Këshilli Botëror i Kishave shpreh ngushëllime të thella për Shqipërinë e goditur nga tërmeti
Në një letër drejtuar Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave Dr. Olav Fyske Tveit shpreh ngushëllime në emër të të gjithë Këshillit, për tërmetin shkatërrues të ditës së djeshme.
Në letrën e Tveit-it drejtuar Kryepiskopit Anastas, shkruhet:
“Ju shkruaj me një hidhërim të thellë pasi dëgjova për tërmetin e fortë që goditi Shqipërinë, dhe për operacionet e shpëtimit të kryera në vazhdim, ku të shumtë ishin ata që u dëmtuan dhe ndërruan jetë. Jemi të gjithë shumë të prekur nga pamjet tronditëse të shkatërrimit dhe dhimbjes njerëzore, dhe bashkohemi me shimbjen e familjarëve të mbetur pa strehë, sidomos tani në prag të dimrit.”
Në përfundim të letrës, ai shkruan:
“Ju lutemi të ndani këtë mesazh përkrahjeje dhe ngushëllimi me të Krishterët dhe të gjithë popullin shqiptar, përfshirë komunitetet e tjera fetare, me të cilat jeni kaq të afruar dhe punoni së bashku për më të mirën.”