/FESTA E JETËNDËRRIMIT TË SHËN JOAN THEOLOGUT DHE FESTIMI I EMRIT TË MITROPOLITIT TË KORÇËS IMZOT JOANIT

FESTA E JETËNDËRRIMIT TË SHËN JOAN THEOLOGUT DHE FESTIMI I EMRIT TË MITROPOLITIT TË KORÇËS IMZOT JOANIT

FESTA E JETËNDËRRIMIT TË SHËN JOAN THEOLOGUT
DHE FESTIMI I EMRIT
TË MITROPOLITIT TË KORÇËS IMZOT JOANIT

U kremtua me madhështi dhe devocion në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, Jetëndërrimi i Shën Joan Ungjillorit.

Kjo ditë, përkon dhe me emrin e Mitropolitit të Korçës Imzot Joanit. Mesha e Hyjnore u celebrua dhe u drejtua nga Hirësia e Tij Imzot Joani me pjesëmarrjen e një numri të madh klerikësh dhe besimtarësh.

Në përfundim të Liturgjisë, u pritën vizita në ambjentet e kishës katedrale, ku personalitete të ndryshme të qytetit, si edhe grupe të rinjsh, i përcollën Hiresisë së Tij urimet e tyre të përzemërta.

MITROPOLIA E SHENJTË E KORÇËS

SI PJESË E RINGRITJES SË KISHËS ORTHODHOKSE NË SHQIPËRI (KOASH)

Pas një përndjekje të gjatë dhe nga më të egrat, të cilat ndodhën në Lindjen Komuniste, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, sot përjeton një ringritje tërësore të saj. Mund të flasim për një mrekulli në kohët moderne, sikundër është cilësuar nga të gjithë. Zoti, u tregua bujar me ne dhe me Kishën, duke na bërë dëshmitarë të NGJALLJES. Përsa ngjallja është një realitet shpirtëror i botës së krishterë, KOASH mund të quhet vërtetimi i saj në kohën e sotme. Perëndia na bëri të denjë të dhuratës së madhe dhe të panxënë dhe i dërgoi Kishës sonë, ndoshta të vetmin njeri, që mund të realizonte këtë mrekulli hyjnore. Me mirënjohje falenderojmë paprere Shpëtimtarin tonë Jisu Krisht, që në krye të KOASH-it vlerësoi të vinte Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas, i cili si vegël e zgjedhur në dorën e Perëndisë u bë hirprurësi dhe arkitekti i kësaj mrekullie hyjnore.

Pjesë e bashkangjitur dhe bashkëpërjetuese e kësaj ringritje historike nga hiri shkatrimtar i së shkuarës është edhe Mitropolia e Shenjtë dhe e Perëndishpëtuar e Korçës, e cila edhe ajo pas rrënimit vdekjeprurës së errësirës filloi rëktimat e para të gjëllimit pas vdekjes.

Sot, në Mitropolinë e Korçës shërbejnë 32 klerikë vendas, të cilët kanë kryer arsimin e nevojshëm teologjik që i kanë shërbyer dhe i shërbejnë me përkushtim dhe dashuri popullit të Perëndisë në gjithë këto vite të vështira. Gjithashtu shërbejnë edhe 7 katekistë, të cilët kanë grupe me fëmijë dhe të rinj në të gjithë dioqezën.

Për më shumë se 20 vjet funksionon kopshti i Kishës Frymë Dashurie, nga më të mirët dhe të preferuarit në qytetin e Korçës, gjithashtu një kopësht i tillë funksionon edhe në qytetin e Pogradecit. Këto çerdhe dashurie, ngrohtësie dhe përkushtimi iu mësojnë fëmijëve që në hapat e tyre të parë dashurinë për Perëndinë edhe për njerëzit. Po në vazhdën e përkujdesjes për arsimin, në Korçë prej disa vitesh funksionon Gjimnazi Platon, institucion arsimor i KOASH-it. Ky kolegj sot renditet në gjimnazet më të mira të Korçës dhe konkretisht rankohet i dyti në listë, ku studiojnë rreth 90 nxënës, një klasë e tretë, një klasë e dytë dhe dy klasa të para. Përveç formimit intelektual dhe dijeve arsimore prioritet i këtij kolegji është përgatitja e qytetarëve të ndershëm dhe të denjë, duke përfaqësuar vlerat më të mira humane dhe shpirtërore.

