/Himara, qyteti-kështjellë i kishave të shumta – nga Ilirjan Gjika

Himara, qyteti-kështjellë i kishave të shumta – nga Ilirjan Gjika

Himara përfaqëson pjesën më të rëndësishme të Rivierës Shqiptare e cila shtrihet përgjatë brigjeve të Jonit nga Qafa e Llogarasë deri në lumin e Borshit. Nga pikëpamja etnografike ajo i përket krahinës së Bregut të Sipërm, ku bëjnë pjesë vendbanimet e Himarës, Palasës, Dhërmiut, Vunoit, Pilurit, Kudhësit dhe Qeparoit (1). Në shek. XV-XVII, kjo krahinë, kishte një shtrirje territoriale më të gjerë ku përfshinte edhe Kurveleshin, një pjesë të Labërisë si dhe Bregdetin nga Karaburuni në Butrint. Më pas gjatë shek. XIX, shtrirja e kësaj krahine u ngushtua në hapësirën e sotme përgjatë bregut të detit (2).
E banuar pa ndërprerje që nga periudha e neolitit, Himara, përmendet në histori qysh gjatë periudhës antike (3). Këtë e tregojnë muret e vjetra të kështjellës së saj, të cilët të përbërë nga blloqe të tipit paralelopipedë dhe trapezoidalë, janë ndërtuar në shek. III pk (4). Kështu, në veprën e tij ‘’Mbi ndërtimet’’, Prokopi i Çezaresë, një autor i antikitetit të vonë thekson se ‘’Himarai’’ ishte një ndër kështjellat e rindërtuara nga Justiniani në shek. VI (5). Ndërkohë që dokumentet historike e përmendin atë edhe si një qendër peshkopale gjatë mesjetës së mesme. Kështu gjatë organizimit kishtar të periudhës së perandorit bizantin Joan Cimiskes (969-976), peshkopata e Himarës së bashku me atë të Adrianopolit dhe Butrintit, ishin në varësi të Mitropolisë së Naupaktit (6). Sipas diplomës së perandorit bizantin Vasili II, në vitin 1020, peshkopata e Himarës vihet nën varësinë e Patriarkanës së Ohrit. Në bazë të këtij dokumenti, peshkopit të saj, i njihej e drejta të kishte nën juridiksionin e eparkisë së tij 12 klerikë dhe 12 parikë (7). Po kështu, peshkopët e Himarës dalin shpesh në dokumente të ndryshme historike, gjatë shek. XIV-XVI, ku kjo peshkopatë administronte një territor të gjerë, në të cilin përfshihej Bregdeti, Labëria dhe Rrëzoma. Kështu, prej kësaj tradite të vjetër, sot, ruhen përveç besimit kristiano-orthodhoks edhe një sërë monumentesh kulti, ku mund të përmendim kishat e kalasë së Himarës dhe manastirin e Atalit në verilindje të këtij qyteti. Sipas të dhënave që piktori anglez Eduard Lir ndeshi në vitin 1848, në këtë qytet gjendeshin rrënojat arkeologjike të 62 kishave’’, ndërkohë që 15 apo 16 prej tyre ndodheshin në pjesën e poshtme të kalasë (9).
Ndërkohë që në kalanë e Himarës, një monument kulture nga viti 1963, ruhen në gjendje të ndryshme disa kisha si, ajo e ‘’Shën Sergjit dhe Bakut’’, paraklisi i ‘’Shën Kozmait’’, kisha ‘’Kryeëngjëllit Mihail’’, ‘’Shën Mërisë’’, paraklisi i ‘’Shën Andreas’’ dhe kisha e ‘’Gjithëshenjtorëve’’.
Ndër to, më shumë interes nga pikëpamja historike paraqet për vjetërsinë e saj, kisha e ‘’Shën Sergjit dhe Bakut’’. Gjurmët më të vjetra rreth këtij objekti i ndeshim mbi një pllakë guri të vendosur në pjesën verilindore të murit të saj, të cilat sipas gojëdhënave tregojnë vitin e ndërtimit të kishës. ‘’Jisu Krishti fiton 786’’, lexohet në të (10).
