/Fjala e plotë e Mitropolitit të Korçës, Hirësi Joani me rastin e 30-vjetorit të Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij Imzot Anastasi si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit edhe i Gjithë Shqipërisë

Fjala e plotë e Mitropolitit të Korçës, Hirësi Joani me rastin e 30-vjetorit të Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij Imzot Anastasi si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit edhe i Gjithë Shqipërisë

Fjala e plotë e Mitropolitit të Korçës, Hirësi Joani me rastin e 30-vjetorit të Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij Imzot Anastasi si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit edhe i Gjithë Shqipërisë

2 Gusht 2022

Katedralja “Ngjallja e Krishtit” Tiranë

Sot ne festojmë një ngjarje të madhe dhe shumë të rëndësishme për historinë e kishës sonë. 30 vjet më parë, në 2 Gusht të vitit 1992, Fortlumturia e tij, Imzot Anastasi, u fronëzua si Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke filluar kështu ringritjen Kanonike të Kishës Orthodhokse nga rrënojat.

Çdo përvjetor është një rast reflektimi dhe kujtese. Në kuptimin biblik dhe të krishterë kremtimi i përvjetorëve dhe i çdo jubileu nuk është thjesht një ngjarje, po një moment i veçantë kujtese, meditimi, gëzimi, mirënjohjeje dhe falënderimi, është një prani e hirit në histori dhe në jetën tonë. Së pari, Jubileu na fton të kujtojmë dhe të falënderojmë Perëndinë për gjithçka që ka bërë për ne, por na kujton gjithashtu, siç e themi vazhdimisht, se duhet të falënderojmë edhe njerëzit me anë të cilëve Perëndia  i ka bërë ato.

Në 30-vjetorin e kësaj ngjarje të madhe duhet të kthejmë kokën mbrapa dhe të kujtojmë gjendjen e kishës para tre dekadash. Kishat, manastiret, ndërtesat kishtare, si edhe e gjithë infrastruktura e Kishës ishte e shkatërruar dhe e rrënuar tërësisht. Hierarkia kishtare ishte asgjësuar. Kishin mbijetuar vetëm disa priftërinj në një moshë të thyer. Ringritja e saj nga themelet ishte një sipërmarrje shumë e madhe dhe e guximshme, e cila në fillimet e saj gati dukej e pamundur. Pak njerëz do të kishin pasur forcën dhe kurajën për të marrë përsipër një nismë të tillë.

Prandaj vepra madhështore e Kryepiskopit Anastas, në rindërtimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri është e jashtëzakonshme dhe e pashoqe. Nën drejtimin e tij, me fondet e siguruara po prej tij, janë ndërtuar nga themelet dhe janë restauruar e riparuar me qindra kisha. Janë ngritur, blerë dhe rikonstruktuar shumë ndërtesa, të cilat krijuan strukturën logjistike për funksionimin e jetës kishtare. Nën kujdesin e tij u ngrit Akademia Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, ku janë përgatitur dhe vazhdojnë të përgatiten klerikët dhe punonjës të tjerë.

Kryepeshkopi Anastas e ka parë njeriun në plotësinë e tij, si një qenie shumëdimensionale. Njerëzit kanë nevojë të ushqehen shpirtërisht, por kanë nevojë të ushqehen edhe intelektualisht edhe fizikisht, sepse këto janë të ndërlidhura dhe ndikojnë te njëra-tjetra. Prandaj, në veprën e tij për ringritjen e kishës, është përpjekur për t’i ndihmuar njerëzit në të gjithë dimensionet e tyre. Fuqizuar nga dashuria e tij për Perëndinë dhe për të gjithë njerëzit, pa dallim, pavarësisht nga origjina dhe bindjet e tyre dhe si një njeri vizionar, ai tregoi gjithashtu një kujdes të veçantë për veprimtarinë e gjerë sociale dhe humanitare të kishës.

Nën kujdesin personal të tij janë ngritur kopshte ditore, ku përparësi kanë fëmijët e familjeve në nevojë. Janë hapur shkolla nëntëvjeçare, të mesme dhe shkolla profesionale, të cilat kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për të gjithë vendin tonë. Gjithashtu, me iniciativën dhe përpjekjet e tij u ngrit edhe i pari Universitet Orthodhoks në Shqipëri – Kolegji Universitar “Logos”.

Për të ndihmuar në lehtësimin e ndihmës mjekësore, me përpjekje të mëdha dhe sfida të vështira, arriti të krijonte një rrjet klinikash mjekësore në tërë vendin, ku dallohet Qendra Diagnostike “Ungjillëzimi” në Tiranë, ku punojnë disa nga mjekët më të njohur të vendit dhe me aparatura mjekësore të teknologjisë së fundit.

