/Fatmir (Foti) Cici – Pjesa e tretë – Me autor: Gjiksana, Marrë nga: Forumi Shqiptar

Fatmir (Foti) Cici – Pjesa e tretë – Me autor: Gjiksana, Marrë nga: Forumi Shqiptar

I diplomuari në Universitetin më të madh të Greqisë, që nuk mësoi kurrë greqisht!
Diploma e Miri Cicit që mori në Fakultetin Teologjik të Athinës nuk është e pavlefshme vetëm ngaqë diploma e shkollës së mesme e Shqipërisë nuk lejonte të studionte në një profil të tillë, as ngaqë provimet i kaloi me metoda mafioze, si ato që kam përshkruar më lart. Jo! Eshtë e pavlefshme edhe për faktin se Miri Cici nuk arriti të mësonte kurrë gjuhën që përdorej në këtë fakultet, d.m.th. greqishten. Eshtë edhe kjo njëra nga arsyet, që shpjegon se përse doli prej andej po kaq dhogë sa ç’hyri.

Jam i sigurt se mund të ketë ndonjë lexues të kësaj teme, i cili mund të dëshmojë se e ka parë me sytë e veta Miri Cicin duke blerë ndonjë sandviç apo ndonjë pite nëpër byrektoret e Athinës pa ndihmën e ndonjë përkthyesi. Nuk kam ndërmend të përgënjeshtroj një fakt të tillë. Përkundrazi, dëshiroj ta konfirmoj e ta përforcoj akoma më shumë, por jo kaq shumë sa të shtrembëroj një të vërtetë të pamohueshme, e cila është shumë kokëfortë dhe vazhdon të ngulë këmbë se Miri Cici, sa herë që u përball me vështirësitë e greqishtes së vërtetë, niveli më i ulët i së cilës ishte pak më i lartë se ai që përdorej nëpër byrektore, vuri bishtin në shalë. Përmenda në postimin e mësipërm se iu shmang kurseve në Konicë, ku mund të mësonte mjaft gjëra. Iu shmang jo se nuk donte të mësonte, por se intelekti i tij nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej as kërkesës më elementare për pranimin në Universitet, siç është njohja e gjuhës së mësimdhënies, e cila do ta lejonte në vazhdim të kalonte në përvetësimin e dijeve universitare. Regjistrimi i tij në Fakultetin Teologjik të Athinës u bë pa kaluar në asnjë prej procedurave ligjore, të cilat parashikonin në çdo rast certifikimin e gjuhës greke për shtetasit e huaj të të dy kategorive, d.m.th. për ata me origjinë greke dhe jogreke. Miri Cici u paraqit në fakultet si vorioepirot, me emrin Fotios Tsitsis dhe u pranua aty pa asnjë provim për shkak të vakumit ligjor që asokohe ekzistonte për rastet e shtetasve shqiptarë me origjinë greke, që kishin ardhur në Greqi si refugjatë dhe që kërkonin të studionin në universitetet e saj.

Përsëri, në këtë rast, dikush mund të thotë se, edhe duke mos e njohur fillimisht greqishten, Miri Cici mund ta mësonte atë vitin e parë të studimeve, ndoshta pa shumë sukses në provime, por vitin e dytë e në vazhdim mund të studionte normalisht, pa ndonjë vështirësi tjetër. Dikush tjetër mund të thotë se një student, cilido qoftë ai, që studion në një universitet të huaj, nuk është e thënë që të mësojë shkëlqyeshëm gjuhën e studimeve. Të dyja këto argumente mund të qëndrojnë në shumë raste, por jo në rastin në fjalë, për arsyet që do shtjelloj më poshtë.

Nëse Miri Cici do të studionte p.sh. për fizikë, gjuha greke do të ishte thjesht mjeti për të arritur qëllimin, d.m.th. të thellonte dijet në këtë shkencë. Nëse do të studionte për matematikë, do të mund të shprehej për bukuri me gjuhën e formulave de ekuacioneve, pa qenë nevoja të përdorte ndonjë art të veçantë gjuhësor. Në këto raste, askush nuk të vlerëson sa mirë e njeh gjuhën e leksioneve, por sa mirë ke përvetësuar dijet e shkencave në fjalë. Mirëpo edhe pse në shkenca, si këto të mësipërmet qëllimi dhe mjeti janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, ka shkenca të tjera, ku këta përputhen plotësisht mes tyre. P.sh., nuk mund të studiosh në Greqi për filologji greke (gjuhësi) dhe të mos dish shumë mirë greqisht, sepse objekti i dijes është edhe mjeti, d.m.th. vetë gjuha greke. Në një masë shumë të madhe, e njëjta gjë vlen edhe për teologjinë. Madje, për kohën që Miri Cici ishte student, kjo gjë vlente akoma më shumë.

