/E PREMTE, 17 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E PREMTE, 17 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

DITË KRESHME

APOSTULLI – 2 Korinthianëve 11:5-21.

Por pandeh se në asnjë punë s’kam mbetur prapa edhe nga apostujt më të shquar. Edhe ndonëse jam njeri i pastëvitur në fjalë, po jo nga dituria, të cilën jua shfaqëm në gjithçka.

Apo bëra faj, duke ulur veten time, që të lartësoheni ju, sepse falas ju predikova juve ungjillin e Perëndisë? Kisha të tjera i ropa, duke marrë ato që nevojiten për t’ju shërbyer juve. Edhe kur isha tek ju e pata mungesa, s’iu bëra barrë asnjërit; sepse atë që më mungonte e plotësuan vëllezërit që erdhën nga Maqedonia; edhe në çdo punë u ruajta, edhe do të ruhem, që të mos ju bëhem barrë juve. E vërteta e Krishtit është tek unë, se nuk do të më mbyllet goja për këtë mburrje në vendet e Akaisë. Përse? Sepse s’ju dua ju? Perëndia e di.

Po atë që bëj dhe do ta bëj, që t’u pres shkakun atyre që duan shkak, që për atë punë që mburren të gjenden si edhe ne. Sepse njerëz të tillë janë apostuj të rremë, punëtorë mashtrues, të shndërruar në formë në apostuj të Krishtit. Edhe s’është për t’u çuditur; sepse vetë Satanai ndërron formën në engjëll drite. S’është pra punë e madhe, nëse edhe shërbëtorët e tij ndërrojnë formën në shërbëtorë drejtësie, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre.

Përsëri them: Askush le të mos më pandehë se jam i marrë; në mos, të paktën pritmëni si të marrë, që të mburrem edhe unë pakëz. Atë që flas me këtë siguri për t’u mburrur, nuk e flas sipas Zotit, po si në marrëzi e sipër. Meqenëse shumë veta mburren sipas mishit, do të mburrem edhe unë. Sepse duke qenë ju të urtë, me ëmbëlsi duroni të marrët. Sepse duroni, nëse dikush ju robëron, nëse ju gllabëron dikush, nëse ju grabit dikush, nëse dikush krenohet, nëse ju qëllon dikush në fytyrë. Për turp e them këtë, sikur ne të ishim të dobët; po në çdo gjë që guxon ndonjë, në marrëzi po e them, guxoj edhe unë.

* * * *

UNGJILLI – Marku 4:1-9.

Edhe përsëri zuri të mësonte buzë detit; edhe u mblodh pranë tij turmë e madhe, aq sa ai hyri në lundër dhe rrinte në det. Edhe tërë turma ishte në tokën pranë detit dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra me paravoli, edhe u thoshte atyre në mësimin e tij: Dëgjoni. Ja tek doli mbjellësi të mbjellë.

Edhe në mbjellje, një pjesë e farës ra në rrugë, edhe erdhën zogjtë dhe e hëngrën.

Edhe tjetra ra mbi gurishte, ku s’kishte dhe shumë, edhe menjëherë mbiu, sepse s’kishte dhe të thellë, po kur lindi dielli, u dogj, edhe meqenëse s’kishte rrënjë, u tha.

Edhe një pjesë tjetër ra në gjemba; edhe gjembat hipën dhe e mbytën, e nuk dha fryt.

Edhe tjetër ra në dhe të mirë, edhe jepte fryt duke u lartësuar e duke u rritur, edhe pruri fryte njëra tridhjetë, e njëra gjashtëdhjetë, e njëra njëqind.

Edhe u thoshte atyre: Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.