/E PREMTE, 17 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E PREMTE, 17 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – Hebrenjve 11:33-12:2.

Me anë të besimit mundën mbretëri, punuan drejtësi, fituan premtime, mbyllën gojë luanësh, shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i thikës, morën fuqi nga dobësitë, u bënë të fortë në luftë, thyen ushtritë e të huajve.

Gra morën të vdekurit e tyre të ngjallur; edhe të tjerë u munduan, sepse nuk pranuan shpëtimin, që të fitonin një ngjallje më të mirë. Edhe të tjerë u provuan me të përqeshura e me të rrahura, po edhe me të lidhura e me burgime.

U vranë me gurë, u sharruan më dysh, u nganë, vdiqën të vrarë prej shpate; endeshin lart e poshtë veshur me lëkurë dhensh, e me lëkurë dhish, në nevojë, në shtrëngime, në keqtrajtime, ata për të cilët bota nuk ishte e denjë; duke u endur nëpër shkretëtira e nëpër male e nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut.

Edhe këta të gjithë, ndonëse morën dëshmi të mirë me anë të besimit, nuk morën premtimin, sepse Perëndia pati urdhëruar që përpara një gjë më të mirë për ne, që të mos bëhen të përsosur pa ne.

Prandaj dhe ne, të rrethuar prej një reje kaq të madhe dëshmitarësh, le të hedhim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pushton lehtë, edhe me durim le të vrapojmë në rrugën që është përpara nesh, duke shikuar tek Jisui që është kryet dhe fundi i besimit, i cili për gëzimin që ishte përpara tij duroi kryqin, duke përbuzur turpin, edhe ndenji në të djathtë të fronit të Perëndisë.

* * * * *

UNGJILLI – Marku 9:33-41.

Edhe erdhi në Kapernaum; edhe kur hyri në shtëpi, i pyeste ata: Ç’mendonit udhës në mes tuaj? Po ata s’bënin zë; sepse udhës flisnin në mes tyre, cili është më i madh. Edhe si ndenji, thirri të dymbëdhjetët, edhe u thotë atyre: Kush të dojë të jetë i parë, do të jetë i fundit i të gjithëve, edhe shërbëtor i të gjithëve.

Edhe mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes tyre, edhe si e mori në krahë, u tha atyre: Kush të presë një nga të këtillët fëmijë të vegjël në emrin tim, më pret mua; edhe kush të më presë mua, s’më pret mua, po atë që më ka dërguar.

Edhe Joani iu përgjigj, duke thënë: Mësues, pamë dikë që nxirrte demonë në emrin tënd, i cili nuk na vjen pas; edhe e ndalëm sepse nuk na vjen pas. Po Jisui tha: Mos e pengoni, sepse s’ka asnjë që do të bëjë çudi në emrin tim, edhe do të mundë menjëherë të flasë keq për mua.

Sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne. Sepse kush t’ju japë juve një gotë ujë në emrin tim, se jeni të Krishtit, me të vërtetë po ju them juve, nuk do ta humbasë pagën e tij.