Ka ideuar dhe ka gjetur fondet për realizimin e një numri të madh programesh sociale, ku përfshihen projekte zhvillimi për zonat malore, zhvillimin e bujqësisë, ndërtime rrugësh dhe ujësjellësish, programe për kujdesin e fëmijëve jetimë dhe personave të moshës së tretë, ka dhënë kontribute dhe ndihma të mëdha për institutet për persona me aftësi të kufizuar, azilet, për të burgosurit, dreka për të varfrit etj. E gjithë kjo vepër ka pasur një ndikim të madh në shoqërinë dhe ekonominë e vendit tonë, sepse duke u punësuar me mijëra njerëz, janë ndihmuar me mijëra familje. Dhe pa dyshim tërë kjo veprimtari ka ndihmuar në mënyrë të konsiderueshme edhe përpjekjen për zhvillim të Shqipërisë.

Ringritja nga gërmadhat e Kishës Orthodhokse në Shqipëri u realizua, jo thjesht vetëm në kufijtë e saj të mëparshëm, por në një dimension dhe në një nivel shumë më lartë dhe shumë më të gjerë. Dua të theksoj, gjithashtu, se gjithçka që është ndërtuar dhe realizuar në këto tre dekada, është bërë nga një përkushtim i rrallë ndaj Perëndisë dhe Kishës së Tij, si edhe nga një dashuri e madhe për njerëzit. Këtu kemi përmendur vetëm një pjesë të veprimtarisë së madhe të kishës në këto vite. Pa asnjë dyshim, arkitekti dhe realizuesi i gjithë kësaj veprimtarie ka qenë Kryepeshkopi Anastas. Për këtë i jemi përjetë mirënjohës këtij bariu të ndritur dhe të dashur.

Kryepeshkopi Anastas, përmes përpjekjeve dhe vështirësive të paimagjinueshme, bëri të mundur ndërtimin e infrastrukturën fizike Kishës. Kjo është pjesa e dukshme e kësaj vepre të madhe, por unë do të doja të theksoja përsëri edhe një pjesë tjetër, madje akoma më të rëndësishme dhe për të cilën mendoj se nuk është folur aq sa duhet. Prioriteti i tij kryesor kanë qenë përpjekjet për të përhapur një frymë të thellë të krishterë brenda kishës, ku të mbizotërojë besimi, shpresa dhe sidomos dashuria ndaj të gjithëve. Vepra ndërtuese në vizionin e tij është se ndërtesat nuk janë një qëllim në vetvete, por vetëm një mjet për të realizuar veprën shpëtimtare të kishës. Ato janë ndërtuar për njerëzit dhe në shërbim të tyre, sepse Kisha e vërtetë janë gurët e saj të gjallë, të gjithë njerëzit.

Predikimi i tij publik dhe privat ka qenë gjithmonë dashuria dhe respekti për çdo qenie njerëzore dhe e ka përhapur këtë frymë brenda Kishës dhe më gjerë. Sepse vetëm mbi këtë themel hyjnor, duke pasur respekt për çdo qenie njerëzore, mund të ndërtohet një marrëdhënie e drejtë ndërmjet njerëzve dhe vetëm nëpërmjet kësaj mund të ndërtohet një shoqëri me të vërtetë njerëzore. Ai është përpjekur me të gjitha energjitë e tij që kontributi më i madh i kishës në aspektin social të shoqërisë të jetë edukimi dhe formimi i  njerëzve të drejtë, të përgjegjshëm dhe të ndershëm, të përhap shpresë ku ka dëshpërim, kurajë ku ka frikë, dritë ku ka errësirë dhe dashuri dhe mirëkuptim kudo  ku ka konflikte. Të gjithë ne, që kemi qenë pranë tij gjatë këtyre viteve të ringjalljes së kishës në Shqipëri, jemi dëshmitarë të kësaj përpjekjeje të vazhdueshme të tij.

Do të doja të ndalesha përsëri në problemin e Autoqefalisë, meqenëse për atë është folur kaq shumë. Autoqefalia nuk realizohet vetëm me një dekret, por me ngritjen e një hierarkie kishtare, me përgatitjen e kuadrove të duhura për të drejtuar kishën, me pajisjen e saj me klerikë dhe teologë dhe mbi të gjitha me autoqefalin financiare. Kontributi i Kryepiskopin Anastas nuk ishte vetëm thjesht në rikonfirmimin e autoqefalisë, por në forcimin dhe konsolidimin e saj, duke ngritur hierarkinë kishtare, duke përgatitur klerikët dhe teologët dhe duke e bërë të mundur autoqefalinë financiare.  Për këtë duhet t’i jemi mirënjohës.

Kisha Orthodhokse, nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas, jo vetëm që ka vazhduar traditën e shkëlqyer të harmonisë dhe bashkekzistencës fetare, por është përpjekur gjithashtu ta forcojë dhe ta shtrijë akoma më shumë fushën e bashkëpunimit. Fjalët e tij se “vaji i fesë nuk duhet të përdoret nga asnjëra palë për të ndezur konfliktet, por për të shëruar plagët dhe për të qetësuar zemrat”, janë të njohura dhe janë bërë tashmë një lajtmotiv për të gjithë, kur flitet për rolin e fesë në këtë  botë plot me konflikte.

