/Fjala e Presidentit të Fondacionit “LOGOS”, Prof. Dr. Anastasit, mbajtur gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të Kolegjit Universitar “LOGOS”

Fjala e Presidentit të Fondacionit “LOGOS”, Prof. Dr. Anastasit, mbajtur gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të Kolegjit Universitar “LOGOS”

Presidenti Fondacionit LOGOS, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, me dt. 11.02.2020, ju drejtua studentëve të Kolegjit Universitar LOGOS, të cilët ishin mbledhur në ceremoninë e diplomimit të tyre në Qendrën Kulturore në Katedralen Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë duke u adresuar një mesazh të rëndësishëm lidhur me të ardhmen e tyre si profesionistë por mbi të gjitha si njerëz me vlera.

U gëzova vërtet sepse sonte dëgjova të përsëritej shumë herë një fjalë. Mbase shumë që jetojnë kryesisht jashtë Shqipërisë thonë që e kanë lënë në harresë këtë fjalë por e vërteta qëndron ndryshe. Dëgjova shumë herë fjalën „Faleminderit”. Faleminderit pedagogë! Faleminderit prindër! Është një fuqi e fshehtë të themi „faleminderit” në jetën tonë. Kur thoni vazhdimisht „faleminderit” , ju çelen shumë dyer në jetën tuaj.

Do doja që nga përvoja ime të thosha disa gjëra. Falenderime të ngrohta të gjithë atyre që kontribuan në realizimin e kësaj vepre dhe bënë të mundur të jemi në këtë nivel. Nuk është diçka që vjen vetvetiu dhe këto falenderime i meritojnë të gjithë profesorët, të gjithë studentët dhe të të gjithë ata që kanë kontribuar

Një universitet nuk e bëjnë ndërtesat e bukura. E bëjnë njerëzit që kanë entuziazëm dhe ofrojnë çdo të mirë që kanë. Tani bijtë e mi të dashur, dua t’ju lutesha të keni kujdes këto gjëra: Mos u pajtoni me rënien morale! Shumë herë dëgjojmë që në Shqipëri nuk kemi një nivel të lartë vlerash. Flasim për korrupsionin dhe për shumë gjëra të tjera. Nuk do pajtohemi asnjëherë me diçka të tillë. Ju e dini që vijmë nga një iluzion i vjetër. Një iluzion që vjen nga ideologjia komuniste dhe hyjmë në një tjetër iluzion, në atë kapitalist. Ndërmjet këtyre dy iluzioneve ekziston një boshllëk i madh. Është një boshllëk i madh vlerash. Çfarë ka vlerë në jetë? -parashtrohet pyetja.

Shumë herë nga ndikimet që kemi nga televizioni krijohet një idhujtari e re! Idhulli i parë janë paratë. Idhulli i dytë seksi dhe idhulli i tretë pushteti, fuqia. Këto janë tre gjëra të rrezikshme që na çojnë në dekadencë. Keni dëgjuar shumë herë që jemi në një pikë të vështirë në lidhje me korrupsionin. Por, kjo është një fantazmë që nuk e dimë se nga na vjen. Ky fenomen ka rrënjët e tij! Rrënja e parë është lakmia. E dyta gënjeshtra dhe rrënja e tretë është egocentrizmi që i duam të gjitha për veten tonë. Nuk luftohet korrupsioni me aforizma të përgjithshme. Nevojitet që ti kundërvihen njerëz, të cilët nuk ndjekin tre gjërat që përmendëm më lart.

Më kujtohet një frazë e Dostojevskit nga „Vëllezërit Karamazov”. Thotë Starec Zosimai: „Mos u thoni të tjerëve gënjeshtra! Mos i thoni as vetes suaj” Sepse nëse e bëni zakon të thoni thoni gënjeshtra do të reshtni së vlerësuari të tjerët, do reshtni së vlerësuari dhe veten tuaj dhe nuk do të mundni dot të doni dhe për të mbushur boshllëqet e jetës suaj do ankoheni vazhdimisht. A është bukur të ankohet dikush? Pra, e përsëris edhe njëherë, nuk dua të pajtoheni me dekadencën.

