishën e Krishtit.

Me fjalë të tjera, ti o i Krishterë, edhe unë, dhe të gjithë besimtarët, milionat e të Krishterëve Orthodhoksë që besojnë dhe pohojnë të njëjtën për Krishtin dhe e adhurojnë në të njëjtën mënyrë Atë dhe me të njëjtin qëllim; Kleri dhe laikët së bashku janë Kisha e Krishtit, dhe formojnë një dhe të njëjtën Kishë në çdo pjesë të botës që ne mund të jemi. Kështu që Kisha është kungimi i besimtarëve të mbledhur së bashku nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, të bashkuar në mënyrë të padukshme në të njëjtin besim, adhurim dhe bindje tek Krishti. Dhe Kisha është, dhe quhet një organizëm shpirtëror, Mbretëria e Perëndisë, dhe Mbretëria Qiellore në tokë, Shtylla dhe Themeli i së vërtetës, Thesari i Hirit Hyjnor, Arka e shpëtimit për njeriun mëkatar.

Duke e analizuar këtë temë më tej, ne themi se Kisha është trupi shpirtëror, mistik dhe hyjnor, Trupi i Krishtit. Ky trup hyjnor dhe i shenjtë ka si kreun e saj Zotin Jisu Krisht, siç na thotë Shën Pavli: “Krishti është kreu i kishës, dhe Ai vet është Shpëtimtari i trupit” (Efesianëve 5:23). Ne besimtarët jemi trupi i Krishtit. Kështu Krishti dhe të Krishterët formojnë një Trup, Trupin e Kishës. Krishti është Kreu, dhe ne të Krishterët jemi gjymtyrë të Trupit. Ne jemi të gjithë së bashku gjymtyrët e Kishës të mbledhur së bashku në një Trup. Dhe secili prej nesh veças është një gjymtyrë e trupit, por gjithashtu gjymtyrë e një Krishteri tjetër, secili një gjymtyrë e gjithë të Krishterëve, duke qenë se të gjithë ne së bashku formojmë një një trup. Këtë na i ka treguar Shën Pavli kur tha: “Dhe ju jeni Trupi i Krishtit dhe gjymtyrët e Tij veç e veç” (I Korithianëve 12:27) dhe se “jemi një trup në Krishtin dhe secili jemi gjymtyrë të njëri – tjetrit” (Romakëve 12:5). Ky është një mister, një mister i madhërueshëm dhe mrekullueshëm që sa më frymor është dikush aq më mirë ai është në gjendje ta kuptojë dhe t’i afrohet atij. Gjithashtu (ky mister) ai shpreh një nder të jashtëzakonshëm për ne, duke qenë se Shën Pavli pohon se Krishti është Shpëtimtari i Trupit, Kishës. Në fakt, në çfarë lartësia të mrekullueshme na ngre Zoti ynë dhe se çfarë shpëtimi të sigurt Ai na ofron!

Dhe përsëri, Kisha është Mbretëria e Perëndisë në tokë dhe Mbretëria e Qiejve. Këtë ne tashmë e kemi përmendur. Kjo është edhe arsyeja që Zoti ynë e karakterizoi Kishën në Predikimin e Tij të parë kur Ai tha: “Pendohuni, sepse Mbretëria e Qiejve është afër” (Mateu 4:17). Kur Ai foli për Mbretërinë e Qiejve, Ai nënkuptonte Kishën e Tij të cilën do ta themelonte. Dhe kjo Mbretëri e Qiejve, Kisha, nuk përbëhet vetëm nga ata që jetojnë sot por prej të gjithë besimtarëve të të gjitha kohërave dhe të gjitha brezave, të të drejtëve të Dhiatës së Vjetër, dhe të atyre që besuan në  Hadh kur Krishti zbriti pas Varrimit dhe para Ngjalljes së Tij. Dy pjesë shquhen në përbërjen e Kishës: Kisha Militante, Kisha në tokë, dhe Kisha Triumfante, që është në qiejt. Tek pjesa e parë përfshihen të gjithë ata që ende janë duke u përpjekur në tokë dhe duke marrë pjesë në betejën shpirtërore të besimit dhe devotshmërisë, dhe që jetojnë më Krishtin me qëllimin e arritjes te kurora e lavdisë dhe nderit, si të kurorëzues të drejtësisë. Kishës Qiellore i përkasin të gjithë shenjtorët, ata që fituan kurorën qiellore, luftëtarët, fitimtarët dhe kampionët e besimit. Ata tani gëzohen në qiejt me Krishtin Shpëtimtar. Prandaj Kisha ka në gjirin e saj ushtarë, atletë dhe luftëtarë: është Kisha Militante. Ajo ka fitimtarë dhe kampionë: është Kisha Triumfante.

Gjithashtu, sipas Etërve të Shenjtë, Kisha është gjithashtu Arka e Shpëtimit, e parafiguruar nga Arka e Noes. Ashtu si vetëm ata që ishin brenda Arkës së Noes shpëtuan nga përmbytje, po kështu, vetëm ata që e gjejnë veten të sigurt brenda Arkës së Kishës, të mbrojtur nga hiri dhe Përkujdesja e Krishtit, janë të sigurt nga përmbytja e mëkatit dhe vdekjes.

Përsëri madje më e rëndësishme, Kisha është Krishti I Cili do të jetë me ne deri në fundin e kohërave, sipas Shën Agustinit. Sipas këtij mendimi, cilido që është brenda Kishës, është i bashkuar gjithashtu me Krishtin, ndërsa ai që ndodhet jashtë Kishës nuk ka asnjë lidhje me Krishtin, dhe si rrjedhojë nuk mund të shpëtohet. Etërit e Shenjtë theksojnë gjithashtu se ai që ka Kishën si Nënën e tij, ka Perëndinë si Atin e Tij dhe ai që nuk ka Kishën si Nënën e tij, nuk ka si At as Perëndinë.

Së fundmi, siç e thamë më sipër, Kisha përbëhet si nga Kleri ashtu dhe nga laikët. Klerikët janë një rend i veçantë, që janë caktuar, dorëzuar dhe shenjtëruar nga vet Perëndia. Klerikët janë pasues të Priftërisë së Krishtit dhe ruajnë në mënyrë të pandryshueshme vazhdimësinë apostolike. Qëllimi i klerikëve është të mësojnë, shenjtërojnë dhe drejtojnë popullin e Perëndisë. Edhe laikët që përbëjnë pjesën më të madhe të Trupit të Krishtit, marrin jo vetëm bekimet shpirtërore prej klerit por gjithashtu marrin pjesë në veprën shpirtërore të Kishës, veçanërisht me katekizmin e saj, në shërbesën sociale dhe administrative. Gjithashtu ata ndihmojnë klerin e shenjtë në detyrat dhe shërbimet e vështira të shërbesës së tij.