/FJALA E PËRMORTSHME E KRYEMINISTRIT TË GREQISË SHKËLQESISË SË TIJ, Z. KYRIAKOS MITSOTAKIS

FJALA E PËRMORTSHME E KRYEMINISTRIT TË GREQISË SHKËLQESISË SË TIJ, Z. KYRIAKOS MITSOTAKIS

“Guxojmë të shpresojmë.” Këto tri fjalë, mendoj, përmbledhin jetën dhe
veprën e hierarkut që po përcjellim sot. Sepse, pikërisht, guximi dhe shpresa
ishin dy busullat që gjithmonë udhëhiqnin Anastasin në rrugëtimin e tij të
mrekullueshëm. Një rrugëtim gjithnjë pranë njeriut dhe të drejtave të tij herë si
një misionar i përulur në Afrikën e fëmijëve të uritur, herë si një mbështetës i
heshtur i studentëve në Greqinë e diktaturës dhe, sigurisht, si një rigjallërues i
madh dhe një nismëtar i palodhur i Orthodhoksisë në Shqipëri.
Përulemi me nderim para madhështisë së këtij personaliteti të veçantë.
Sepse Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë ishte njëherazi një
intelektual i besimit dhe një shërbëtor i përulur i të afërmit të tij. Me fjalë të tjera,
një shembull i ndritur i urtësisë, por edhe i veprimit. Largimi i tij nga jeta lë pas
një boshllëk të pazëvendësueshëm. Jo vetëm në vendin ku shërbeu dhe në
diasporën tonë, por kudo ku rreh zemra e Helenizmit, për të cilin ai ishte, për
dekada me radhë, një dritë udhërrëfyese. Një dritë dashurie dhe sakrifice,
fisnikërie dhe thjeshtësie, bindjeje dhe efikasiteti. Një dritë e Orthodhoksisë dhe
e jetës së krishterë.
Shumica prej të pranishmëve e dinë mirë se çfarë arriti Anastasi që nga
çasti i parë kur mbërriti në Shqipëri, në vitin 1991. Në një vend të rrënuar nga
regjimi autoritar, me të krishterët të persekutuar dhe bashkëkombasit tanë të
lënë në harresë. Megjithatë, duke marrë forcë nga besimi i tij i thellë, ai hodhi
themelet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Krijoi mbi 400 enori,
ndërtoi qindra kisha dhe dorëzoi 145 klerikë të rinj. Njëkohësisht, hapi dhjetëra
institucione arsimore, shëndetësore dhe bamirëse. Një mrekulli e vërtetë mes
rrënojave!
“Gurët që na hedhin, ata që luftojnë kundër veprës sonë,” thoshte shpesh
me një buzëqeshje në fytyrë “ne i mbledhim dhe me to ndërtojmë kisha dhe
shkolla.” E thoshte dhe e nënkuptonte. Nuk është rastësi, pra, që sot e vajtojnë
si grekët, ashtu edhe shqiptarët, por edhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë
apo kombësisë. Kryepiskopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve
dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Prandaj, me plot të drejtë, mund
të quhet “diplomati i dashurisë.” Një mision që ai e përmbushi me maturi dhe
ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur.
Zonja dhe zotërinj, miq të dashur,
Jam një nga fatlumët që pata mundësinë ta njoh dhe të bashkëpunoj për
vite me radhë me hierarkun tonë. Dhe nuk e fsheh që e konsideroj këtë përvojë
jo vetëm një angazhim profesional, por edhe një pasuri personale. Sepse ai ishte,
siç e kishte quajtur im atë, “i shenjtë dhe i urtë.” Një njeri që të magjepste me
dijet e tij dhe një karakter që, pa e shprehur me fjalë, të ftonte me shembullin e
tij të bëheshe më i mirë. Pikërisht këtu përputheshin edhe rrugët tona: në
aftësinë për të kuptuar problemet e shumicës, veçanërisht të më të dobëtëve,
dhe në përkushtimin për të luftuar, pavarësisht vështirësive, që ato të gjenin
zgjidhje.
Për grekët dhe orthodhoksët në Shqipëri dhe kudo në botë, Anastasi ishte
burim krenarie. Ai ishte një shërbëtor i palodhur dhe i përulur, duke ofruar
shpresë dhe udhëzim shpirtëror për besimtarët orthodhoksë kudo në botë. Me
urtësinë e tij teologjike dhe përulësinë e tij, ai dëshmoi se Kisha Orthodhokse
mund të jetë një komunitet i gjallë dashurie dhe kujdesi shoqëror, që bashkon
popujt. Prandaj, sot të gjithë ndjejmë një trishtim të thellë, por edhe një ndjenjë
përgjegjësie për trashëgiminë e rëndë që ai na lë.
Si bari shpirtëror, ai ndërtoi kisha. Si udhëheqës, ai krijoi ura
bashkëpunimi mes popujve dhe feve. Ai tregoi se si mund të jesh njëkohësisht
një grek i vërtetë dhe një figurë universale.
U bëftë shembulli i tij një burim frymëzimi për brezat që do të vijnë dhe
vepra e tij gjettë pasues të denjë.
E përcjell me të njëjtat fjalë që ai vetë na la si amanet: “Guxojmë të
shpresojmë.”