“…duke u kujdesur të ruani unitetin, që vjen nga Shpirti i Shenjtë, përmes paqes, që ju lidh me njëri-tjetrin” v. 3.
Teksti Apostolik i kësaj të diele, thekson nevojën e unitetit të Kishës dhe u tregon besimtarëve mënyrat e jetesës dhe të sjelljes ndaj njëri-tjetrit, të cilat ndihmojnë për ruajtjen dhe shtimin e unitetit midis tyre; unitetin e një trupi kishtar, të cilit i përkasin anëtarët e tij.
* * *
Uniteti është dhuratë nga Perëndia! Por, ku mbetet? Ku qëndron kjo dhuratë? Kërkuam ta gjejmë nëpër shtete dhe nëpër organizata të mëdha ndërkombëtare, por nuk e gjetëm. As dhe brenda në shoqëri dhe brenda familjeve, nuk ekziston. Dëgjojmë dhe shikojmë parregullsi, trazirë, zhurmë, debate dhe luftëra. Gra kundër burrave. Burra kundër grave. Fëmijë kundër prindërve. Prindër kundër fëmijëve.
Mos vallë uniteti, që kërkojmë është brenda në Kishë? Do duhej, të paktën, të ekzistojë atje. Do duhej të gjithë klerikët dhe laikët, që i besojnë Perëndinjeriut, të jenë të bashkuar, në mënyrë, që asnjë fuqi në botë të mos mundet t’i përçajë. Do duhej të gjithë të krishterët të kenë realizuar atë, që kërkoi Krishti nga Ati i Tij të Enjten e Madhe, kur, pas Darkës Mistike, iu lut Atit qiellor: “O Atë, jep, që të gjithë ata, që besojnë tek Unë, të jenë të bashkuar midis tyre, ashtu si edhe ne jemi të bashkuar lart në qiell…” Joan 11, 21-23.
Në vitet e para, Kisha ishte e bashkuar. Siç shikojmë në Veprat e Apostujve, gjithë të krishterët ishin si një shpirt në shumë trupa. Atë, që mendonte njëri, mendonin edhe të tjerët; çfarë bënte njëri, bënin edhe të tjerët. Dhe idhujtarët, duke parë unitetin e këtyre të krishterëve të parë, i besonin Krisht. Uniteti, ishte një mrekulli, që i bëri shumë përshtypje botës së lashtë, dhe ndihmonte njerëzit t’i besojnë Krishtit.
Por, fatkeqësisht, ky unitet nuk mbajti shumë. Dhe lajmi i hidhur është se, një pjesë e madhe e krishtërimit, e përçau unitetin. U largua dhe përbëri “kishën” latine të perëndimit, por dhe ajo përsëri nuk mbeti e bashkuar, por u përça, dhe një pjesë e madhe e saj formoi protestantët. Dhe protestantët u ndanë në pesëqind pjesë dhe degë.
* * *
Ata, që i besojnë Krishtit, nuk është e mundur, që të jenë të përçarë, sepse përbëjnë një trup, trupin mistik të Krishtit! Apostull Pavli, shpjegon këtë fenomen të mrekullueshëm të një trupi, që paraqesin besimtarët: “Kisha është një organizëm i gjallë”. Ekziston një trup dhe një Frymë, ashtu si edhe një shpresë e ftesës sonë, që morëm. Një Zot, një besë, një pagëzim, një Perëndi dhe Atë i të gjithëve, i Cili është mbi të gjithë dhe në të gjithë ne. v. 5-6.
Le ta vëmë re me kujdes këtë! Të gjithë besimtarët, jemi anëtarë të një organizmi të gjallë. Përbëjmë një trup. Nuk mund të ndahemi nga ai pa pasoja. Çdo pjesë, që do të shkëputet nga trupi, do të vdesë. I krishteri, që jeton një jetë egoiste dhe të pavarur nga bashkësia, pa u kishëruar, pa marrë pjesë në Misteret e Kishës, pa dashuri dhe përkujdesje për të tjerët, është, tashmë, i vdekur shpirtërisht. Nuk është një pjesë e gjallë e trupit të Krishtit. Madje, edhe nëse është pagëzuar i krishterë orthodhoks dhe braktis kishën orthodhokse, që të shkojë tek heretikët, e shkëput veten e tij nga Trupi i Krishtit dhe e dënon në fishkje dhe vdekje shpirtërore.
Zoti e shpalli këtë në mënyrë të prerë: “Nëse dikush nuk qëndron në mua -i bashkuar me mua, Kreun, dhe me trupin tim, Kishën- do të hidhet jashtë si hardhia dhe do të thahet.” Joani 15, 6. Shën Agustini bën një vërejtje të saktë: “Ky varg i Ungjillit, ku Zoti e quan veten e Tij vresht dhe Nxënësit e Tij, degë -hardhi-, shpall se, ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve, Perëndinjeriu Jisu Krisht, është Kreu i Kishës dhe, se ne jemi pjesë e Tij. Sepse, përderisa vreshti dhe degët e tij janë të të njëjtës natyrë, natyra e Tij si Perëndi është krejt e ndryshme nga natyra jonë, po u bë njeri, që më Krishtin, natyra e Tij njerëzore, të bëhet vresht dhe ne, që jemi gjithashtu njerëz, të bëhemi degë të Tij.”
