/E PREMTE, 19 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E PREMTE, 19 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

15 NËNTOR – 25 DHJETOR –

APOSTULLI – Kolosianëve 4:10-18.

Ju përshëndet Aristarku, shoku im i burgut, edhe Marku, i nipi i Barnabës, për të cilin morët porosi; në ardhtë tek ju, mirëpriteni; edhe Jisui i quajtur Just, të cilët janë nga rrethprerja. Vetëm këta janë bashkëpunëtorë të mi në mbretërinë e Perëndisë, të cilët u bënë tek unë ngushëllim.

Ju përshëndet Epafrai që është prej jush, shërbëtor i Krishtit, i cili përpiqet për ju gjithnjë në lutje, që të qëndroni të përsosur dhe të plotësuar në çdo dëshirë të Perëndisë. Sepse unë dëshmoj për atë, se ka shumë zell për ju edhe për ata që janë në Laodiki, edhe për ata që janë në Hierapol.

Ju përshëndet Llukai, mjeku i dashur, edhe Dhimai. Përshëndetni vëllezërit që janë në Laodiki, edhe Nimfain dhe kishën që është në shtëpinë e tij. Edhe si të lexohet letra tek ju, bëni që të lexohet edhe në kishën e Laodikeasve, që të lexoni edhe ju atë që do t’ju dërgohet nga Laodikia. Edhe thuajini Arkipit: Ki kujdes në shërbesën që more në Zotin, që ta përmbushësh atë.

Përshëndetja u shkrua me dorën time, të Pavlit. Kujtoni vargonjtë e mi. Hiri qoftë bashkë me ju. Amin.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 16:15-18, 17:1-4.

Edhe u tha atyre: Ju jeni ata që nxirrni veten tuaj të drejtë përpara njerëzve, po Perëndia i njeh zemrat tuaja; sepse ajo që është e lartë për njerëzit, neveri është përpara Perëndisë. Ligji dhe profetët kanë qenë deri te Joani; që nga atëherë jepet lajmi i mirë për mbretërinë e Perëndisë, dhe gjithësecili përpiqet të hyjë në të.

Edhe më lehtë është që qielli e dheu të shkojnë, se të bjerë një pikë nga ligji. Kushdo që lë gruan e tij dhe martohet me tjetër, shkel kurorën; edhe kushdo që martohet me grua të lënë prej burrit, shkel kurorën.

Edhe u thoshte nxënësve të tij: Eshtë e pamundur të mos vijnë skandalet; po mjerë ai, me anë të të cilit vijnë. Më mirë është për atë t’i varet një gur mulliri rreth qafës së tij dhe të hidhet në det, se të skandalizojë një nga këta të vegjlit. Vini re veten tuaj.

Edhe në të bëftë mëkat yt vëlla, qortoje; edhe në u pendoftë, falja. Edhe në bëftë mëkat shtatë herë në ditë, edhe të kthehet shtatë herë në ditë tek ti e të thotë: Pendohem, t’ia falësh.