/E SHTUNË, 2 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E SHTUNË, 2 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – 1 Timotheut 1:12-17.

Edhe falënderoj Krishtin Jisu, Zotin tonë, që më dha fuqi, se më numëroi për besnik e më vuri në shërbim mua, që më përpara isha blasfemues, e përndjekës e sharës; por u përdëlleva, sepse pa ditur i bëra në pabesi. Dhe hiri i Zotit tonë teproi mbi mua me besim e me dashuri që është në Krishtin Jisu.

E besueshme është fjala edhe e denjë për t’u pranuar, se Krishti Jisu erdhi në botë që të shpëtojë mëkatarët, prej të cilëve i pari jam unë. Po prandaj u përdëlleva, që të tregojë Jisu Krishti më përpara tek unë gjithë zemërgjerësinë, si shembull në ata që kanë për t’i besuar atij për jetë të përjetshme. Edhe mbretit të jetëve, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi që është i ditur, i qoftë nder edhe lavdi në jetë të jetëve. Amin.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 5:17-26.

Edhe një ditë, ndërsa ai ishte duke i mësuar, rrinin Farisenj e mësues ligji, të cilët kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë e i Judesë e i Jerusalemit; edhe fuqia e Zotit ishte për t’i shëruar ata. Edhe ja, disa njerëz sillnin mbi shtrat një njeri, i cili ishte i paralizuar; edhe kërkonin ta sillnin brenda e ta vinin përpara atij. Edhe pasi s’gjetën nga ç’anë ta sillnin brenda nga turma, hipën mbi çati, edhe e zbritën nga tjegullat bashkë me shtratin në mes, përpara Jisuit. Edhe kur pa besimin e tyre, i tha atij: O njeri, të janë ndjerë mëkatet e tua.

Edhe shkruesit e Farisenjtë zunë të mendoheshin, duke thënë: Cili është ky që flet blasfemira? Kush mund të ndjejë mëkate, përveçse vetëm Perëndia? Po Jisui, si kuptoi mendimet e tyre, u përgjigj e u tha atyre: Ç’mendoni në zemrat tuaja? Ç’është më lehtë të them: Të janë ndjerë mëkatet e tua, apo të them: Ngrihu dhe ec? Po që të dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi dhe të ndjejë mëkate, i tha të paralizuarit: Ty të them, çohu, edhe ngri shtratin tënd dhe shko në shtëpinë tënde.

Edhe menjëherë ai u çua përpara tyre dhe ngriti shtratin, mbi të cilin dergjej, edhe shkoi në shtëpinë e tij, duke lavdëruar Perëndinë. Edhe një mahnitje i pushtoi të gjithë, edhe lavdëronin Perëndinë; edhe u mbushën me frikë, duke thënë se sot pamë gjëra të çuditshme.