/Hyrja e Hyjlindëses Mari në Tempull

Hyrja e Hyjlindëses Mari në Tempull

Hyrja e Hyjlindëses Mari në Tempull

Nëse themi se një pemë njihet nga frytet e saj, dhe se pema e mirë jep fryte të mira (Mt. 7:17; Llk. 6:44) atëherë sa më shumë do të mund të shpreheshim për Nënën e Perëndisë, që mbajti në vete Bukurinë e Përjetshme të Mishëruar? Asgjë e përbotshme apo e përmbibotëshme nuk mund të krahasohet me të.

Prandaj edhe vetë i Përjetshmi, ikona e Mirësisë së Mishëruar, Lajmi i Mirë i Atit, i lindur përpara jetëve, nga dashuria e pafund mori mbi vete natyrën tonë, që t’i jepte asaj shkëlqimin e mëparshëm, i cili ishte zbehur duke u zvarritur nën zinxhirët e Hadhit. Kështu, u mishërua duke marrë trup njësoj si ne, por në të njëjtën kohë edhe të ndryshëm, të ri, për të na transformuar rrënjësisht.

Për realizimin e veprës shpëtimtare nevojitej edhe një shërbëtore e Perëndisë, ajo që do të plotësonte ikonën e Mishërimit, e Gjithmonëvirgjëra e qashtër të cilës ne sot i psalim himne, dhe kremtojmë Hyrjen e saj në Tempull, në të Shenjtat e të Shenjtave. Perëndia i Gjithëurtë e kishte zgjedhur që përpara kohërave, duke e lartësuar jo thjesht si një person mes të të shumtëve, por mes rreshtave të të zgjedhurve, të cilët me shpresëtarinë e tyre, të manifestuar me fjalë e vepra, gjetën pëlqim përpara Tij.

Në fillim të krijimit, njëri ishte ai i cili u ngrit kundër natyrës sonë. Shkaktari i së ligës, gjarpri, ai që na zvarriti drejt humnerës. Të shumta ishin arsyet që e shtynë në urrejtje ndaj nesh, të shumta edhe mënyrat që përdori për të na skllavëruar: smira, rivaliteti, urrejtja, padrejtësitë, tradhtia, dinakëritë etj. Përveç të gjitha këtyre, kishte edhe fuqinë për të na çuar drejt vdekjes, portat e së cilës i çeli vetë i pari, pasi ra nga qielli.

Ligësia dhe smira e tij nuk mund ta duronte dot ta shihte Adamin kaq të lartësuar, të ngritur nga dheu në Parajsë, nga e cila e dëbuan. Kështu, u ngrit egërsisht kundër tij, duke dashur t’i hidhte mbi supe mantelin e vdekjes. Fryti i smirës nuk është vetëm urrejtja, por edhe vrasja, të cilën i ligu e solli mes vesh, duke dashur të ketë pushtet mbi ata që rrojnë mbi dhé, për ta zbehur e shkatërruar ikonën e Perëndisë, sipas të cilës u krijuan. I paaftë për të sulmuar sy për sy, vendosi të fshihej pas dredhisë. Duke përdorur skenarin më të ulët e të poshtër, u hoq si miqësor e këshillues, dhe duke i drejtuar kundër vullnetit të Perëndisë, lëshoi helmin vrastar.

Nëse Adami do të kishte qëndruar i patundur, duke mbajtur urdhërimin Hyjnor që iu dha, do të mbahej mend si shfarosës i armikut dhe triumfues ndaj helmit të tij. Por zgjodhi lirisht që t’i nënshtrohej mëkatit, dhe u mund e u rrëzua. Duke qenë atë i të gjithë njerëzimit, e gjithë fara e tij iu nënshtrua prishjes. Kësisoj, për të fituar jetën e përjetshme duhet i patjetër ta largojë nga trupi dhe shpirti i tij këtë helm vdekjeprurës.

Prandaj njerëzimit i duhej një themel i ri, një Adam i ri, i cili jo vetëm nuk do të mbartte mëkat mbi veten, por edhe do të kishte pushtetin për të falur mëkatet. Një që jo vetëm do të kishte Jetë në vetvete, por edhe mundësinë për të dhënë jetë atyre që besojnë në Të, atyre që vijnë pas Tij, por edhe atyre që jetuan përpara ardhjes së Tij. Për këtë arsye edhe Apostull Pavli, trumbetuesi i madh i Shpirtit të Shenjtë, shkroi: “Njeriu i parë, Adami, “u bë shpirt i gjallë”; Adami i fundit, shpirt jetëdhënës” (1 Kor. 15.45).

Askush tjetër përveç Perëndisë nuk lind pa mëkat, nuk vetëkrijohet dhe nuk ka pushtet të falë mëkatet. Prandaj Adami i ri duhet të ishte jo vetëm njeri, por edhe Perëndi. Duhet të vinte si mishërim i jetës, urtësisë, së vërtetës, dashurisë, mëshirës dhe gjithçkaje tjetër të mirë, që t’i jepte jetë Adamit të vjetër e ta bënte të ri përmes drejtësisë, mëshirës dhe urtësisë së Tij. Këto të mira dhe virtyte janë të kundërtat e atyre që na solli i ligu përmes vdekjes.

