/E SHTUNË, 27 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E SHTUNË, 27 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES (15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – 2 Korinthianëve 8:1-5.

Edhe ju bëjmë të ditur, o vëllezër, hirin që u është dhënë nga Perëndia kishave të Maqedonisë; se, ndonëse ishin në provë të madhe shtrëngimi, tepria e gëzimit të tyre dhe varfëria e tyre e thellë gëluan në pasurinë e bujarisë së tyre.

Edhe dëshmoj këtë, se sipas fuqisë së tyre dhe përmbi fuqinë e tyre dhanë duke dashur vetë. Me shumë përgjërim na u lutën neve të pranojmë dhuratën dhe pjesën e tyre të shërbesës që është për shenjtët. Edhe nuk dhanë vetëm sa shpresonim, po ia dhanë më përpara veten e tyre Zotit, pastaj neve me vullnetin e Perëndisë.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 10:19-21.

Ja tek po ju jap juve pushtet që të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë, dhe mbi gjithë fuqinë e armikut; dhe asgjë s’do t’ju dëmtojë ju. Po mos u gëzoni për këtë, se ju nënshtrohen juve frymët; por gëzohuni se emrat tuaj u shkruan në qiejt.

Edhe në atë orë Jisui u gëzua në shpirt, edhe tha: Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i dheut, se i fshehe këto nga të diturit e nga të mençurit dhe ua zbulove fëmijëve. Po, o Atë, se kështu u pëlqye prej teje.