Institucionet e ushtrimit të kultit, sot janë prezente në çdo fshat, me dhjetra e dhjetra kisha të ndërtuara nga themelet dhe dhjetra e dhjetra të tjera të rikonstruktuara dhe të rindërtuara.

Në aspektin filantropik Mitropolia e Korçës vazhdon traditën e saj të vyer, duke shpërndarë ndihma dhe dhurata të ndryshme për familjet në nevojë. Mensa Shërbesa e Dashurisë, e cila funksionon prej 21 vitesh, sot ofron drekë 5 herë në javë me një kapacitet prej 80 deri 100 racione ushqimore në ditë, për njerëzit e braktisur dhe ata në nevoja ekonomike. Kriteri bazë i saj është që të shikojë tek çdo njeri një bir të Perëndisë, të krijuar prej Tij dhe sipas imazhit të Tij, duke ofruar jo vetëm ushqim, por edhe dashuri dhe dinjitet njerëzor. Iniciativë e cila mbështetet në ndjenjat humane dhe kontributet që besimtarët e Korçës ofrojnë për këtë mensë, si solidaritet për të mbajtur barën e njëri-tjetrit. Për tu theksuar është fakti, që gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, kjo mensë mbahet vetë me konrtibute, të cilat sigurohen vetëm nga burime të brendëshme të besimtarëve Krishtdashës të Korçës dhe Mitropolisë së Shenjtë.

Gjithashtu Klinika Diagnostikuese Ungjillëzimi, e cila edhe kjo për mbi 20 vjet kontribuon në shërbimin shëndetsor të qytetarëve, me shërbime diagnostikimi, laboratore dhe një farmaci, e cila barnat që ka në dispozicion i jep falas për njerëzit padallim, kjo falë ndihmës dhe përkushtimit të njerëzve dashamirës, të cilët kanë besim tek Kisha Orthodhokse, duke ofruar medikamente të ndryshme mjekësore si dhuratë.

Në qytetin e Korçës, funksionojnë shtatë kisha çdo ditë të javës për t’i shërbyer grigjës së Krishtit, shumica e të cilave të ndërtuara nga themelet, të cilat sot janë të përfunduara dhe të plotësuara edhe me ikona murale dhe gjithçka tjetër. Projekti i fundit që zhvillohet në këtë Mitropoli është rikthimi në identitet i katedrales historike të Burimit Jetëdhënës (Mitropolisë). Ky realitet mrekullon çdo vizitor vendas dhe të huaj që vjen në Korçë, e cila tashmë është shndërruar në një destinacion pelegrinazhi dhe atraksioni spiritual. Pashka, Krishtlindja, Uji i Bekuar, Fjetja e Hyjlindëses (Shën Maria) dhe mjaft festa të tjera sot kanë marrë karakter mbarë popullor, duke e bërë Korçën qytetin e festave orthodhokse. Kjo falë ringritjes dhe lulëzimit të KOASH-it në përgjithësi, si edhe të Mitropolisë së Shenjtë të Korçës në veçanti.

Për të gjitha këto falenderojmë Perëndinë, por edhe njerëzit me anë të së cilëve Perëndia veproi, dhurues dhe donatorë të njohur dhe të panjohur, vendas dhe të huaj. Një meritë e padiskutueshme për zhvillimet në Mitropolinë e Korçës i takon Hirësisë së Tij Imzot Joanit, i cili me vizionin e tij, punën dhe përkujdesjen e tij atërore, bariton këtë Mitropoli prej 21 vitesh, duke e lartësuar emrin e saj dhe duke i dhënë dinjitet gjithë Komunitetit Orthodhoks, i cili e do dhe e respekton aq shumë.