/Fatmir (Foti) Cici – Pjesa e parë – Me autor: Gjiksana, Marrë nga: Forumi Shqiptar

Fatmir (Foti) Cici – Pjesa e parë – Me autor: Gjiksana, Marrë nga: Forumi Shqiptar

 Shpirtligësia dhe smira kombinacioni që hap dyert e ferrit!

Përpara se të vazhdoj me ato që kam ndërmend të shkruaj në postimin e sotëm për Miri Cicin, dua të theksoj edhe një herë se analfabetizmi, padituria dhe injoranca nuk janë mëkate. Nuk janë as probleme mendore. Mund të luftohen pjesërisht, ose edhe plotësisht (deri atje ku mbaron kufiri i aftësive njerëzore), por edhe në rast se nuk ekzistojnë mundësitë, nuk bëhet hataja. Gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë nuk ishin të shkolluar, por kishin një urtësi dhe mençuri popullore, që kompensonte mungesën e dijeve shkollore dhe u jepte atyre mundësinë që të përballonin me sukses sfidat e kohës. Sipas doktrinave të të gjitha feve të botës, monoteiste apo politeiste, sipas të gjitha sistemeve filozofike antropocentrike të të gjitha kohëve, premisë për këtë “urtësi popullore” mbetet pastrimi i shpirtit nga mëkatet, kryesisht nga ligësia, pika kulmore e së cilës mbetet binomi zili + smirë. Eshtë pikërisht ky i fundit, për të cilën unë akuzoj Miri Cicin, e cili është strumbullari i qenies së tij të pavlerë, ndërsa përpjekjet e tij për t’u hequr i ditur e i shkolluar, janë leckat që përpiqen ta mbulojnë atë, edhe pse pa sukses. Në postimin 62 të kësaj teme (paragrafi 2) kam shkruar pikërisht këto fjalë, të cilat përshkruajnë me saktësi dhe objektivitet absolut këtë që po them edhe tani:

…Kokëtrashësia nuk është zgjedhje, por identitet. Kokëtrashësia është e lindur, jo e kultivuar. Kokëtrashësia është pengesa më e madhe në rrugën e dijes, sepse nuk e lejon vullnetin e lirë të fuqizojë trurin dhe të gdhendë mendjen. Kokëtrashësia është pjesë e subkoshiencës, të cilën ndërgjegjja nuk arrin as ta lexojë, aq më tepër ta kontrollojë e ta nënshtrojë. Në këtë pikë dua të them diçka pozitive dhe ngushëlluese për Fatmir Fotaq Cicin, madje me sinqeritetin më të madh. Dëshmoj me dorën në Ungjill se ky njeri ka bërë përpjekje kolosale për të kaluar provimet, kudo ku ka qenë. Për një provim fare të thjeshtë mund të lexonte edhe pesëmbëdhjetë orë në ditë për një muaj të tërë, në kohën që shokët e tij mjaftoheshin në një studim prej pak orësh dy dytë para të njëjtit provim. Pra, unë nuk e akuzoj Fatmir Fotaq Cicin se është kokëtrashë me dashje, as se nuk ka bërë përpjekje për t’u çliruar prej saj. Përkundrazi, e mirëkuptoj dhe i shpreh solidaritetin tim për gjendjen në të cilën ndodhet. Unë e kam akuzuar dhe vazhdoj ta akuzoj vetëm për fëlliqësirat, që rrjedhin prej shpirtit të tij, për të cilat nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël për t’u çliruar. Përkundrazi, i ka përdorur si kundërpeshë, për të balancuar kokëtrashësinë e tij legjendare kundrejt të gjithë atyre, që kanë ecur në jetë me aftësitë e tyre, pa shkelur mbi kufomat e të tjerëve.

Përpjekjet e Miri Cicit për t’u shfaqur përpara opinionit shqiptar si mendimtar i madh, si teolog i shquar dhe albanolog me famë, më kujtojnë një poezi të Andon Zako Çajupit (Bretkosa që do të trashet sa një ka), i cili e ka shkruar posaçërisht për njerëz si Miri Cici, sepse cicmicër si ky ka pasur kurdoherë në shoqërinë njerëzore, edhe pse jo me kaq bollëk sa në shoqërinë shqiptare.

