/E SHTUNË, 25 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E SHTUNË, 25 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – 1 Korinthianëve 4:1-5

Kështu le të na llogarisë çdo njeri, si shërbëtorë të Krishtit, edhe si kujdestarë të mistereve të Perëndisë. Dhe tjetra që kërkohet nga kujdestarët është që të gjendet gjithësecili besnik. Sa për mua është fort pak e rëndësishme të gjykohem prej jush apo prej gjyqi njerëzor; por as vetveten nuk e gjykoj.

Sepse ndërgjegja ime nuk më qorton për asgjë; por as me këtë nuk drejtësohem; po Zoti është ai që më gjykon. Prandaj mos gjykoni asgjë përpara kohës, deri sa të vijë Zoti, i cili edhe do të ndriçojë të fshehtat e errësirës dhe do të shfaqë dëshirat e zemrave; edhe atëherë gjithësecilit lëvdimi do t’i bëhet nga Perëndia.

* * * *

Ungjilli – Llukai 4:31-36

Edhe zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë; e ishte duke i mësuar ata të shtunave. Edhe mahniteshin për mësimin e tij; sepse fjala e atij ishte me pushtet.

Edhe në sinagogë ishte një njeri që kishte frymë demoni të ndyrë, edhe bërtiti me zë të madh, duke thënë: Ah! Ç’ka mes nesh teje, Jisu Nazaretasi? Erdhe të na humbasësh?

Të njoh cili je, Shenjti i Perëndisë. Po Jisui e qortoi, duke thënë: Pusho, dhe dil prej tij. Edhe demoni si e hodhi në mes, doli prej tij, pa e dëmtuar fare. Edhe të gjithë u shtangën, dhe flisnin njëri me tjetrin, duke thënë: Ç’është kjo fjalë, që me pushtet e me fuqi urdhëron frymët e ndyra, dhe dalin?