Siç kam shkruar në postime të mësipërme, fakultetet teologjike universitare janë qendra kërkimore shkencore dhe jo shkolla fetare. Në Greqi p.sh., ka mjaft teologë, që nuk besojnë, madje mund të jenë edhe ateistë apo majtistë ekstremë. P.sh., një vit para se të shkonte Miri në fakultet, një student i ekstremit të majtë kishte djegur ikonën e Krishtit në një nga amfiteatrot dhe ishte në ndjekje të lirë nga drejtësia greke për fyerje të simboleve shtetërore (sepse ikona e Krishtit, sipas Kushtetutës, ndodhej në të gjitha institucionet shtetërore). Si qendër kërkimore shkencore, fakulteti teologjik i kushtonte rëndësi të madhe kriticizmit tekstual, në fokusin e të cilit ishin tekstet biblike në origjinal, d.m.th. në greqishten e vjetër (Origjinal konsiderohet edhe Dhiata e Vjetër, e cila u përkthye në greqishten e vjetër nga hebrenjtë e Aleksandrisë në shek. e 3-të para Krishtit).

Kriticizmi tekstual kërkonte njohuri serioze, për të mos thënë të thella, të greqishtes së vjetër, sidomos të koinesë, greqishtes që u lëvrua gjatë periudhës helenistike (që fillon me pushtimet e Aleksandrit të Madh) dhe që u bë gjuha e të gjithë botës së njohur të atëhershme. Por nuk mjaftonte vetëm kaq. Koineja nuk ishte një gjuhë e prerë njësoj për të gjithë, por një gjuhë që i përgjigjej nivelit arsimor të çdo autori në veçanti. P.sh., në Dhiatën e Re, tjetër është gjuha e Markut dhe Mattheut, tjetër gjuha e Lukait, i cili ishte grek, tjetër gjuha e Joanit, tjetër gjuha e Pjetrit, Jakovit dhe Judës dhe tjetër gjuha e Pavlit, i cili ishte shkolluar në Tarso të Cilicisë së Azisë së Vogël, shkolla filologjike dhe filozofike e të cilës mund të krahasohej me atë të Athinës dhe Aleksandrisë së Egjiptit.

Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, njohuritë në greqishten e vjetër bëheshin akoma më të vështira kur kalohej tek tekstet e Etërve dhe autorëve të hershëm të krishterimit. Deri në shek, e 3-të pas Krishtit, si Etërit e Lindjes, ashtu edhe ata të Perëndimit, shkruanin në greqishten e vjetër, por jo në atë që quajmë “koine”, por në një version tjetër të saj, e cila i përafrohej asaj arkaike, që kishin përdorur edhe filozofët e mëdhenj të antikitetit. Ç’mund të bënte Miri i shkretë përpara këtyre sfidave të tmerrshme gjuhësore? Logjika e thjeshtë thotë se një njeri, që nuk di as gjuhën e tij, nuk mund të mësojë një gjuhë tjetër, aq më tepër greqisht dhe shumë më tepër greqishten që i kërkohej në Degën e Teologjisë të Fakultetit Teologjik. Këtë bëri edhe Miri. Nuk mësoi absolutisht asgjë, pavarësisht se gjeti mënyrën të merrte një diplomë që nuk e meritonte në asnjë mënyrë, dhe pikërisht për këtë shkak, nuk i hyri asnjëherë në punë.

Do të ishte gjysma e të keqes për Miri Cicin nëse problemet me vështirësitë në gjuhën greke do të mbaronin këtu. Madje do të thosha se më shumë se gjysma e të keqes ishin tekstet universitare, të cilat në Greqi jepen gjithmonë falas. Kur hapi të parin prej tyre, fërkoi sytë. Kujtoi se ishte në ëndërr. Nuk po kuptonte asnjë fjalë nga ato që lexonte. Le që as t’i lexonte nuk ishte në gjendje. Kujtoi se ia kishin fajin syzet. Më pas, shokët i shpjeguan se gjuha e teksteve quhej “katharevusa” dhe se shumica dërmuese e librave që do të përdorte në provime do të ishin në këtë gjuhë. Mirit sa nuk i ra të fikët. E kuptoi se, siç dukeshin bathët, nuk do të ishte në gjendje të kalonte asnjë provim, sepse, sado që të lexonte, nuk kishte asnjë shans të kuptonte ndonjë fjali nga një literaturë më voluminoze edhe se Mali i Nivicë-Bubarit, në shpatin e të cilit u rrit e “u burrërua”.