Kisha e shën ‘’Sergjit dhe Bakut’’ ka qenë selia e peshkopatës së Himarës dhe është ndërtuar në pjesën veriperëndimore të këshjellës, në vendin më të lartë të saj. E përbërë nga naosi, narteksi dhe altari ajo mbart dy faza ndërtimi (11). Fazës së parë i përkasin naosi, pjesa e poshtme e tij dhe absida gjysëmrrethore. Ato janë ndërtuar me gurë mesatarë dhe të vegjël të lidhur me llaç, në të cilët janë vendosur njëra mbi tjetrën ose në radhë të shkurtra midis gurëve, copëra tjegullash. Naosi ndahet nga altari prej një ikonostasi të mëvonshëm me mur guri. Fazës së dytë të ndërtimit i përkasin pjesa e sipërme e mureve të naosit, narteksi dhe muri ndarës midis tyre. Mbishkrimi i vitit 1783 që ndodhet në pjesën verilindore të kishës tregon për një meremetim të vonë të kësaj faltoreje (12). Elementë të tjerë të kësaj kishe janë edhe këmbanorja në pjesën e sipërme të frontonit perëndimor, kotrafortet, çatia dyujëse e mbuluar me tjegulla, etj. Për datimin e saj ekzistojnë dy mendime. Studjuesi Aleksandër Meksi thekson se kisha e ‘’Shën Sergjit dhe Bakut’’ është ndërtuar në shek. X-XI, ndërsa Theofan Popa është i mendimit se ajo i përket shek. XII (13).
Kurse në të dy kolonat e portës së saj monumentale janë gdhendur dy shqiponja dykrereshe që mbajnë sipër kokës një kurorë. Rreth tyre është shprehur mendimi se këtu kemi të bëjnë me stemën heraldike të Kastriotëve (14). Ndërkohë duhet theksuar se simbolin e shqiponjës me dy krerë e kanë përdorur më parë Muzakajt, të cilët sipas një dokumenti të vitit 1395 e kanë patur disa kohë në zotërim Himarën (15). Është i njohur fakti që pas betejës së Peristerit të vitit 1369, perandori bizantin Joani V Paleolog, i dhuroi Andrea Muzakës, titullin e despotit dhe emblemën perandorake, shqiponjën dykrenore (16). Ndërsa disa autorë të tjera i lidhin këto simbole me ngjarjet dhe zhvillimet e shek. XV. Kështu, gjatë vitit 1481 zbarkoi në brigjet shqiptare për të luftuar kundër turqve Gjon Kastrioti i Ri. Me kryengritjen e drejtuar prej tij mori pjesë edhe krahina e Himarës, kryengritësit e së cilës nën drejtimin e Kostandin Muzakës sulmuan kështjellat e Himarës dhe Sopotit (17). Kurse një tjetër hipotezë rreth tyre është ajo se këtu kemi të bëjmë me simbolin e Kishës Orthodhokse, si pjesë dhe trashëgimni e Bizantit.
Pranë ish selisë peshkopale të Himarës ndodhet edhe kisha e ‘’Kryegjëllit Mihail’’, nga forma drejtëkëndëshe e të cilit ruhen muret, absida dhe një pjesë e këmbanores. Brenda tij ndeshen gjurmë suvaje, dy kamare në murin verior dhe dy dritaret e absidës dhe murit jugor. Për nga teknika e ndërtimit mendohet se kjo kishë është ngritur në shekullin e XIII. E ndërtuar me gurë gëlqeror të lidhur me llaç dhe me copa tullash të vendosura horizontalisht dhe vertikalisht midis tyre, ajo ruan në një pjesë të saj edhe gjurmë të teknikës së klausonazhit (18). E veçantë për nga kompozimi është absida gjysëmrrethore e cila në pjesën e sipërme është e zbukuruar me afreske me motive floreale apo tjegulla me simbolin e kryqit. Ndërsa dritaret e saj qarkohen nga një nike e ndërtuar me tulla në formën e dhëmbëve të sharrës.
Një tjetër kishëz e vjetër dhe në gjendje rrënoje në kalanë e Himarës është edhe ajo e ‘’Shën Andreas’’, që ndodhet në pjesën jugperëndimore të saj. Me një planimetri drejtëkëndëshe, ky paraklis përbëhet prej muresh të trasha dhe është i mbuluar me qemer cilindrik me hark të ulët. Pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhet, në këtë objekt, dallojmë hyrjen perëndimore, absidën dhe disa dritare. Mendohet se është ndërtuar në shek. XIII-XV (19). Ndërkohë për nga përmasat monumentale dallon bazilika e ‘’Shën Mërisë’’. Pavarësisht se në proçes restaurimi tek ajo bien naosi, ikonostasi i gurtë i zbukuruar me afreske, çatia dyujëse e mbuluar me tjegulla, etj. Edhe këtu si në të gjitha kishat e tjera është përdorur e njëjta teknikë ndërtimi me gurë të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje. Në anën perëndimore të saj është krijuar një ndarje në formë narteksi, ku si mur i tij shërben muri i kështjellës antike në tëcilin bien në sy blloqet në formë trapezoidale të tij. Ndërsa në qëndër të lagjes ‘’Kala’’ ndodhen dy objekte të rëndësishme si, paraklisi i ‘’Shën Kozmait’’ dhe kisha e ‘’Gjithëshenjtorëve’’. Paraklisi është rindërtuar vitet e fundit në vendin ku ndodhej kisha e vjetër e cila nga mbishkrimi i dikurshëm ishte ndërtuar në 10 janar 1796 (20). Kurse kisha e ‘’Gjithëshënjtorëve’’ është faltorja kryesore e Himarës e cila nga një bazilikë monumentale e ndërtuar me material guri dhe e mbuluar me çati druri. Sipas mbishkrimit që ndeshet në pjesën e jashtëme të portës veriore të saj, kisha, është rikonstruktuar në 8 gusht të vitit 1826. Disa pjesë të saj janë të zbukuruara nga brenda me afreske të reja, kurse ruhen në gjendje të mirë tavani dhe ikonostasi i dikurshëm të punuar prej druri të gdhëndur (21). Vetëm në pjesën verilindore të altarit të saj ruhen disa fragmente të afreskeve të dikurshëm. Pranë saj ndodhet edhe këmbanorja me dy kate e pajisur me tambur dhe çati tjegullash, ku dritaret e përmasave të ndryshme janë vendosur dy e nga dy mbi njëra tjetrën. Në këtë kishë sot ndodhet selia e zëvendësmitropolisë, ku zhvillohen edhe ceremonitë kryesore kishtare. Që prej vitit 1970 ky objekt kulti gëzon edhe statusin si monument kulture.
Jashtë qytetit të Himarës në pjesën verilindore të tij mbi kodrën e quajtur ‘’Xhumba’’ ndodhet manastiri i Atalit (22). Prej tij kanë mbetur kisha e “Fjetjes së Shën Marisë” dhe një ndërtesë dykatëshe. Kisha është një bazilikë trenefëshe me përmasa të 10.10 x 5.10 m, ku nefi qëndror mbulohet me tavan të rrafshët, ndërsa nefet anësore mbulohen me qemerë cilindrikë me harqe (23). Naosi ndahet nga altari nga një ikonostas prej muri dhe përbëhet nga protezisi, bema dhe diakonikoni. Në anën lindore ndodhet absida gjysmërrethore e cila në pjesën e sipërme përbëhet nga gurë të vendosur në formë dhëmbësh sharre. Ndërtesa mbulohet nga një çati dyujëse e mbuluar me tjegulla, ndërsa muret janë ndërtuar me gurë të lidhur me llaç. Për kornizat dhe këndet janë përdorur edhe gurë të latuar, kurse për ta ruajtur nga dëmtimet, faltorja, është pajisur edhe me disa kontraforte (24).
