/FJETJA E ZONJËS SONË SË TËRËSHENJTË HYJLINDËSE DHE GJITHMONËVIRGJËRËS MARI

FJETJA E ZONJËS SONË SË TËRËSHENJTË HYJLINDËSE DHE GJITHMONËVIRGJËRËS MARI

PASHKA E BEHARIT

“Qëndroi Mbretëresha në të djathtën tënde me veshje të artë e mbuluar, e stolisur”. Psalm 44, 10.

Në 15 gusht kemi një të kremte ngazëlluese, por të vështirë për ta kuptuar. Shumë madje, e quajnë Pashka e beharit! Dhe ku është vështirësia për ta kuptuar këtë të kremte? Pashkën e kuptojmë. Kremtojmë një Ngjallje! Ngjalljen e Zotit tonë! Dhe Ngjallja e Tij është ngjarja më e ngazëllueshme, që ndodhi në tokën tonë. Ndërsa tani kremtojmë një Fjetje. Fjetjen e Hyjlindëses, siç e themi, nënkuptojmë vdekjen e së Tërëshenjtës. Engjëjt e shenjtë morën shpirtin e saj të Tërëshenjtë dhe e drejtuan përnjëherë tek Ai, të Cilin u denjësua ta ketë Birin e saj në këtë tokë!

* * *

Fjala e përjetshme e Perëndisë, me pëlqimin e Atit të pafillim dhe me mbiveprimin e Shpirtit të Tërëshenjtë, zbriti dhe u trupëzua prej Hyjlindëses dhe Gjithmonëvirgjërës Mari dhe u bë njeri i përsosur.
E Tërëshenjta u bë shkalla, që e pa patriarku Jakov, nëpërmjet së cilës Perëndia zbriti mbi dhé dhe i ngjiti njerëzit e rilindur në qiell.

Të gjitha profecitë dhe simbolizimet donin të ikonizojnë dhe të paralajmërojnë se Hyjlindësja e Tërëshenjtë do të bëhej nëna e Perëndisë dhe e njerëzve.

Kryezonja e Panjollëshme, i shërbeu përmbushjes së vullnetit të parajetshëm të Krijuesit, që është trupëzimi i Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Asnjë nuk e nderoi kaq shumë gjininë njerëzore, sa Ajo. Asnjë nuk ishte në pozitë të çlirojë njeriun nga prishja dhe nga vdekja, siç psalë profeti David: “Zoti vështroi nga qielli bijtë e njerëzve, që të shohë në ka ndonjë të mençur, që kërkon Perëndinë. Të gjithë dolën nga rruga, dhe njëkohësisht u prishën, nuk ka njeri, që të bëjë mirësi, nuk ka as edhe një”. Psalm 13, 2-3.

Perëndia si njeridashës, donte shpëtimin tonë, por nuk gjente asnjë nga i cili do të mund të fillonte veprën e Shpëtimit dhe të shpërndajë dhuratat e Tij hyjnore tek njeriu. Vajza e Panjollëshme është e vetmja Virgjëreshë Hirplotë, e cila ofroi veten e saj tek Çlirimtari, u bë Nëna e Birit të Perëndisë dhe i shërbeu veprës së shpëtimit.

Shën Joan Damaskinoi, duke iu referuar Hyjlindëses së Tërëshenjtë, në fjalimin e tretë lavdërues, drejtuar Fjetjes së saj, lejon nga pasuria e zemrës së tij të derdhen ndjenjat e tija të thella dhe të shenjta: “Sot, qyteti i gjallë i Perëndisë kalon në Jerusalemin e sipërm. Sot, Arka e Zotit transferohet në prehjen e Birit të saj. Le të përgatitet reja qiellore dhe shumë e bukur dhe krahët e erërave le të sjellin në Sion Apostujt nga anembanë dheut. Ejani të gjithë -na fton- në shtratin e gjithëhirshëm të themi himne melodike dhe të ëmbla. Këndoni o gjuhë të Apostujve, ju kitara të Shpirtit të Shenjtë. E ndiqni pas Mbretëreshën, ju vajza të virgjëra të Jerusalemit. Bashkë me të ejani tek Dhëndëri, që të qëndroni në të djathtë të Zotit.

-Duke iu drejtuar Birit dhe Perëndisë së saj, e fton të vijë në Shërbesën e varrimit: Zot dhe mjeshtër i jetës sime, zbrit prej qiejve në Gjethsemani, dhe eja t’i japësh Nënës, atë që i detyrohesh për rritjen Tënde. Ke detyrë të madhe ndaj Saj. Hapi duart e Tua hyjnore. Prano shpirtin e Nënës, Ti, që mbi kryq shpirtin Tënd ia besove duarve të Atit. Pëshpëriti me ëmbëlsi: Eja ti, o e mirë, pranë meje. Bukuria e virgjërisë sate është më e ndritshme nga dielli. Më dhe të tuat. Eja të shijosh të mijat. Eja o Nënë tek Biri yt! Eja të mbretërosh bashkë me mua, që me përulësi linda nga ty dhe jetova përulësisht me ty.”

