Gëzim kremtues dhe panair i madh në katedralen e “Apostull Pavlit dhe Shën Astit në Durrës”!
Sot në datën 6 Korrik u kremtua me madhështi në katedralen orthodhokse të qytetit të Durrësit festa e Shën Astit, hierodëshmorit të shenjtë, me Shërbesa të Shenjta ku u drejtuan nga Episkopi i Bylisit Hirësi Asti, i cili është nga qyteti historik i Durrësit dhe mban emrin e Shenjtorit që kremton sot si dhe klerikë të Kryepiskopatës së Hirshme.
Kisha e Durrësit, ndër kishat më të rëndësishme të Shqipërisë, është themeluar nga Apostulli i kombeve Shën Pavli, ndonëse një traditë e lashtë thotë që i pari që kaloi aty ishte Shën Jakovi, i biri i Zebedeut, vëllai i Shën Joan Teologut, kur ai po shkonte për në Spanjë. Pranë Durrësit, ku sot ndodhet qyteti i Shijakut (Shën Jaku-Jakovi), ishte një katedrale e madhe dedikuar Shën Jakovit, pikërisht mbi kodrën, ku sipas traditës ai kishte mbajtur predikimin e parë. Sipas disa dokumentave të vjetër, në vitin 58 pas Krishtit, kisha e Durrësit kishte rreth 70 familje të krishtera.
Krishtërimi në Shqipëri nuk u përhap nga misionarë latinë apo grekë, por u përhap si në të gjitha pjesët e botës mesdhetare, qysh prej epokës apostolike, nga predikimi direkt i Apostujve dhe i nxënësve të tyre. Dhe mbasi u mboll aty, pati një zhvillim të vetin dhe origjinal. Ai është i hershëm në Shqipëri sa është i hershëm edhe në Romë, në mos pak më i hershëm, sepse para se të shkonin në Romë, Apostujt kalonin nëpërmjet Shqipërisë, nëpër rrugën e famshme Egnatia. Kështu që Krishtërimi në Shqipëri nuk vjen nga një burim i huaj por është autokton.
Peshkopi parë i Durrësit ka qënë Shën Qezari, një nga të 70 nxënësit e Krishtit. Peshkopi i dytë i kësaj kishe të lavdishme apostolike ka qenë Shën Asti hierodëshmori që Kisha e Shenjtë e kremton sot në kalendarin e saj, pra në 6 Korrik.
Shën Asti e drejtoi kishën e krishterë të Durrësit në kohën e perandorit Trajan (98 – 117) duke qenë kështu bashkëkohës i Shën Ignat Hyjmbajtësit. Shën Asti dallohej për devotshmërinë e tij dhe për dashurinë e madhe që kishte për Krishtin dhe për grigjën e Tij. Si një bari i vërtetë ai kujdesej për çdo dele të tufës së tij dhe vigjëlonte që asnjë shpirt të mos rrëmbehej nga armiku i gjindjes njerëzore, Djalli.
Shën Asti për shkak të besimit të tij, siç edhe Zoti i tij, të cilit i kishte shërbyer me devotshmëri dhe dashuri, vdiq i varur në pemë.
Kisha Orthodhokse e përkujton dhe e nderon këtë dëshmor të madh dhe Peshkop të lavdishëm në 6 Korrik.
Me këto fjalë e nderon dhe madhëron Kisha e Shenjtë Hierodëshmorin Asti i Durrësit:
“Gëzohu o pishtar i hyjshëm i shprestarisë; Dhe ndriçues i madh dhe udhëheqës i kishës;
Gëzohu, o yll i shkëlqyer i Durrësit;
Himnojmë hirin tënd, o shën Ast i mahnitshëm”!