Fjala e Kryepiskopit Anastas në fund të Liturgjisë Hyjnore – E Diela e 17 e Mateut (Gruaja Kananease) Nga historia që na paraqiti Ungjilli i sotëm me gruan Kananease, midis të gjitha gjërave të tjera që bien në sy, veçanërisht vëmë re heshtjen pak të zgjatur të Jisuit. Një heshtje e cila duket pak e çuditshme kur përballet me dhimbjen e një njeriu tjetër. Një heshtje aq e zgjatur saqë i detyroi nxënësit e Tij që të ndërhynë dhe t’i drejtohen duke thënë:”Nuk e dëgjon atë gruan që thërret pas nesh? Sado që të na duket pak e çuditshme kjo heshtje dhe pak e tepruar, ka një vërtetë të madhe që fshihet pas saj. Kjo heshtje e Jisuit është si një sond që tenton të hyjë sa më thellë që të nxjerrë besën e personit që ka përballë. Dhe realisht ne vëmë re më tej që një besë e madhe lulëzon nga thellësia e zemrës së asaj grua. Dhe vet Zoti mrekullohet edhe i thotë: “E madhe është besa jote. Le të bëhet ajo që ti kërkon”. Edhe u bë. Vajza e saj u shërua menjëherë. Mund të thoja se edhe sot përballemi me një heshtje të tillë përballë gjithë këtyre lutjeve që bëhen në mënyrë që të tejkalojmë këtë situatë të vështirë në të cilën ndodhemi për shkak të Covid-19. Por ndoshta ne po vonohemi së tepërmi që të shprehim atë besimin e madh që kemi tek Perëndia dhe duhet më tepër të fuqizojmë lutjen tonë në mënyrë që thirrja jonë, britma jonë të bëhet e pranueshme. Rreth nesh ka shumë dhimbje që e shohim dhe nuk e shohim dhe Kisha e të gjithë njerëzve besimtarë duhet që të përgjigjet. Ka dhe diçka tjetër të çuditshme që vihet re në Ungjillin e sotëm. Ajo grua, nga thellësia e zemrës të së cilës, lulëzoi kjo besë kaq e madhe nuk ishte pjesëtare e shoqërisë judaike dhe këtë e thekson edhe Zoti në mënyrën e Tij atke ku do të provokojë besën e saj. Por në fund nga këto zemra nga të cilat ne nuk e presim, lulëzon besa më e nxehtë. Dhe ne në shoqërinë tonë e dimë dhe kemi njerëz që nuk i përkasin dhe ndodhen jashtë shoqërisë së Krishterë. Ne përballemi me këta njerëz me shumë respekt sepse nuk e dimë në mënyrën e tyre dhe në zemrën e tyre si përballen ata dhe çfarë lidhje kanë ata me Zotin. Le të lutemi që Perëndia të na bëjë të denjë që me këtë besë e cila na shfaqet papritur të përballemi me dashuri, me respekt dhe me mirëpritje kundrejt saj. Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë 14 Shkurt 2021