Ashtu si armiku i njerëzimit u ngrit kundër nesh plot zili dhe urrejtje, ashtu edhe Burimi i Jetës u lartësua (mbi kryq) për shkak të dashurisë së Tij të pamatshme. Ai do që kurora e krijesës së Tij të rikthehet në bukurinë e mëparshme, ndërsa bërësi i të keqes do të kundërtën,rrënimin tonë, të na ketë nën pushtetin e tij. Kështu, sikurse ai arriti të çojë njerëzimin në rënie, përmes rrugës së dinakërisë dhe padrejtësisë, pësoi edhe mundjen prej Ҫlirimtarit, i Cili erdhi në drejtësi, urtësi dhe në të vërtetë, për të risjellë në jetë krijesën e Tij.

Natyrës sonë, të rënë dhe të skllavëruar vullnetarisht, i duhej të niste përsëri përpjekjen për të triumfuar mbi këtë skllavërim. Prandaj Perëndia i Tërëmirë mori natyrën tonë, në një bashkim hipostatik mistik. Por nuk ishte e mundur që Natyra e Tij Hyjnore, pastërtia dhe lartësia e së cilës e tejkalon mendjen tonë, të bashkohej me natyrën njerëzore të rënë. Prandaj, për ngjizjen dhe ardhjen e Tij në botë si njeri, nevojitej një Virgjëreshë e qashtër dhe e përmbikulluar.

Sot ne kremtojmë kujtimin e të gjithë atyre gjërave që kontribuuan, qoftë edhe një herë të vetme, në Misterin e Mishërimit. Ai që është Perëndi prej natyre, Fjala e përjetshme dhe e panisshme, Biri i Atit Qiellor, bëhet Biri i Njeriut, Biri i Virgjëreshës. Jisu Krishti është i njëjti dje, sot, dhe përjetë (Heb. 13:8). I pandryshueshëm sipas natyrës hyjnore dhe i pamëkatshëm si njeri, Ai nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij (Is. 53:9). Ndryshe nga të gjithë njerëzit e tjerë, Ai nuk u zu në paudhësi dhe nuk u lind në mëkate, Megjithëse plotësisht i pastër e i kulluar, për hatrin tonë pranoi pagëzimin, vuajtjet, kryqin, vdekjen dhe ngjalljen, që të na ngjallë edhe ne.

Perëndia i Mishëruar lindi prej Virgjëreshës së shenjtë e të kulluar, ose më mirë të themi, të përmbishenjtës e të përmbikulluarës. Në të nuk u gjend asnjë mëkat personal, madje as në mendim. Edhe ngjizja e tij nuk u bë prej dëshirimi mishor, por ishte vepër e Shpirtit të Shenjtë. Meqenëse këto dëshira ishin tërësisht të huaja për të, vetëm prej lutjes dhe përgatitjes së saj shpirtërore, i tha engjëllit: “Ja shërbëtorja e Zotit. U bëftë tek unë sipas fjalës sate” (Llk. 1:38), dhe u ngjiz. Pra, në mënyrë që Virgjëresha e Shenjtë të denjësohej për këtë vepër kaq sublime, Perëndia e zgjodhi atë përpara kohërave, në përjetësi, duke e përzgjedhur ndër të tjerët.

Le të kthejmë vëmendjen në kohërat e lashta, kur filloi kjo përzgjedhje. Nga të gjithë bijtë e Abrahamit, Perëndia zgjodhi Sethin e mrekullueshëm, i cili, me bukurinë e virtyteve të tij, jetoi parajsën mbi dhé. Prej fisit të tij lulëzoi më vonë edhe Virgjëresha, Froni ku ndenji i Shumëlarti. Asaj i duhej të lindte Birin, që të gjithë njerëzit të merrnin Birërinë Qiellore. Prej saj, e gjithë linja gjenealogjike e Sethit u quajtën bij Perëndie, sepse nga ajo linjë lindi dhe Biri i Përjetshëm. Emi Seth lidhet me ngritjen dhe ngjalljen, më konkretisht, me vetë Zotin, i Cili u premton jetë të përjetshme të gjithë atyre që besojnë në Të.

Sethi u lind prej Evës, në vend të Abelit, të cilin i vëllai, Kaini, e vrau prej xhelozisë së tij (Gjen. 4:25). Edhe Krishti, Biri i Virgjëreshës, u lind për ne në vend të Adamit, të cilin i ligu e vrau gjithashtu prej xhelozisë. Mirëpo Sethi nuk mund ta ngjallte dot Abelin, meqenëse ishte thjesht një parafigurim i Atij që do të vinte. Krishti, vetë Jeta dhe Ngjallja e atyre që janë mbi dhé, ishte Ai që ngjalli Adamin. Nëpërmjet Tij, të gjithë farës së Sethit iu dha Birëria Hyjnore, dhe u quajtën Bij të Shumë të Lartit. Ky emër iu dha nga Enoshi, i biri i Sethit, i cili, siç shkroi dhe Moisiu, ishte i pari që filloi të kërkojë të thërrasë emrin e Zotit (Gjen. 4:26).