Varianti i greqishtes, që quhet katharevusa, dhe që pothuajse të gjitha librat e teologjisë për periudhën 1991-1995 ishin në këtë gjuhë, ishte gjuha zyrtare e shtetit grek deri në vitin 1976, kur ministri i atëhershëm i Arsimit, Georgios Ralis (i Qeverisë së Demokracisë së Re) e suprimoi, duke e zëvendësuar me të ashtuquajturën “dimotiki” (greqishtja popullore). Në fakt, kjo ishte më shumë një kërkesë e elektoratit të majtë grek, i cili ka qenë dhe vazhdon të mbetet tradicionalisht kundër kulturës së vjetër në përgjithësi, kundër arsimit klasik, por sidomos kundër greqishtes së vjetër dhe pasueses së saj, katharevusës, për shkaqe që nuk kam kohë t’i përmend, përveç njërit prej tyre. Arsimi klasik, me qendër greqishten e vjetër dhe katharevusën, kërkon punë, mund dhe traditë familjare, traditë të cilën e ndiqnin kryesisht familjet aristokrate dhe ato të kamura. Majtistët në Greqi (përfshirë këtu edhe një pjesë të madhe të elektoratit të dikurshëm të PASOK-ut) kanë qenë dhe mbeten dembelë, zabrahanë, drogaxhinj dhe imoralë, vese të cilat nuk u kanë lënë kurrë kohë të merren me shkollimin e vërtetë.

Vendimi i ministrit Rali për suprimimin e katharevusës shkaktoi mjaft reagime në qarqet intelektuale, sidomos të atyre që u përkisnin shkencave sociale, dhe jo më kot. Veprat e tyre monumentale, të cilat ishin në shumë raste edhe tekste universitare, ishin shkruar në katharevusa dhe për ta ishte e papranueshme që t’i përkthenin në greqishten popullore. Madje ishte sakrilegj, sepse gjuha me të cilën ata shprehnin idetë e tyre ishte gjuha ideale. Pa të, vepra e tyre nuk do të varfërohej vetëm në formë, por edhe në përmbajtje. Në vitet e pastajme u vu re një lloj rezistence ndaj vendimit për suprimimin e katharevusës, e cila konsistonte në këmbënguljen e të gjithë atyre profesorëve të universiteteve të Greqisë për të mos hequr nga qarkullimi veprat e tyre nga përdorimi si tekste universitare. Dy nga fakultetet që rezistuan më shumë ishin Fakulteti i Teologjisë dhe ai i Fiilozofisë të Universitetit Kapodistrik të Athinës. Periudha 1991-1995, gjatë së cilës Miri Cici duhej të diplomohej, ishte periudha e fundit e kësaj rezistence. Në vazhdim, tekstet që deri atë kohë ishin në katharevusa, u përkthyen të gjitha në gjuhën popullore prej vetë autorëve të tyre.

Edhe pse nuk kam dëshirë të zgjatem shumë, në këtë pikë jam i detyruar të shpjegoj disa gjëra mbi versionin e gjuhës greke, që u quajt katharevusa. Rrënja e kësaj fjale vjen nga mbiemri “katharos” (i pastër) dhe i referohet lëvizjes gjuhësore, e cila në fund të shek. të 18-të propozoi pastrimin e greqishtes nga fjalët e huaja (kryesisht turqizmat) që kishin depërtuar në të gjatë Pushtimit Turk, si dhe luftimin e vulgarizimit të saj, që daton nga periudha e fundit e Perandorisë Bizantine. Trungu i saj do të mbetej greqishtja e vjetër (arkaike). Në shekujt 19-të dhe 20-të kjo gjuhë u lëvrua gjerësisht, duke qenë në të njëjtën kohë edhe gjuha zyrtare e shtetit. Kam përshtypjen se duhet të jetë ndikuar padyshim nga lëvizja gjuhësore e gjysmës së parë të shek. të 18-të në Itali, që u quajt “purizëm” (rrënja e saj është përsëri mbiemri “i pastër”), e cila synonte edhe kjo nga pastrimi i italishtes nga huazimet (kryesisht nga frëngjishtja), rreziku i të cilave u quajt shkombëtarizim. Pika e referimit për një italishte të pastër u konsiderua gjuha e Dantes, Bokaçios dhe Petrarkës të shek. të 14-të, që italianët e quajnë “Trecento”.