Një treguese i përulësisë së Jisu Krishtit është se i pëlqen të flasë për veten e Tij me krahasime përulësie. Ai është Dielli i drejtësisë. “Ylli i ndritshëm i mëngjesit” Zbulesa 22, 16. Dhe megjithatë, e përngjason veten e Tij me vreshtin. Vreshti është një bimë, që çdo vit nxjerr lastarë, të cilët mbulojnë sipërfaqe të mëdha. Kështu dhe Krishti, do të bëhet i njohur, si shpëtimtar, deri në mbarim të jetës. Pema e vreshtit “gëzon Perëndinë dhe njerëzit” Gjyqtarët 9, 13. Kështu dhe fryti i ndërmjetimit të Krishtit. Por, nëse Krishti është vreshti, besimtarët janë hardhitë dhe degët e vreshtit. Krishti, pra, është rrënja, e cila mban degët dhe i ushqen ato nëpërmjet lëngut, që rrjedh nga vreshti. Kështu dhe të gjithë të krishterët e vërtetë, sado, që të ndahen midis tyre, me distancat e kohës dhe të vendit, bashkohen të gjithë me Krishtin, që është vreshti “i shkëlqyeshëm, i paprishur dhe shpirtëror”, siç vëren shumë saktë përkthyesi i hirshëm shën Efthim Zigavinoi.
Por, si është e mundur, që uniteti i trupit njerëzor, që është një simbol i unitetit tonë me Krishtin, të arrihet dhe në shoqërinë njerëzore? Si është e mundur të përbëjnë një trup, njerëz me karaktere të ndryshme, me profesione të ndryshme, me arsim të ndryshëm? Mos vallë uniteti midis njerëzve është i pamundur dhe i paarritshëm?
Çfarë ndodh me trupin tonë? A nuk përbëhet ai nga shumë gjymtyrë, ku secili kryen një funksion të veçantë? Dhe megjithatë vihet re një unitet shumë harmonik. Si arrihet kjo? Duke ndihmuar njeri-tjetrin në mënyrë të mrekullueshme. Gjymtyrët i shërbejnë njëri-tjetrit në mënyrë reciproke. I përkasin të njëjtit trup dhe njëri i punon tjetrit.
* * *
Në të njëjtën mënyrë, arrihet uniteti dhe në shoqërinë e njerëzve. Sigurisht, ekziston dhe këtu shumëllojshmëria, ndryshimi, shuman-shmëria. Megjithatë, ky ndryshim nuk duhet të jetë shkaktar i përçarjes, por baza e harmonisë. Nëse jemi gjymtyrë të një trupi, e kemi për detyrë, dashurinë ndaj njëri-tjetrit, shërbimin, nderin. Pikërisht, këtë thekson dhe apostull Pavli. I fton të krishterët e Efesit të ruajnë unitetin, që u dhuroi Shpirti i Shenjtë brenda në Kishë. “Një jetë me shumë përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e pranuar njëri-tjetrin me dashuri” v. 2. Përulësia është një virtyt kulmor në jetën e Krishterë, “themeli i çdo virtyti”, siç thotë shën Nikodhimi i Malit të Shenjtë. Të krishterët, duke u sjellë me përulësi dhe butësi, imitojmë shembullin e Zotit tonë, “të butë dhe të përulur në zemër” Mateu 11, 29. Dhe duke u treguar zemërgjerë ndaj vëllezërve tanë, imitojmë zemërgjerësinë e Perëndisë përballë botës. Luka 18, 7; Romakëve 2, 4; 2 Pjetrit 3, 9,15. Dashuria e sinqertë më Krishtin, na jep fuqinë të tregojmë tolerancë dhe durim, përpara dobësive dhe sjelljes së keqe të vëllezërve tanë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Nevojitet luftë shpirtërore, që të arrihet dhe të ruhet uniteti midis nesh. Hallka e bashkimit është shumë delikate dhe nevojitet shumë kujdes. Nuk bëhet ndryshe. Që të ruhet uniteti, do ta duash tjetrin në mënyrë të sinqertë dhe thelbësore. Do tolerosh të metat e vëllait tënd, mangësitë e bashkëshortit apo të bashkëshortes tënde. Do jesh zemërgjerë kur të dëmtojnë. Do të përballosh me butësi gabimet e tjetrit. Dhe madje, do ofrosh pa ngurrim ndihmën tënde, për secilindo, që ka nevojë. Do gëzohesh në gëzimin e tyre dhe do qashë në dhimbjen e tyre. Mbi këtë ndihmë reciproke mbështetet ndërtesa e hirshme e unitetit të trupit të shoqërisë dhe të Kishës.
U bëftë.
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 18.11.2018