Porosia e dytë që do doja të ruani gjithmonë në mendimin tuaj, tani që ju bijtë e mi hyni në një fazë të re të jetës suaj është të bëni rezistencë cilësore! Keni dëgjuar për rezistencën studentore që u bë dhe që çoi në rënien më të shpejtë të regjimit komunist. Tani secili nga ne në çdo vend që do të jetë, të bëjë rezistencë cilësore. Mjeku e di që të tjerët marrin zarfe dhe shpërblime të tjera në dorë etj. Juve mos bëni diçka të tillë! Rezistoni me vetëdije këtyre rrengjeve të jetës profesionale. Ndoshta disa nga ju keni dëgjuar të përsëris shpesh një frazë nga Dhiata e Vjetër dhe dua ta përsëris edhe njëherë. Shprehja thotë: „Bëj të drejtën dhe ji i vërtetë, këto i pëlqejnë më shumë Perëndisë sesa flijimet me gjak”. Do thoshim në gjuhën e sotme, që dikush të jetë i drejtë është më e rëndësishme se shfaqja e angazhimeve fetare. Drejtësia dhe e vërteta mos të mungojnë në jetën tuaj, sepse do të jeni me të vërtetë të varfër. Me të vërtetën dhe të drejtën do jeni gjithmonë të pasur, nga ana e brendshme, shpirtërore e kam fjalën. E gjithë shkenca që bëhet nga ana e punës në universitete kërkon gjithmonë të vërtetën. Do ishte qesharake që ne që kërkojmë të vërtetën shkencore të jemi të gënjeshtërt në jetën tonë.

Do ju them edhe diçka tjetër që ndoshta do ju habisë. Përsëri në përshkrimin se çfarë është urtësia, në një libër të vjetër që mendohet se e ka shkruar Solomoni përmenden katër gjëra. Do ju them dy të fundit: Drejtësi dhe burrëri. Kjo burrëri është zbehur disi. Ka njerëz shumë të mirë që janë të frikësuar, nuk reagojnë dhe qëndrojnë të vetmuar çka përbën një tragjedi në shoqërinë tonë. Nga ana tjetër ata që merren me krime bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, ndërsa të ndershmit veçohen dhe ngelen vetëm. Pra, më shumë burrëri, sepse në këtë shoqëri kemi nevojë për burrëri.

Dëgjoj shpesh politikanët që përdorin fjalë të shenjta kaq shpesh sa ngjajnë me rrobat që kur i veshim shpesh fillojnë prishen dhe humbasin vlerën. Demokraci, dashuri, shpresë, solidaritet, vetëm me fjalë ama! Që të ecë përpara shoqëria jonë, brenda familjes ku jemi, brenda universitetit, brenda Shqipërisë sonë të dashur sekreti është dashuria. Duhet t’ju them që kur linda, në vitet e mia të rinisë ishte një kohë shumë e vështirë e pushtimit gjerman të luftës së dytë botërore përgjatë viteve 1943-1944. Isha 14-15 vjeç. Atëherë në mjediset tona shoqërore, rinore kishim shumë miq që nga pikpamja politike u orientuan majtas. Të gjithë ishim dakord dhe donim lirinë dhe barazinë. Disa nga ne thamë po për lirinë dh barazinë por na mungon edhe diçka tjetër që është dashuria.

Do ju them edhe diçka tjetër. Në jetën time pata mundësinë të udhëtoja në të gjithë botën dhe sigurisht që nuk i lexova të gjithë librat e botës por, lexova tekste shumë të rëndësishme. Nëse më pyesni se çfarë do ju thosha si gjënë më të rëndësishme me 5 fjalë, do ju thosha se është një varg që na thotë se kush është realiteti absolut në jetë dhe ky varg thotë këtë: Perëndia është dashuri dhe ai që rri brenda dashurisë rri tek Perëndia dhe Perëndia rri tek ai gjithashtu. Besoj se në këtë frazë përmblidhet e gjithë përvoja e njerëzimit. Çështja është sa duam ta jetojmë këtë të vërtetë!

Dhe dua t’a përfundoj me një mendim që lexova nga jeta e Ajnshtajnit. Ai thotë, duke folur pikërisht në këtë drejtim të dashurisë: Në çdo zemër njerëzore diku në cep ekziston një gjenerator dashurie. Juve e dini se të gjithë lindëm nga një shprehje dashurie dhe brenda nesh ka një gjenerator dashurie që pret të vihet në punë. E dini që të punojë një gjenerator i duhet lëndë djegëse. Nëse më pyesni se cila është përvoja personale në lidhje me këtë do ju thosha se lënda djegëse e vetme që vë në lëvizje këtë gjenerator të dashurisë është besimi në Perëndi. Besimi tek Perëndia i dashurisë

Me gjithë zemër bijtë e mij, ju uroj një vazhdimësi të bekuar, me gëzim, me rrezatim, në rrugën tuaj personale por edhe për familjen tuaj, edhe për të vjetrën edhe për atë që do krijoni, për vendin tonë të dashur që ka nevojë për njerëz si ju, që nuk pajtohen me dekadencën, që gjithmonë bëjnë rezistencë cilësore.

Faleminderit me gjithë zemër!