DITË KRESHME
APOSTULLI – Kolosianëve 2:1-7.
Sepse dua ta dini ç’përpjekje të madhe bëj për ju edhe për ata që janë në Laodiki, edhe për gjithë ata që s’kanë parë fytyrën time në mish, që të ngushëllohen zemrat e tyre, duke u bashkuar në dashuri dhe në çdo lloj pasurie të kuptimit të urtësisë, që të njohin misterin e Perëndisë dhe Atit e të Krishtit, tek i cili janë fshehur gjithë thesarët e urtësisë e të diturisë.
Edhe e them këtë që të mos ju gënjejë ju ndonjë me fjalë bindëse. Sepse ndonëse me trupin nuk jam aty, po me shpirtin jam bashkë me ju, duke u gëzuar e duke parë rregullin tuaj edhe qëndresën e besimit tuaj në Krishtin.
Sikurse pra e keni marrë Zotin Jisu Krisht, në atë ecni, duke u rrënjosur e duke u ndërtuar tek ai, edhe duke u forcuar në besim, sikundër u mësuat, duke tepruar në të me falënderim.
* * * * *
UNGJILLI – Llukai 13:31-35.
Atë ditë erdhën disa Farisenj, duke i thënë atij: Dil e ik së këtejmi, sepse Herodi do që të të vrasë. Edhe ai u tha atyre: Shkoni e i thoni kësaj dhelpre: Ja tek nxjerr demonë dhe bëj shërime sot e nesër, edhe të tretën ditë do të mbaroj. Por unë duhet të rri sot e nesër dhe ditën tjetër të shkoj; sepse nuk është e mundur që një profet të vritet jashtë Jerusalemit.
Jerusalem, Jerusalem, që vret profetët dhe godet me gurë ata që janë dërguar tek ti, sa herë kam dashur të mbledh bijtë e tu, ashtu si klloçka zogjtë e saj nën krahë, edhe nuk deshët! Ja shtëpia juaj tek po ju lihet e shkretë. Edhe po ju them juve, se nuk do të më shihni deri sa të vijë koha, kur të thoni: I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit.