/Fjalë të arta drejtuar të Rinjve – Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi

Fjalë të arta drejtuar të Rinjve – Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi

“Bijtë e mi të dashur!

Dua t’ju them se më jepni gëzim të madh. Do të dëshiroja të isha shumë më shpesh pranë jush, por jam i detyruar të shkoj në shumë vende. E di gjithashtu se mosha e adoleshencës dhe e rinisë, është mosha më e rëndësishme e jetës, është mosha e kërkimit të kuptimit të jetës për një udhëtim krijues, për të gjithë përpjekjen që kemi këtu në tokë. Duam që të përparoni dhe të kultivoni të gjitha talentet që ju dha Perëndia. Në jetën tuaj të jeni të suksesshëm dhe të bekuar. Pa dyshim, periudha e studimeve është themelore për të ardhmen. Të vetmen gjë që ju kërkojmë, është të ndani me të tjerët ato që mësoni.

Pas pak vitesh ju do të jeni kuadro. Mos e mbyllni jetën brenda vetes suaj! Mos u merrni vetëm me veten tuaj apo me familjen tuaj. Kujdesuni që kudo që të ndodheni të jeni bekim për vendin, për Shqipërinë. Përpara së gjithash, në familjen që do të krijoni. Në familjen ku prindërit tuaj avash-avash humbasin fuqitë e tyre dhe do të kenë nevojë për dashuri dhe respekt. Vendi ka nevojë për shumë dashuri. Pra, merrni sa më shumë të mundeni nga studimet. Unë vazhdimisht i nxit të gjithë ata që janë pranë meje të përparojnë në studime. Qëllimi është i njëjtë: Të ndani me të tjerët atë që Perëndia ua dha.

Shqipëria është vend i padrejtësuar, që dallon nga shumë vende të tjera. Eshtë vendi i fundit në Ballkan që fitoi lirinë. Më pas erdhi stuhia e komunizmit dhe e ateizmit, që e izoloi, por duhet të rigjejë sërish atë vlerë të madhe që kishte. Vlerat në të cilat u mbështet në të gjithë shekujt, dhe këto vlera janë vlerat e krishterimit. Përpiquni ju që t’i jetoni këto.

Mos e humbisni shpresën tuaj, qoftë edhe në rast dështimi. Natyrisht që do të bini ndonjëherë në gabime, por kërkoni hirin e Perëndisë dhe ecni përpara.

Zhvilloni më tepër besimin tuaj!

Besimi ynë është oqean i pafund. Udhëtoni brenda tij, mësoni me shumë dhe kryesisht bëjeni dashurinë tuaj, vepër, jo ndjenjë.

Unë i përkas një brezi që në këtë moment është në fund të tij, në perëndim të tij. E filluam në moshēn tuaj me peripecitë e tmerrshme skllavëruese të pushtimit gjerman dhe brenda asaj errësire gjetëm Krishtin. E ndoqëm gjithë këto vite dhe kurrë nuk na zhgënjeu. Pra, përparoni edhe ju me këtë vendosmëri në jetën tuaj. Ne do të jemi prane jush. Çfarëdo nevoje të keni, të ndjeni se i përkisni familjes që quhet Kishë.

Mos jini thjesht spektatorë. Kjo është këshilla ime”.

Fjalë drejtuar të Rinjve!

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastasi