/E SHTUNË, 13 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E SHTUNË, 13 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – Hebrenjve 7:26-8:2.

Sepse i tillë kryeprift na duhej, i shenjtë, i pafajshëm, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i bërë më i lartë se qiejt; i cili nuk ka përditë nevojë, si ata kryepriftërinjtë, të blatojë therorë më përpara për mëkatet e tij, dhe pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e përgjithmonë, kur pruri theror veten e tij. Sepse ligji vë kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi; po fjala e betimit që u bë pas ligjit vuri Birin, i cili është i përsosur për gjithë jetën.

Edhe përmbledhja e atyre që themi është kjo: Kemi një kryeprift të tillë, i cili ndenji në të djathtë të fronit të madhërisë në qiejt, edhe një shërbyes i shenjtërores dhe i tendës së vërtetë, të cilën e ngriti Zoti, e jo njeri.

* * * * *

UNGJILLI – Joani 10:9-16.

Unë jam dera. Në hyftë ndonjë me anën time, do të shpëtojë, edhe do të hyjë, edhe do të dalë, edhe do të gjejë kullotë. Vjedhësi nuk vjen, veçse për të vjedhur e për të therur e për të prishur. Unë erdha që të kenë jetë, edhe ta kenë me të tepërt.

Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë vë jetën e tij për dhentë. Po ai që është rrogëtar, edhe që s’është bari, i cili nuk i ka dhentë të tijat, sheh ujkun duke ardhur, edhe lë dhentë e ikën, edhe ujku i rrëmben ato, edhe shpërndan dhentë. Edhe rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar, edhe s’do t’ia dijë për dhentë.

Unë jam bariu i mirë, edhe njoh të miat, edhe njihem prej të miave. Siç më njeh Ati, edhe unë e njoh Atin; edhe vë jetën time për dhentë. Kam edhe të tjera dhen, të cilat s’janë prej këtij oborri; duhet t’i mbledh edhe ato; edhe do të dëgjojnë zërin tim; edhe do të bëhet një tufë, një bari.