Ai është një nga udhëheqësit e shquar të Kishës Orthodokse. Kontributi i tij në takimet panorthodokse është tashmë shumë i njohur. Shumë nga deklaratat e takimeve të primatëve të Kishave Orthodokse janë hartuar nën drejtimin e tij. Me urtësinë, fuqinë argumentuese, duke respektuar mendimet e të tjerëve dhe duke e thënë gjithmonë “të vërtetën me dashuri”, ai ka arritur shpesh të sjellë në konsensus të pranueshëm, për shumë çështje të ndjeshme, mendimet e kundërta. Për këtë kontribut ai është i respektuar dhe vlerësuar nga të gjithë. Këto fjalë i thonë shumë nga pjesëmarrësit e këtyre takimeve dhe nga shumë klerikë dhe laikë në të gjithë botën.

Gjithashtu, Kryepeshkopi Anastas, me kontributin e tij e tij të jashtëzakonshëm në fuqizimin e dialogut ndërmjet popujve të ndryshëm, me librat dhe artikujt që i japin një mbështetje teologjike këtij dialogu, me përpjekjet e tij për respektimin e çdo qenie njerëzore dhe të dinjitetit dhe lirisë së çdo njeriu, është bërë një pikë referimi, jo vetëm në fushën e dialogut ndërfetar, por edhe në atë të mendimit njerëzor në përgjithësi. Nëpërmjet këtij kontributi të jashtëzakonshëm në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor, i njohur jo vetëm në rajonin tonë por në të gjithë botën, ai i ka dhënë prestigj ndërkombëtar Kishës dhe vendit tonë, duke na bërë ne të ndjehemi krenarë sa herë kemi marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare.

I gjithë shërbimi i tij në këto tre dekada, në veprën e madhe të Ringritjes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri, është vepra më e shquar e Kishës Orthodhokse në kohët moderne. Nëpërmjet shembullit të tij ai e ka forcuar tek të gjithë besimin e patundur tek Perëndia. Sa herë që është përballur me vështirësi dhe ngasje të ndryshme, kur çdo logjikë njerëzore do të sugjeronte që të dorëzohej, ai nuk është tërhequr, por me besim të madh tek Perëndia, i bindur se po bën punën e Tij, ai ka qëndruar i fortë si shkëmb, por me dashuri dhe dhembshuri, për ta mbrojtur Kishën dhe misionin e saj. Është bërë tashmë proverbial thënia e tij se “Perëndia nuk do të na braktisë”, duke përhapur kështu besim dhe shpresë në të gjithë besimtarët. Dhe ishte pikërisht ky besim i madh dhe dashuria e madhe e tij për Perëndinë dhe njerëzit, bashkuar me një talent të jashtëzakonshëm dhe me një hir të madh nga Perëndia, ato që bënë të mundur realizimin e kësaj vepre në këto dimensione.

Ai  ka bërë të pamundurën për t’i dhënë kishës këtu në Shqipëri më të bukurën dhe më të mirën. Ai dhuroi gjithçka që kishte, gjithë pasurinë e tij shpirtërore dhe intelektuale, diturinë dhe urtësinë, mendimin e pjekur dhe të kthjellët, përkujdesjen plot dashuri të një bariu shpirtëror, si edhe përkushtimin e një të krishteri të përgjegjshëm për të tashmen dhe të ardhmen e kishës sonë. Besnik ndaj fjalëve të Zotit, ai erdhi të shërbejë dhe jo të shërbehet. Në predikimet e tij publike dhe bisedat private ka theksuar vazhdimisht se duhet të jemi gjithmonë dhjakonë. Do të doja të përsëris diçka që e kam thënë edhe më parë, se unë nuk njoh ndonjë person tjetër, në këto kohë, t’i ketë dhënë këtij vendi më shumë dhe pa kërkuar asgjë dhe pa marrë asgjë. Për këtë mendoj se më e pakta që ne mund të bëjmë është t’i themi faleminderit.

Sot ndjehem i nderuar dhe i privilegjuar që më është dhënë mundësia të flas në këtë 30 -vjetor, në këtë ditë historike për Kishën tonë, për veprën e Kryepeshkopit Anastas, sepse duke nderuar veprën e këtij njeriu të madh ne nderojmë veten tonë, kishën tonë dhe vendin tonë. Do të doja të shpreh edhe një herë falënderimin tim të madh për këtë dhuratë që Perëndia ka bërë për ne dhe besoj se shpreh gjithashtu edhe falënderimin dhe mirënjohjen, jo vetëm të klerikëve dhe të komunitetit orthodhoks, por edhe më gjerë. Lutem që Perëndia t’i japë jetë të gjatë, shëndet, fuqi e urtësi, për të mirën e Kishës dhe për lavdinë e Perëndisë. Amin.