Kryepiskopi Anastas në datën 14 gusht, ishte për prag të kremten në zonën e Mitropolisë së Beratit. Bashkë me Mitropolitin Ignat, ai vizitoi qytetin e Vlorës, ku u pritën nga Kryetari i Bashkisë, z. Dritan Leli dhe Prefekti, z. Flamur Mamaj. Ndër të tjera, u trajtua edhe problemi i mbetur pezull prej vitesh, i ngritjes së një kishe katedrale në këtë qytet të lashtë dhe me tradita.
Për Shërbesën e Mbrëmësores, Kryepiskopi Anastas shkoi në Manastrin “Fjetja e Hyjlindëses”, në Zvërnec. Ky manastir është restauruar thellësisht, me një fond mjaft të konsiderueshëm të siguruar nga Fortlumturia e Tij.
Kryepiskopi, i shoqëruar nga Hirësi Ignati, u prit në manastir nga Kryetari i Bashkisë, z. Dritan Leli, deputeti i Vlorës z. Edi Leka, konsujt e Greqisë dhe Italisë dhe Kryetarja e komunës. Për nder të Kryepiskopit, Kryetari i Bashkisë kishte përgatitur një koncert me muzikë klasike, i cili u dha në urën që lidh ishullin e Zvërnecit me fshatin. Kryebashkiaku Leli vlerësoi figurën e Kryepiskopit Anastas si një bari që ka krijuar fidanishte dashurie dhe besimi kudo në Shqipëri për besimtarët orthodhoksë.
Kryepiskopi Anastas kreu Mbrëmësoren e madhe të së kremtes në Kishën e Fjetjes së Shën Mërisë në Zvërnec, ku morë pjesë qindra besimtarë. Në fund, Fortlumturia e Tij foli për të kremten, duke e quajtur si një Pashkë verore për krishterimin.
E veçantë në Mitropolinë e Beratit ishte edhe mundësia që u krijua në datë 15 gusht për të shërbyer në kishën e Hyjlindëses në kala, e cila është kthyer prej vitesh në muzeun “Onufri” dhe nuk i është kthyer ende Kishës sonë, shërbesë që u drejtua nga Mitropoliti Ignat.