Në një artikull që kam lexuar dikur në një gazetë shqiptare, autori i tij e quante katharevusën “gjuhë artificiale”, që e kanë shpikur dijetarët dhe e përdorin vetëm ata. Sigurisht që nuk është gjuhë artificiale, siç është p.sh. esperanto. Është një gjuhë që bazohet mbi greqishten e vjetër, por e kombinuar deri në një farë mase me thjeshtësinë e gjuhës popullore. Elementë artificialë ka çdo gjuhë, edhe shqipja. Zëvendësimi i një fjalë të huaj me një tjetër, që nuk ekziston, por që krijohet për këtë qëllim, është ndërhyrje artificiale. Gjithsesi, baza e morfologjisë së katharevusës ishte pak a shumë ajo e greqishtes së vjetër. Sintaksa po ashtu. Fjalori po ashtu. Nuk bëhet fjalë për gjuhë artificiale, edhe pse e gjithë kjo krijonte një hendek të madh mes kësaj gjuhe dhe asaj popullore. E para nuk mund të përvetësohej pa shkollim, e dyta mësohej edhe në rrugë. Eshtë kjo arsyeja që katharevusa konsiderohet edhe sot si gjuha e dijetarëve.

Vetë katharevusa nuk është një gjuhë me kufij të përcaktuar qartë. Ka shumë lloje të saj, të cilat sa më shumë thjeshtohen, aq më shumë i ngjasojnë gjuhës popullore. Për mendimin tim, katharevusa e vërtetë mbaron atje ku mbaron edhe përdorimi i dhanores. Duket si e pabesueshme, por greqishtja e sotme (popullore) nuk ka dhanore. Kuptimi i saj përftohet duke përdorur parafjalën “në” + kallëzore, ose duke përdorur gjinoren, nyja e së cilës konceptohet në të njëjtën kohë edhe si trajtë e shkurtër e dhanores. Mungesa e dhanores në greqishten e sotme është edhe dëshmia më e fortë e dekantimit të saj. Ndryshimi mes një varianti të katharevusës me përdorim të gjerë të dhanores me të një varianti pa dhanore, është njësoj si ai që ndan ditën me natën. Ndryshimi tjetër është sintaksa. Ndryshe nga varianti i dytë, në një tekst të variantit të parë, mund të gjesh një fjali kaq të gjatë, saqë mund të arrijë edhe një faqe e gjysmë, ndoshta edhe më shumë. Fillon p.sh. me një mbiemër, dhe në fund të saj është emri që cilësohet nga ky mbiemër. Mes tyre mund të ketë një mori të tërë fjalish të ndërvarura, të cilat krijojnë një labirint të vërtetë mendimesh e konceptesh, të cilat nuk mund të kuptohen pa njohuri të thella sintaksore të kësaj gjuhe. Shumica e teksteve të Fakultetit të Teologjisë ishin në këtë gjuhë të vështirë, ndërsa burimet historike që shoqëronin çdo lëndë, ishin padyshim në versionin më të vështirë të saj.

Përpara këtyre vështirësive nuk u gjend vetëm Miri Cici. Qindra studentë nga e gjithë bota pranoheshin çdo vit edhe për studiuar filologji greke, edhe teologji, dy degë këto që kërkonin njohje të thellë të greqishtes. Boshllëqet e tyre i mbulonin duke studiuar e jo duke u endur si leckamanë rrugëve të qyteteve të Greqisë. P.sh. Universiteti Kapodistrik zhvillonte kurse të veçanta falas në një ndërtesë neoklasike, pronë e tij, e cila ndodhet në pikën ku bashkohet Bulevardi Panepistimiu me Rrugën Sokratus, pranë Akademisë, në zemër të Athinës. Filologët më të mirë të tij ofronin mësime intensive për të gjithë ata, që kishin nevojë të mësonin greqishten e vjetër. Nuk ekzistonte tjetër rrugë, veç studimit të thellë, për të mbushur boshllëqe të tilla. Por ja që Miri Cici nuk u qas në kurrë në këto ambiente, prandaj dhe nuk mësoi kurrë greqisht. Nuk kishte as aftësitë dhe kurajën të përballej me situata të tilla. Mbeti i mbyllur në gjirizin e tij të padijes, me shpresën se marifetet e tij anadollake mund t’i përdorte si kundërpeshë për të marrë diplomën e ëndërruar.

Për të qenë i sinqertë, unë e pranoj se, në këtë pikë, Miri Cici nuk u gabua. Sipas llogarive të tij, të cilat u duk se i kishte bërë mirë, arriti të diplomohej. Atë që nuk llogariti mirë Miri Cici është fakti se një diplomë e pamerituar nuk të hyn kurrë në punë në asnjë vend të botës (përveç Shqipërisë). Mbetet thjesht një leckë, një zhele. Dihet se dy janë rreckat në jetën e Miri Cicit: diploma e teologjisë dhe rasoja që pretendon se e mban të veshur, të dyja pa asnjë vlerë. Edhe sikur të mbulohet kokë e këmbë me to, ato nuk e bëjnë asgjë më shumë se një dordolec, nga ata që nuk ia kanë frikën as pulat. Përkundrazi, shkojnë dhe e ndotin në majë të kokës.

Me autor: Gjiksana – Forumi Shqiptar