Nga mbishkrimi që ndodhet mbi portën perëndimore të kishës së këtij manastiri mësojmë jo vetëm që ai është ndërtuar në vitin 1759, por kemi edhe të dhënë interesante për peshkopatën e Himarës dhe Delvinës. “U ndërtua prej themeli dhe u pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithnderuar i Fjetjes së mbishënjtës, zonjës sonë Hyjlindëses dhe gjithmonë virgjëreshës Mari, me kontributin, përpjekjen, mundimin dhe shpenzimet e murgeshës Zaharisë në kohën e peshkopit shumë perëndidashës zotit, Joaniqit të Himarës e Delvinës, me dorën time të mëkatar Vasilit, nga katundi Sinkriati. U përfundua në vitin 1795, prill 10”, lexohet në të (25).
Kisha “Fjetja e Shën Marisë” është zbukuruar brenda me afreske të pikturuara me një nivel të lartë artistik. Një fakt i tillë shihet edhe te afresku i “Ava Sisoit para varrit të Aleksandrit të Madh”, i cili shoqërohet nga mbishkrimi: “Duke të parë ty o varr trëmbem nga pamja jote dhe derdh lot si shi, që pikojnë nga zemra, sjell ndër mend borxhin që është për të gjithë si do të kalojë deri në fund, obobo nga kjo o i pavdekshëm kush mund të shpëtojë ty. Ava Sisoi-Mbreti Aleksandër” (26). Prej manastirit ka mbetur edhe një ndërtesë dykatëshe e cila përdorej dikur për banim dhe mbajtjen e ekonomisë ndihmëse. Edhe ky objekt kulti është shpallur monument kulture në vitin 1963 (27).
Ky ishte një përshkrim i shkurtër i objekteve dhe monumenteve kishtare të Himarës e cila është kryeqëndra e një krahine, ku besimi kristian-orthodhoks ka rrënjë të vjetra dhe të forta në histori.
…………………
1-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 112
2-Po aty, f. 272-273
3-D. Mustilli, Relazione preliminare sugli scavi archeologici in Albania: 1937-1940, Rendiconti della clase di Scienze morale e storiche, 12, VII-II, 1941, f. 680, Selim Islami, Qyteti në Iliri dhe në Epir, Iliria, 1, Tiranë 1988, f. 5-10
4-Dhimosten Budina, Harta arkeologjike e bregdetit Jonian dhe e pellgut të Delvinës, Iliria, 1, Tiranë 1971, f. 280
5-Procopii Caesarensis, De aedificis, IV, 4
6-J. Darrouzes, Notitiae Episcopatum Ecclesiae Costantinopolitana, Paris 1981, f. 146; H. Gelzer, Ungedrutcke und venig bekannte Bistumverzeichninse der orientalischen kirche, B. Z. II, 1983
7-Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, shek VIII-XV, II, Tiranë 1962, f. 32
8-N. Borgia, I monaci basiliani D’Italia in Albania, Roma 1942, f. 17-21; Aleksandër Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 202
9-Edward Lear, Ditar Udhëtimesh 1848-1849, Plejad, Tiranë 2008, f. 188
10-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, f. 293
11-Aleksandër Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri. Tiranë 1983. SH. B. ‘’8 Nëntori’’, f. 94-95
12-Po aty, f. 94-95
13-A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri. Tiranë 1983, f. 94-95; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 247-248; Th. Popa, Mbshkrimeve të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, f. 293
14-Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, SH. B. 55, Tiranë 2009, f. 336
15-G. Valentini, Acta Albaniae Veneta, I, II, 598, f. 295-295
16-Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, SH. B. 55, Tiranë 2009, f. 262-266
17-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 373; Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, SH. B. 55, Tiranë 2009, f. 373-375
18-Aleksandër Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri. Tiranë 1983. SH. B. ‘’8 Nëntori’’, f. 117
19-Po aty, f. 117-118, Aleksandër Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 362
20-Theofan Popa, Mbshkrimeve të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, f. 311
21-Jano Koçi, Himara, SH. B. Gent-Grafik, Tiranë 2006, f. 48
22-Po aty, f. 51
23-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 194-196
24-Po aty, f. 194-196
25-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, f. 310
26-Po aty, f. 310-311
27-Mbrojtja e monumenteve, IMK, Tiranë, 1974, f. 53