Këshilla të shën Grigor Theologut drejtuar një nuseje të re
Radio “Ngjallja”
Gjendemi në Konstandinopojë, në vitin 384 ps.K. Po ndodh një ngjarje shumë e gëzueshme: martesa e dy të rinjve të njohur të asaj kohe. Të dy vijnë nga familje të shtresës së lartë. Nusja, Olimbiadha është një zonjushë e respektuar, e pasur dhe e ardhur nga një familje perandorake. Ajo ka mbetur jetime dhe ungji dhe kujdestari i saj, Prokopi (një ndër administratorët lokalë të shtetit Perandorak) ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë e përgatitjeve të dasmës, përfshirë këtu edhe listën e të ftuarve. Olimbiadha martohet me një burrë të mrekullueshëm, Nevrithion, drejtues dhe administrues i Konstandinopojës.
Sipas historianëve të asaj kohe, në dasmë morën pjesë të gjithë krerët dhe personalitetet e vendit, përfshirë këtu edhe një numër episkopësh. Shën GrigorTheologu (Patriarku i Konstandinopojës dhe ati shpirtëror i nuses) nuk mundi dot të vijë për shkak të një sëmundjeje. Kështu, ai i dërgoi Prokopit një letër, ku shprehte keqardhjen e tij për pamundësinë për të marrë pjesë. Duke qenë dhe ati shpirtëror i vajzës, ai paraqet në letër gëzimin e tij shumë të madh për dasmën e “Olimbiadhës së artë”. E quan të artë jo prej pasurisë së madhe të trashëguar nga prindërit, por për shkak të zemrës së artë, që reflektohej në të gjithë personalitetin e saj. Përgjatë letrës, shënGrigori i referohet si “bija ime”, gjë që tregon se ai ia njihte thellësitë shpirtërore të vajzës më mirë se askush.
Duke iu drejtuar Prokopit, shkruan: “Jam aty pranë teje, duke festuar, pranë teje duke vendosur dorën e djathtë të tij mbi të sajën, dhe dorën e Zotit mbi të dy”.
Më pas, shën Grigori i bën një dhuratë shumë të veçantë nuses së re: një poemë me 111 vargje, të shkruara në greqishten e lashtë dhe me një gjuhë shumë të vjetër (madje edhe për atë kohë). Nëpërmjet kësaj dhurate, ai i përçon bijës shpirtërore urtësinë e fjalëve të tij, dhe pikturon në shpirtin e saj portretin ideal të një gruaje orthodhokse të denjë.
***
Bija ime,
Me rastin e dasmës sate, unë Grigori, ati yt shpirtëror, të dhuroj këtë poemë, duke e konsideruar si këshillën më të mirë të mundshme që një atë mund t’i ofrojë bijës së tij të dashur.
Olimbiadha: Unë e di se ti do të bëhesh një e krishterë e vërtetë. Kij ndër mend se është shumë e rëndësishme për një të krishterë jo vetëm të jetë i tillë, por edhe të paraqitet si i tillë. Prandaj edhe unë të këshilloj t’i kushtosh shumë rëndësi edhe mënyrës se si ti e paraqet veten tek të tjerët. Duket të jesh sa më e thjeshtë! Ari dhe gurët e çmuar nuk i shtojnë as edhe një vlerë një gruaje si ti, aq më shumë edhe tualeti. Është kaq e papërshtatshme që të përpiqesh të ndryshosh fytyrën tënde, ikonën e Perëndisë së Gjallë, me qëllimin e vetëm për të tërhequr të tjerët. Dije se kjo shkakton kotësi dhe nuk i shkon fare një vajze të karakterit tënd. Prandaj të nxis të triumfosh mbi këtë kotësi kaq të përhapur në natyrën femërore dhe të mbetesh e thjeshtë në paraqitje. Fustanet e shtrenjta dhe ekstravagante le të mbeten për ato gra, të cilat nuk kanë kurrfarë dëshire për një jetë të përjetshme dhe nuk e njohin kuptimin e gjithë mundit shpirtëror që bëhet për të fituar virtytin. Sytë e këtyre femrave janë të mbyllura nga shkëlqimi e rrezatimi shpirtëror i një jete më Krishtin. Ti ecën drejt qëllimeve më të larta në jetë, qëllime të cilat kërkojnë vëmendje dhe përkujdesje të plotë, të pashpërndarë sa andej-këndej.
Së pari, duhet të duash Perëndinë tënd dhe menjëherë pas Tij, të duash e të respektosh burrin tënd si Perëndinë, në përputhje me mësimet e Shkrimit të Shenjtë. Si do të mundet të një grua të ketë dashuri e respekt kaq të lartë për të shoqin, ashtu si për Zotin, nëse nuk e njeh dhe nuk e do Perëndinë në radhë të parë?