Kështu, sipas providencës Hyjnore, zgjedhja e asaj, përmes së cilës do të mishërohej Perëndia kaloi nga brezi në brez, duke kaluar përmes Mbretit David dhe shtëpisë së tij. Në mbushjen e kohërave, nga kjo shtëpi u zgjodhën pikërisht Joakimi dhe Ana. Ky çift i moshuar, megjithëse ende pa fëmijë, u shquan nga e gjithë linja e Davidit për shkak të shpresëtarinë dhe virtytit të tyre.  Teksa luteshin, vazhdimisht i kërkonin Perëndisë t’i bekonte me një fëmijë, të cilin do t’ia dedikonin Atij që në vogëli. Kështu, Zoti i bekoi duke i dhënë të Tërëshenjtën, në mënyrë që nga këta prindër të virtytshëm të dilte edhe një fëmijë akoma edhe më i virtytshëm. Pastërtia e zemrave të Joakimit dhe Anës, e bashkuar me lutjet e tyre të zjarrta, sollën fryt dhe kështu lindi Virgjëresha, e cila solli në botë Perëndinë e Parajetshëm, të Mishëruar.

Kur Hyjprindërit e drejtë panë se dëshira e tyre ishte përmbushur tashmë, si njerëz që vërtetë e donin Perëndinë, nuk hezituan të mbajnë fjalën e dhënë, duke ia dedikuar Atij të bijën, sapo pushoi së ushqyeri me gji. Fëmija i bekuar, Nëna e Perëndisë dërgohet në Tempull. E paprivuar nga bollëku i dhuratave hyjnore që në moshë të vogël, vetë jetesa e Virgjëreshës dëshmoi për veprat e mëdha që do të bëheshin tek ajo më vonë. Në mënyrën e saj, tregoi se jo thjesht “u dërgua” në Tempull, por shkoi dhe qëndroi me dëshirën e saj, sikur të kishte krahë që e drejtonin për nga burimi i dashurisë hyjnore.

Duke parë Hirin Hyjnor të saj, Kryeprifti gjithashtu shfaqi dëshirën që ajo të qëndronte në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, dhe i nxiti të gjithë të pranishmit ta pranonin këtë fakt, të cilin vetë Perëndia e pati aprovuar. E Tërëshenjta ushqehej çdo ditë nga një engjëll i Zotit, dhe rritej në frymë e në trup, e qashtër dhe e bërë më e lartë se engjëjt, të cilët vinin e i shërbenin. Hyri jo vetëm një herë në Shenjtërore, por u lejua që të qëndrojë aty përgjatë gjithë fëmijërisë së saj, që nëpërmjet saj, të hapeshin banesat qiellore e të bënin vend për banimin e përjetshëm në to, të atyre që besojnë në lindjen e saj mistike.

Për këtë arsye ajo u zgjodh që në fillim të kohërave. Duke qenë manifestim i Shenjtërores së Shenjtëroreve, më e pastër se shpirtrat e lartësuar, bëhet banesë e Fjalës Hipostatike të Atit pa Fillim. Sot, Virgjëresha Mari, thesari i Perëndisë vjen në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, që kur të vijë koha (e cila tashmë ka ardhur) të ndërmjetojë për shpëtimin e të gjithë botës. Kështu, Krishti e shenjtëron dhe lartëson Nënën e tij si përpara lindjes, ashtu edhe pas saj.

Ne që arrijmë të kuptojmë se shpëtimi erdhi në botë nëpërmjet saj, i shprehim mirënjohje dhe lavdërime. Ashtu si gruaja në Ungjill, pasi dëgjoi lajmin e mirë ngriti zërin dhe bekoi Nënën e Perëndisë (“Lum ai bark që të ka mbajtur, dhe gjinjtë që ke thithur”- Llk. 11:27), atëherë sa më tepër ne, që na janë dhënën jo vetëm fjalët e jetës së përjetshme, por edhe vetë vepra shpëtimtare, triumfi ndaj vdekjes dhe lartësimi në Parajsë, duhet pareshtur të himnojmë dhe të bekojmë Nënën e Shpëtimtarit dhe Jetëdhënësit, duke kremtuar sot hyrjen e saj në Tempull?

Prandaj, vëllezër, le të largojmë prej vetes çdo kujdes për të dheshmet. Të ndryshojmë rrugët tona nga mishore, në shpirtërore, dëshirat tona nga të përkohshmet në të përjetshmet. Të mos zhytemi në dëshirimet e mishit, të cilat veniten, pasi dëmtojnë shpirtin, por të synojmë dhuratat shpirtërore, që nuk fishken kurrë. Kështu, lutjet dhe himnet tona do të arrijnë në fronin e saj.

Me ndërmjetimet e saj do të bëhemi trashëgimtarë të bekimeve që do të vijnë, përmes hirit dhe dashurisë së Atij që lindi prej saj për ne, Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, të cilin e nderojmë, madhërojmë dhe adhurojmë, bashkë me Atin e Tij pa Fillim dhe Shpirtin e Tij të Tërëshenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.