/E SHTUNË, 16 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E SHTUNË, 16 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – 1 Korinthianëve 14:20-25

O vëllezër, mos u bëni fëmijë nga mendja; po bëhuni foshnjë për të keqen, edhe të përsosur nga mendja. Sepse në ligj është shkruar: “Se me të tjera gjuhë, e me të tjera buzë do t’i flas këtij populli; po as kështu nuk do të më dëgjojnë”, thotë Zoti. Prandaj gjuhët janë shenjë jo për ata që besojnë, po për jobesimtarët; edhe profecia jo për ata që nuk besojnë, po për ata që besojnë.

Në u mbledhtë pra gjithë kisha në një vend, edhe të gjithë të flasin gjuhë të panjohura, e të hyjnë njerëz të paditur ose jobesimtarë, a nuk do të thonë se jeni të shkalluar? Po në profetizofshin të gjithë dhe të hyjë një jobesimtar ose i paditur, ky qortohet prej të gjithëve, e gjykohet prej të gjithëve. Edhe kështu të fshehtat e zemrës së tij shfaqen; edhe kështu do të bjerë me faqe përmbys, e do t’i falet Perëndisë, duke predikuar se Perëndia me të vërtetë qenka ndërmjet jush.

* * * *

UNGJILLI- Mateu 27:33-54

Edhe kur erdhën në një vend që quhet Golgota, që do të thotë Vendi i Kafkës, i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, si e provoi, nuk deshi të pinte.

Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short. Edhe duke ndenjur e ruanin atë atje. Edhe vunë të shkruar sipër kokës së tij shkakun e dënimit të tij: Ky është Jisui mbreti i Judenjve.

Atëherë kryqëzohen bashkë me të dy kusarë, një në anë të djathtë, edhe një në anë të majtë.

Dhe kalimtarët, e shanin atë duke tundur kryet e tyre, e duke thënë: Ti që prish tempullin, edhe për tri ditë e ndërton, shpëto veten tënde. Në je i Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi. Kështu edhe kryepriftërinjtë bashkë me shkruesit e pleqtë duke e përqeshur atë thoshin: Të tjerë shpëtoi, veten e tij nuk mund ta shpëtojë. Në është mbret i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe do t’i besojmë. Kishte besim në Perëndinë; le ta shpëtojë tani, në qoftë se e do; sepse tha se jam bir Perëndie. Gjithashtu edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të, e përqeshnin.

Edhe që nga ora e gjashtë u bë një errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë.

Edhe rreth orës së nëntë Jisui thirri me zë të madh, duke thënë: “Eli, Eli lama sabakthani”, që do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?”

Edhe disa nga ata që ishin atje, kur dëgjuan, thanë se ky po thërret Ilian. Edhe menjëherë vrapoi një nga ata, edhe mori një sfungjer, edhe e mbushi me uthull, edhe e vuri mbi një kallam, e i jepte të pijë . Edhe të tjerët thoshin: Le të shohim, në qoftë se vjen Ilia ta shpëtojë.

Edhe Jisui si thirri përsëri me zë të madh, dha shpirtin.

Edhe ja kurtina e tempullit tek u ça më dysh prej së larti deri poshtë; edhe toka u tund; edhe gurët plasën; edhe varret u hapën, edhe shumë trupa shenjtorësh që kishin fjetur u ngjallën, edhe dolën nga varret pas ngjalljes së tij, e hynë në qytetin e shenjtë, edhe iu shfaqën shumë vetëve.

Edhe kryeqindëshi dhe ata që ishin bashkë me të duke ruajtur Jisuin, kur panë tërmetin dhe ato që ndodhën, u frikësuan fort, e thoshin: Me të vërtetë ky paska qenë bir Perëndie.