Bretkosa sa një ve,
pa një ka sa një deve
dhe nakari nuk’ e la,
desh të trashet sa një ka.
Kur vu këtë gjë ndër mënd,
vate u shtri ndë një vënd
duke ngrën e duke pirë,
që të fryhet sa më mirë.
— Shihni, shihni, sa u rrita, —
thërrit e thoshte përdita.
— Mos u mburr’ e mos u mbaj, –
i thoshnë shoqet e saj.
— Shihni, nukë jam sa demi?
— Jo! — Shikoni. — Jo, të themi.
— Pa shikoni këtë bark
si të kaut. — Jo, je lark! —
Bretkosa, nga marasi,
u fry, u fry gjersa plasi.
Shumë njerëz ndë këtë botë
thonë se janë të zotë;
si bretkosa mendohen
mburren e lëvdohen.

Le të vazhdojmë tani me aftësitë intelektuale të Miri Cicit dhe me testimin e tyre në bankëprovë (siç thonë mekanikët), d.m.th. në jetë, në praktikë, pa ekzagjerimin më të vogël. Dy postime më lart përshkrova mënyrën se si Miri Cici u përball me tre provime të caktuara në Fakultetin Teologjik të Athinës. Nuk përmenda shumë të tjera, në të cilat gishti tregues i mjaft profesorëve i tregonte portën këtij analfabeti, por edhe nuk jam në gjendje të përmend raste të tjera, për të cilat nuk kam dijeni, por që mund të jenë shumë më skandaloze se këto që unë kam përshkruar. Unë nuk kam pasur ndonjë kamerë të fshehtë që të përgjoja Miri Cicin, as kohë të tepërt që të merresha ekskluzivisht me pisllëqet e tij. Koha ime është shumë e shtrenjtë për ta shpenzuar sipas mënyrës së tij dhe unë nuk kam preferuar ta disponoj në një mënyrë tjetër, diametralisht të kundërt. Kur jam marrë me të (siç po bëj tani), e kam bërë jo për hobi, as se nuk kam punë tjetër, por për të mbrojtur Kishën dhe besimin tonë nga sharlatanë e renegatë si ky dhe nga frymëzuesit e tij.

Bankëprova e parë për intelektin e Miri Cicit ishte Konica, atje ku kishte mbërritur nga Kampi i Refugjatëve të Kallpaqit, ku strehoheshin vetëm ata që, në hotpost-in e Filatit, deklaroheshin vorioepirotë, d.m.th. me origjinë etnike greke. Siç është thënë e stërthënë, Miri kishte takuar në Kallpaq një grup vullnetarësh të Kryqit të Kuq Grek, njëri prej të cilëve quhej Siklimiris, tregtar i njohur mobilesh në Janinë dhe anëtar i PASIVA (Shoqata Panhelenike e Vorio Epirit), të cilit i tha se sapo kishte dalë nga burgu, ku e kishin mbyllur komunistët për shkak se kishte shprehur dëshirën për të studiuar për teologji. Që të mos zgjatem, Miri kujtonte se, sapo të mbërrinte në Konicë, do të vinte një helikopter, që do ta merrte me nderime të mëdha e do ta zbriste në oborrin e Fakultetit Teologjik të Athinës, ku stafi akademik do ta priste me lule, pankarta e brohoritje. Në fakt, gjërat nuk ishin aspak ashtu, për shumë arsye. Në radhë të parë, dy fakultetet teologjike të Greqisë (Athinë dhe Selanik) nuk ishin institucione kishtare, por institucione universitare shtetërore, pa asnjë lidhje institucionale me Kishën e Greqisë. E dyta, legjislacioni i atëhershëm nuk parashikonte pranimin e studentëve me origjinë greke nga Shqipëria në universitetet greke me procedura të ndryshme nga atë të grekëve nga shtetet e tjera perëndimore, të cilat presupozonin provime mjaft të vështira pranimi, pothuajse njësoj si për grekët e Greqisë. D.m.th., që të pranohej Miri për studime teologjike duhej të jepte: 1) ese në gjuhën greke, 2) historinë e tre viteve të shkollave të mesme greke, 3) latinisht, 4) gjuhën e vjetër greke.

