Greqi: Këtë muaj do të mbahet në Volos simpoziumi i parë i grave që psalin (psalteve) të Kishës Orthodhokse
Në fund të muajit nëntor, në sallën e konferencave të Mitropolisë së Dhimitriadhës dhe Almirosë (Volos), do të mbahet simpoziumi i parë ndërkombëtar i grave orthodhokse që psalin në psaltir.
Agjenda e këtij eventi përmban prezantime të ndryshme për muzikën Bizantine, workshop-e, koncerte, shërbesa dhe vizita në kisha të ndryshme të qytetit.
Simpoziumi në fjalë i dedikohet shën Sesilias, pikërisht për shkak se shenjtorja pati një lidhje të thellë me artin dhe muzikën bizantine. Ajo nderohet dhe përkujtohet nga Kisha Orthodhokse si dhe ajo Romano- Katolike, më 22 Nëntor.
Ky event pritet të mbledhë psalte e këngëtare të niveleve të ndryshme të ardhur nga Greqia por edhe shtete të tjera, si dhe studente të shkollave të ndryshme të muzikës, qofshin këto universitete, shkolla të muzikës kishtare apo shkolla të muzikës në përgjithësi, murgesha, dhe kushdo që interesohet dhe vlerëson artin psaltik.
Në këtë program përfshihet dhe festivali i parë i muzikës bizantine të organizuar nga psalte femra.
Simpoziumi organizohet nga Mitropolia e Dhimitriadhës, Akademia e Teologjisë së Volosit dhe Kori bizantin i femrave “Adusai”.