Është me të vërtetë diçka, që e mbush zemrën me frikë, me shtangie, me habi dhe të lë pafjalë, virtyti befasues i së Tërëshenjtës. Si vajzë e vogël u edukua nga prindërit e saj besimtarë dhe u rrit me fjalën e Perëndisë. Si vashë pranoi mesazhin e nderit të veçantë të Engjëllit, se u zgjodh të bëhet Nënë e Birit të Perëndisë! E kaloi gjithë jetën e saj me përulësi dhe heshtje, përkrahë Birit dhe Perëndisë së saj. Pati dhimbje si asnjë nënë tjetër në tokë, duke parë persekutimin e Tij të padrejtë nga bashkatdhetarët e Tij, të bamirësuar prej Tij. Dhe së fundi, poshtë Kryqit, u ça zemra e saj nënore nga shpata që iu ngul, duke jetuar martirizimin e Tij të frikshëm. E heshtur dhe e nënshtruar në dëshirën e Perëndisë Atë, pa rënkuar asnjë moment…

Dhe Biri i saj? Zoti ynë Jisu Krisht? Pas rreptësisë së Tij të dukshme dhe heshtjes së Tij, përgjatë jetës së Tij mbi tokë, kur u gjend mbi Kryq dhe pak para fundit të Tij, i tha ato fjalë të mbushura me dhembshuri, që qëndruan si porosia e Tij e fundit për atë: “Grua, ja biri yt…” dhe i tregoi nxënësin e Tij të dashur Joanin. Dhe duke e kthyer shikimin e Tij nga Joani, vazhdoi: “Ja nëna jote”.

Dhe lë përshtypjen se fjala e Tij ishte një urdhër për të gjithë ne të Krishterët e të gjithë shekujve: Ta ndiejmë nënën e Tij të Tërëshenjtë si nënën e të gjithëve ne!

* * *

E Tërëshenjta, që nga ditët e Ungjillëzimit deri në fund të jetës së Saj iu bind pa nguruar ftesës së saj, duke pasur si rregull të pashkelur, “u bëftë tek unë sipas fjalës sate” Luka 1, 38. Dhe Zoti, -besnik ndaj fjalëve të Tija “Ja tek po vij, o Perëndi, për të bërë, dëshirën tënde”. Hebrenjve 1, 7– nga mosha e Tij fëmijërore deri në orën, që dha shpirtin mbi kryq, iu bind planit të Perëndisë dhe përmbushi ftesën e Tij plotësisht.

Si, pra, është e mundur të jetë dikush i krishterë, pa u bindur dhe ai në cilëndo ftesë që i drejton Perëndia? Por cilat janë ftesat tona: 1. Ftesa e parë, e përgjithshme për gjithë të Krishterët, është: T’i bindemi Ligjit të Tij, të ecim “siç eci Ai” thotë ungjillor Joan Teologu i frymëzuar nga Perëndia 1 Joani 2, 6. Të ecim “denjësisht në thirrjen që u thirrëm”, na porosit dhe apostull Pavli. Efesianëve 4, 1. Domethënë, si të Krishterë të çliruar nga pasionet e prishjes, lirshëm dhe pa u detyruar t’i bindemi ligjit të Ungjillit, që e fisnikëron njeriun, e bën qytetar të dobishëm të jetës mbi tokë, bamirës, faktor paqësor të shoqërisë së Perëndisë.

2. Ftesa e dytë, e veçantë për çdo të Krishterë: Të kryejë me disiplinë detyrën në të cilën u caktua, qoftë edhe nëse kjo detyrë kërkon sakrifica, mundime, luftëra. Sepse mundimet dhe sakrificat, të cilat i ofron dikush me dëshirë dhe për hir të detyrës, janë çlirim i vërtetë. Ndërsa, në të kundërt, mosbindja ndaj thirrjes në detyrën konkrete, për t’u shmangur mundimeve dhe sakrificave, sot shfaqet si e lehtë, por nesër do të krijojë vështirësi të pakapërcyeshme dhe robëri në pasione tiranike apo në pasoja të hidhura të mosbindjes.

Por, veçanërisht sot, është e nevojshme të pranojmë ftesën tonë. Sot, që të gjitha kanë degraduar. Sot, që veçantia e krishterë tërheq ironitë dhe talljet e njerëzve materialistë dhe të pabesë. Sot, që dëgjohen një larmi parullash, se besimi është diçka anakronike; sot, që përroi i jetës së botës rrezikon të përmbysë çdo gjë dhe shumë të krishterë lëkunden në bindjet e tyre; sot duhet që fortë edhe qartë të paraqitet shembulli i Hyjlindëses.

Fryma e Perëndisë, në mënyrë shprehëse dhe saktë, u drejtohet besimtarëve të krishterë dhe u thotë: Kini kujdes të krishterë! Mos u ndikoni nga idetë e botës, që vjen dhe ikën. Qëndroni të patundur në thirrjen tuaj, siç bëri dhe e Tërëshenjta jonë, siç bëri dhe Biri i Saj. Keni emrin më të nderuar të të krishterit! Nderojeni. Kini ndërmend ato që porosit Krishti. E bëni Krishtin qendër të jetës suaj. Të fitoni një lidhje personale me Atë, nëpërmjet Mistereve të shenjta të Kishës së Tij. Asgjë larg Krishtit nuk do ta mbushë brendësinë tuaj. Përbuzni zërat mashtrues dhe parullat e gënjeshtërta. Ju pret lavdi e madhe dhe lumturi qiellore.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Bindja e së Tërëshenjtës sonë vulos vërtetësinë e fjalës, përderisa është ajo që e lumturojnë “gjithë brezat”, si Nënën e Dritës! Por e lumturojnë dhe si Mbretëreshë, e cila e nderuar veçanërisht nga Perëndia, gjendet në të djathtën e Tij, me gjithë shkëlqimin e veshjeve të arta të virtyteve të Saj dhe dhuntive të Shpirtit të Shenjtë që e stolisin. Mbreti David e dëshmoi në mënyrë profetike: “Qëndroi Mbretëresha në të djathtën tënde me veshje të artë e mbuluar, e stolisur”. Psalm 44, 10.

Amin!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 15.08.2020