DITË KRESHME
APOSTULLI – Filipianëve 1:12-20.
Edhe dua ta dini, o vëllezër, se sa më ndodhën mua ndihmuan më tepër për përparimin e ungjillit; aq sa vargonjtë e mi për Krishtin u bënë të dukshme në gjithë pretoren e në gjithë të tjerët; edhe më të shumtët e vëllezërve në Zotin, duke marrë zemër nga vargonjtë e mi, guxonin më tepër për të thënë pa frikë fjalën.
Disa me të vërtetë edhe e predikojnë Krishtin nga smira dhe nga grindja, por disa nga dëshirë e mirë.
Ata e predikojnë Krishtin nga smira, jo me çiltërsi, duke pandehur se sjellin shtrëngim në vargonjtë e mi; po këta nga dashuria, duke e ditur se jam vënë për të mbrojtur ungjillin.
Ç’del pra? Veçse me çdo lloj mënyre, qoftë me shtirje, qoftë me të vërtetë, Krishti predikohet, edhe për këtë unë gëzohem, po do të gëzohem akoma.
Sepse e di se kjo do të më dalë për shpëtim, me anë të lutjeve tuaja dhe të ndihmës së Frymës së Jisu Krishtit, sipas të priturit me padurim edhe sipas shpresës sime se nuk do të turpërohem në asgjë, po me çdo guxim, si gjithmonë, edhe tani do të madhërohet Krishti në trupin tim, ose me anë jete, ose me anë vdekjeje.
* * * * *
UNGJILLI – Llukai 11:9-13.
Edhe unë po ju them: Lypni, edhe do t’ju jepet; kërkoni, edhe do të gjeni; trokitni, edhe do t’ju hapet. Sepse kushdo që lyp merr; edhe ai që kërkon gjen; edhe atij që troket do t’i hapet.
Edhe nëse është atë ndonjë prej jush, edhe në i kërkoftë i biri bukë, mos do t’i japë gur? Apo në i kërkoftë peshk, mos do t’i japë gjarpër në vend të peshkut? Apo në i kërkoftë vezë, mos do t’i japë akrep? Nëse ju pra, që jeni të ligj, dini t’u jepni bijve tuaj gjëra të mira, sa më tepër Ati nga qielli do t’u japë Frymë të Shenjtë atyre që të lypin prej tij?