Provimet e mësipërme konsideroheshin bomba edhe për studentët më të shkëlqyer të Greqisë, sepse ishin pikërisht ato që hapnin dyert për në shkollat më të kërkuara, si juridik, diplomaci etj. Përpara një perspektive të tillë, e cila për rastet konkrete ishte edhe e padrejtë, sepse grekët që vinin nga shtete të tjera perëndimore, kishin ndjekur në vendet e tyre shkolla me program shkollor të njëjtë me ato të Greqisë, e vetmja rrugë ishte përvetësimi brenda një kohe prej shtatë muajsh i këtij programi voluminoz. Një grup filologesh nga Shkolla e Mesme Shtetërore e Konicës vendosën të ofronin ndihmën e tyre për të interesuarit, ndër të cilët edhe Miri Cici. Objektivi ishte mjaft i vështirë, por jo më i vështirë se jeta në regjimin komunist. Nëse e shikoje në këtë prizëm, edhe mund të arrihej. Por edhe sikur të mos arrihej, ia vlente barra qiranë për shumë arsye.

Kurset për përgatitjen e të interesuarve ishin mjaft intensive. Ditën e katërt, Miri Cici e humbi durimin. Duke mos qenë në gjendje të absorbonte as konceptet më elementare të atyre që thuheshin, u çua në këmbë duke bërë një deklaratë pompoze: Nuk mund të vazhdoj më! Nuk kuptoj asgjë! Nëse regjistrimi im për teologji kalon nga këto provime, jap dorëheqjen time që tani. Nëse mund të më ndihmoni të regjistrohem pa provime, më njoftoni të vij. Në Korfuz do jem.

Dhe kështu ndodhi me të vërtetë. Miri e kishte rregulluar pjesën me një prift pensionist nga Korfuzi, i cili i pagoi biletën dhe e mbajti në shtëpinë e tij për shumë kohë (më pas ky prift e akuzoi Mirin se i kishte vjedhur rrobat e meshës). U kthye përsëri në Konicë kur u njoftua se mund të regjistrohej pa provime, por gjithsesi, “fama” e tij si intelektual i shquar ishte bërë copë e thërrime. Të gjithë e kishin kuptuar tashmë se me kë kishin të bënin e sa i vlente lëkura kësaj bretkose, që i dukej vetja i madh sa një ka.

Ato përpjekje, përpara të cilave Miri Cici mbushi poturet nga frika dhe paaftësia, i bëri, ndër të tjerë, edhe një djalë nga një fshat i minoritetit, pranë Gjirokastrës. Donte të studionte për mjekësi. Pasi mbaronte kurset, hidhte një tavolinë në kurriz dhe shkonte në një vend të qetë, në kishëzën e Shën Varvarës, ku lexonte deri sa errej. Kishte shumë vullnet, por edhe shumë mangësi. Si përfundim, u paraqit në provime, por pa arritur t’i kalonte. Pas shumë përpjekjesh, diku në mesin e dhjetorit të vitit 1991, u bë gati të kthehej në fshat. Fati e solli që atë ditë i ndodhi diçka e jashtëzakonshme, shumë e mirë. Pak ditë më pas, në janar të vitit të ri, u pranua në Fakultetin e Mjekësisë në Janinë. Për fat të keq, vite më pas, pati një fund shumë tragjik, që pa dyshimin më të vogël, nuk e meritonte. Gjithsesi, aq sa jetoi, i rritur në një familje të shkelur me këmbë nga regjimi komunist e të vuajtur si rrallëkush, jetoi me dinjitet, duke luftuar, ndryshe nga zvarraniku Fatmir Cici.

Në shkrimin e radhës do të bëj fjalë për mënyrën se si Miri Cici u prezantua në Konviktin “Megas Vasilios” në Athinë dhe si u largua prej andej me bisht në shalë.

 

Autor: Gjiksana – Forumi Shqiptar