FRONËZIMI I MITROPOLITIT TË BERATIT, VLORËS DHE KANINËS, HIRËSI ASTIT Në atmosferë lutjeje, hiri e ngazëllimi shpirtëror u krye sot më 21.11.2024 fronëzimi i Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësi Astit, në Katedralen e Shën Dhimitrit, në Berat. Shërbesa e fronëzimit u kryesua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Sinodit të Shenjtë, klerikëve të shumtë nga të gjitha mitropolitë, përfaqësuesve të pushtetit lokal, personaliteteve, përfaqësuesve të komuniteteve fetare lokale dhe qindra besimtarëve shpresëtarë nga i gjithë vendi. Kryepiskopi Anastas, duke e uruar Mitropolitin e ri për detyrën e tij baritore, shprehu mirënjohjen për përkushtimin e tij për mbi 2 dekada në shërbim të Kishës sonë dhe bindjen se Hirësia do të vazhdojë të përdorë dhuratat e tij të shumta, “…që vepra e tij baritore të jetë gjithnjë vepër bese, mundi i tij të jetë gjithnjë mund dashurie dhe shpresa e tij gjithnjë e lidhur me durimin”. Më tej, edhe Protopresviteri Joan Qako shprehu falënderim dhe mirënjohje për Mitropolitin Asti. Në fjalën e tij, ndër të tjera, Hirësi Asti u shpreh: “…Do të përpiqem me gjithë shpirtin tim dhe fuqinë time e do të mundohem të ofroj gjithçka që kam dhe gjithçka që kam mësuar, në: Rritjen dhe thellimin në Krishtin, Miqësinë, Shërbimin dhe Dëshminë; objektiva të cilat u na u dhanë qysh herët në fillim nga Kryepiskopi Anastas dhe u bënë busull për jetën tonë më Krishtin. Të gjitha këto e shumë të tjera janë vulosur në ndërgjegjen time për të jetuar më thellë dashurinë e Perëndisë. Le të jetë dashuria dhe përkushtimi im një përgjigje ndaj himnit “Si do t’ia shpërblejmë Zotit të mirat që na ka bërë?”. Perëndia të më ndriçojë, të më fuqizojë e të më denjësojë në vazhdim në dashurinë e Tij si edhe në këtë përgjegjësi baritimi”. I urojmë Mitropolitit Asti hir, dashuri e shenjtëri në krye të Mitropolisë së Shenjtë të Beratit. I denjë!