/Fjala e Mitropolitit të Beratit, Vlorës, Kaninës, Z. Asti në Ditën e Fronëzimit të Tij, 21.11.2024

Fjala e Mitropolitit të Beratit, Vlorës, Kaninës, Z. Asti në Ditën e Fronëzimit të Tij, 21.11.2024

FJALA E MITROPOLITIT TE BERATIT, VLORES DHE KANINES, Z. ASTI NE DITEN E FRONEZIMIT TE TIJ NE KATEDRALEN E SHEN DHIMITRIT, Berat 21.11.2024 *video A. Dimroçi Fjala e Mitropolitit Asti në fronëzimin e tij, Berat, më 21 nëntor 2024 Fortlumturia juaj, Imzot Anastasi! Fort të nderuar hierarkë të Sinodit të Shenjtë, të nderuar anëtarë të Këshillit Kleriko- Laik, të nderuar klerikë, të nderuar klerikë të komuniteteve fetare, të nderuar përfaqësues të pushtetit lokal, të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin, miq e dashamirës që keni ardhur këtu! Brenda kësaj atmosfere të gëzueshme që përjetojmë sot të gjithë së bashku, dua të shpreh me pak rreshta mbushur plot dashuri, përkushtim dhe emocion, një mirënjohje dhe falënderim të thellë ndaj Perëndisë Triadik që më ka dhënë bekime të panumërta, dashuri për një shoqëri dashurie me Të dhe me njerëzit, vlerësime e ftesë të shërbej e të punoj në vreshtin e Tij, si meshtar, bashkëpunëtor, ungjillëzues, mësues e bari të Kishës së Tij. Të njëjtën mirënjohje shpreh edhe ndaj jush Fortlumturi dhe të gjithë të nderuarve vëllezër hierarkë të Sinodit të Shenjtë, që më thirrët përsëri në një hap tjetër të ri e të madh për të më besuar shërbimin baritor të Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, Vlorës, Kaninës dhe Lushnjës. Në një dioqezë me histori të gjatë dhe të pasur, që fillon nga shekujt e parë të Krishterimit në Shqipëri, fillimisht duke qenë pjesë përbërëse e Mitropolisë së Madhe dhe Kryepiskopatës së Durrësit në Mijëvjeçarin e Parë; dhe duke vazhduar në Mesjetë si një qendër e veçantë e rëndësishme e Krishterimit orthodhoks në vend e në Ballkan; dhe në vitet e Periudhës Osmane e deri më sot vazhdoi të luajë rol të rëndësishëm ndriçues, të kulturës, arsimit dhe identitetit orthodhoks të vendit. Kjo mitropoli shfaqet si një vend burim-frymëzimi, mbushur me monumente nga më të vjetrat mesjetare bizantine të shpëtuara në Shqipëri, si edhe me shenjtorë të njohur e të panjohur, të shfaqur dhe të pashfaqur ende, e që pritet të shfaqen. Sot, Fortlumturia juaj Imzot Anastasi, ju falënderojmë dhe gëzohemi në këtë mitropoli, për veprën kolosale e historike të ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ringritët gjithçka nga gërmadhat, ngritët të gjitha strukturat kishtare, por edhe po frymëzoni dhe mbështesni tërësinë orthodhokse dhe joorthodhokse me veprat e shumta bamirëse, sociale e kulturore, duke dhënë gjithashtu shembullin e udhëheqësit të shenjtë fetar, vizionar, ekumenik, me dashuri pa dallim race, kombi e feje. Shpreh falënderime e lutje përshpirtjeje drejtuar atit e vëllait tonë të gjithmonëkujtue-shëm, që u ngjit drejt përjetësisë së Zotit e Perëndisë tonë, Hirësi Ignatit, i cili punoi pareshtur që nga viti 1998 “në vreshtin e mbjellë prej së djathtës të të Lartit”, punoi si bari e mësues, si vëlla edhe si atë, me gëzim e dhimbje, duke e zhvilluar më tej veprën shenjtëruese, liturgjike, katekizuese, humane e shoqërore, mbushur me dashuri e përkushtim. Vëllezër e motra në Krishtin! Do të përpiqem me gjithë shpirtin tim dhe fuqinë time e do të mundohem të ofroj gjithçka që kam dhe gjithçka që kam mësuar, në: Rritjen dhe thellimin në Krishtin, Miqësinë, Shërbimin dhe Dëshminë; objektiva të cilat u na u dhanë qysh herët në fillim nga Kryepiskopi Anastas dhe u bënë busull për jetën tonë më Krishtin. Të gjitha këto e shumë të tjera janë vulosur në ndërgjegjen time për të jetuar më thellë dashurinë e Perëndisë. Le të jetë dashuria dhe përkushtimi im një përgjigje ndaj himnit “Si do t’ia shpërblejmë Zotit të mirat që na ka bërë?”. Duke ju falënderuar të gjithëve përzemërsisht për praninë tuaj këtu, veçanërisht: bashkëmeshtarët dhe vëllezërit e motrat në Krishtin të dioqezës së Kryepiskopatës dhe Zëvendësive të saj, si dhe familjen time dhe të afërmit e mi, kërkoj lutjet dhe dashurinë tuaj, që Perëndia të më ndriçojë, të më fuqizojë e të më denjësojë në vazhdim në dashurinë e Tij si edhe në këtë përgjegjësi baritimi. Amin!