/E SHTUNË, 23 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E SHTUNË, 23 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – Galatianëve 1:11-19

Po ju bëj të ditur, vëllezër, se ungjilli që u predikua prej meje nuk është sipas njeriut; sepse as unë s’e mora prej njeriu, as nuk u mësova prej njeriu, po nëpërmjet zbulesës së Jisu Krishtit.

Sepse keni dëgjuar për sjelljen time të mëparshme në Judaizëm, se fort tepër përndiqja kishën e Perëndisë për ta shkatërruar atë. Dhe përparoja në Judaizëm më tepër se shumë bashkëmoshatarë në kombin tim, sepse isha më tepër i zellshëm për traditat e etërve të mi.

Po kur i pëlqeu Perëndisë, i cili më ndau që nga barku i nënës dhe më thirri me anë të hirit të tij, që të zbulojë Birin e tij tek unë, që ta ungjillëzoj atë ndër kombet, përnjëherë nuk u këshillova me mish e me gjak, as nuk u ngjita në Jerusalem tek ata që qenë apostuj para meje, por shkova në Arabi, dhe përsëri u ktheva në Damask.

Pastaj, pas tre vjetësh u ngjita në Jerusalem, për të takuar Pjetrin; dhe qëndrova pranë tij pesëmbëdhjetë ditë.

Edhe tjetër nga apostujt nuk pashë, veçse Jakovin, vëllain e Zotit.

* * * * *

UNGJILLI – Mateu 13:54-58

Edhe si erdhi në dhe të tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kaq sa ata çuditeshin e thoshin: Nga e ka ky këtë urtësi dhe këto fuqi? A nuk është ky i biri i marangozit? E ëma e tij a nuk quhet Mariam, dhe të vëllezërit e tij Jakov dhe Josi dhe Simon dhe Juda? Edhe të motrat e tij a nuk janë të gjitha ndër ne? Nga i ka ky pra këto të gjitha? Edhe skandalizoheshin me të. Por Jisui u tha atyre: Një profet nuk është i panderuar, përveçse në atdheun e tij e në shtëpinë e tij. Edhe nuk bëri atje shumë çudira për shkak të pabesisë së tyre.