Në jetën tënde martesore, duhet vazhdimisht të ushqehet tërheqja, afeksioni dhe dashuria pas atij të cilit Perëndia ka zgjedhur për të qenë partneri yt. Që nga ky moment e tutje, ai është drita e syrit tënd dhe gëzimi i zemrës sate. Nëse të qëllon të kuptosh se ndjenja e dashurisë së tij për ty është më e madhe se e jotja, mos u mundo të përfitosh prej kësaj, e ta kthesh në favorin tënd, sepse një gjë e tillë është e gabuar dhe kundër frymës së Ungjillit.
Dashuria dhe respekti yt për të duhet të jenë të pakushtëzuara. Mos harro se je një grua me një qëllim dhe destinacion shumë të rëndësishëm, e megjithatë pozicioni yt nuk është i njëjtë me atë të burrit tënd, të cilit i është dhënë të jetë kreu i shtëpisë. Mos i vër veshin këtyre murmuritjeve të pakuptimta të barazisë gjinore, që kanë filluar të përhapen në brezin tuaj; ti mundohu t’i përmbahesh obligimeve martesore. Me realizimin e këtyre të fundit do të mësosh përulësinë dhe durimin e madh që duhet për të përmbushur detyrimet familjare, dhe kështu do të zbulosh fuqinë e madhe që ti si grua ke në zemër.
Besoj se ti e di sa e lehtë është për një burrë ta përfshijë zemërimi, aq sa ndonjëherë nuk arrijnë dot të përmbahen e shfaqen si luanë të egër. Ky është një rast ku gruaja duhet të qëndrojë e fortë e të dëshmojë superioritetin e saj. Je ti që, në këto raste, duhet të bësh rolin e zbutësve të luanëve. Ata, kur luani fillon e gërthet, ruajnë qetësinë e tyre dhe nuk trazohen, dhe nëpërmjet mirësisë dhe qëndrueshmërisë së tyre, luani zbutet. Ata i flasin butësisht, me një ton të qetë por të prerë, i ledhatojnë pak nga pak derisa bisha zbutet tërësisht.
Kurrë nuk duhet të kritikosh, hedhësh poshtë apo të përçmosh burrin tënd nëse ai gabon diku. Mos e përçmo edhe kur është i pavendosur, edhe nëse diçka mund të rezultojë jo ashtu siç e prisnit apo ju dukej e drejtë. Kujtoni se demonët sillen gjithmonë rrotull familjes suaj, duke u munduar të hyjnë brenda shtëpisë e të turbullojnë harmoninë tuaj shpirtërore.
Të gjitha t’i ndani me njëri tjetrin, si gëzimet, edhe hidhërimet. Nëpërmjet Misterit të Martesës, të gjitha mes jush janë bërë tashmë të përbashkëta. Ky parim vlen madje edhe për detyrat dhe punët e përditshmërisë suaj, pasi në këtë mënyrë do të ndërtoni një lidhje të fortë e të qëndrueshme. Të dy parashtroni mendimet dhe pikëpamjet tuaja, megjithatë, lëre burrin të thotëfjalën e fundit. Nëse e shikon të mërzitur, merr dhe ti pjesë në trishtimin e tij dhe lehtësoje.
Ka vlerë të madhe prania e personit tënd më të afërt e të dashur në momente hidhërimi. Ji e qetë, e qartë dhe e përmbledhur. Paqja të mbretërojë në zemrën tënde e të largojë çdo re dëshpërimi. Gruaja është limani i qetë ku prehet burri pas stuhive të mundimshme.
Prania jote në shtëpi është e pazëvendësueshme. Duhet ta duash shtëpinë tënde e t’i dedikohesh me përkujdesje, duke e parë si mbretërinë tënde të vogël. Burri yt le të merret më tepër me angazhimet e tjera të jashtme, ndërsa ti përqendrohu në ato të shtëpisë.
Ki shumë kujdes se me kë shoqërohesh. Ji shumë selektive në ambientet që mblidheni me shoqërinë, mos e lejo veten të shkosh në vende të dyshimta. Kjo mund të të ekspozojë dhe të rrezikojë pastërtinë e martesës sate. Kur merr pjesë në këto lloj takimesh, dalëngadalë fanitet turpi, sytë takohen, sapo turpi largohet , largohet bashkë me të edhe mbrojtja, kështu demonët fitojnë territor dhe hedhin farat e tyre të liga që rezultojnë në vepra të kobshme.
Nga ana tjetër, janë shumë të dobishme shoqëritë me miq të mirë, të cilët kujdesen për gjendjen e tyre shpirtërore. Kështu, fjalët e tyre të vlefshme mbesin tek ti dhe ose përfiton prej tyre, ose mëson se si të përballesh me sfidat me të cilat përballesh.
Mos u prir të jesh vazhdimisht në shoqërinë e të tjerëve e të dalësh me ta pa ndonjë arsye. Kohën tënde të vlefshme investoje në shoqëri të të afërmve të tu të matur e të urtë, priftërinjve dhe njerëzve seriozë, qofshin këta të mëdhenj apo të vegjël.
Qëndrojularg grave mendjelehta e sipërfaqësore, mendja e të cilave preokupohet me paraqitjen e jashtme, apo të daljet e shoqëritë e vazhdueshme, me qëllimin e vetëm për t’u dukur e për të vrarë kohën. E njëjta gjë vlen edhe për burrat, që pavarësisht se ti mund t’i konsiderosh të respektueshëm e shpirtërorë, burri yt nuk do që të hyjnë në shtëpi. A ka ndonjë më të rëndësishëm për ty se burri yt i mirë që e do aq shumë?
Mendimet e tua le të synojnë sa më lart, e megjithatë mos u bëj intolerante dhe fodulle. Unë i vlerësoj ato gra, të cilat njihen nga vetëm pak burra. Mos rend pas festave, edhe nëse bëhet fjalë për dasma apo ditëlindje, pasi në të tilla raste zgjohen vrullet e mishit prej të kërcyerit, pirjeve, e të qeshurave, që janë të afta të turbullojnë e të rrëzojnë edhe njerëzit më të mençur. Mos harro kurrë rëndësinë thelbësore të pastërtisë (shpirtërore). Ndonjëherë do ishte më mirë të rezervohesh apo edhe t’i shmangie fare të tilla festa. Nëse do mund të kontrollonim dëshirat dhe orekset e stomakut tonë, do ta kishim më të lehtë në sfidat kundër pasioneve mishore.
Le të mbetet fytyra jote e qetë dhe e përmbajtur; as mos të qeshësh histerikisht e as të mos shfaqësh zemërim apo përbuzje. Veshët mos t’i zbukurosh me perla por me fjalë të bukura e të duhura, jo të papërshtatshme, që të mos të depërtojnë më pas në mendje.
Sa për sytë, kujto se ato janë pasqyrë e shpirtit tënd. Ji e ndrojtur dhe e stolisur me çdo të mirë, që kushdo që të shfaqesh modeste, e matur që kushdo që të shohë (madje dhe burrit tënd) t’i druhet pafajësisë sate. Bëje zakon t’i “mbyllësh sytë” e të qëndrosh indiferente ndaj një pjese të gjërave rreth teje, dhe mbaje shikimin e ulur.
Tani, gjuha. Gjuha do të të bëjë armik me tët shoq, nëse e mban pa frerë, edhe nëse zotëron më së miri mijëra virtyte të tjera. Një gjuhë e shfrenuar dëmton madje edhe njerëzit më të pafajshëm. Më mirë të praktikosh heshtjen, ndonjëherë edhe aty ku ke të drejtë. Them kështu sepse në të kundërt rrezikon përdorimin e ndonjë shprehjeje të gabuar. Sado dëshirë të mund të kesh të flasësh shumë, mundohu të krijosh imazhin e një gruaje fjalëpakë.
Kujdes për mënyrën se si ecën, pasi edhe kjo ka një ndikim të madh në mënyrën se si e prezanton veten.
Tani ndalu dhe kij shumë vëmendje në këtë këshillë: mos e lër kurrë veten të shfrenohet apo të ketë dëshirim të pakontrolluar mishor. Detyroje edhe burrin të respektojë periudhat e kreshmës dhe të kremtet e Kishës. Institucioni i Martesës u themelua nga Biri i Perëndisë për t’i ndihur krijimit të Tij, në mënyrë që të ruhet dhe një balancë: disa të largohen e disa të tjerë të vijnë në botë.
Nëse ke përfituar sadopak nga fjalët e këtij këtij plaku, të lutem t’i ruash këto fjalë si thesare në thellësi të shpirtit. Kështu, përmes të gjitha të mirave që ke përftuar, si dhe Hirit që të është dhënë nga morali yt i lartë, do mundesh ta shërosh burrin tënd dhe politikanin e njohur nga të gjithë demonët e kotësisë dhe krenarisë që i vërtiten.
Kjo është dhurata ime për ty. Nëse do bekimin tim, lutem të bëhesh me një vresht pasardhësish, fëmijë e nipër, në mënyrë që Perëndia të lavdërohet nga sa më shumë njerëz, pasi për të lindim dhe për tek Ai duhet të synojmë.
+Grigori
Patriarku i Konstandinopojës.
Përktheu për Radio “Ngjallja”: Ana Bërbati