/E MËRKURË, 24 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E MËRKURË, 24 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – Filipianëve 3:20-4:3

Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga ku edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jisu Krisht, i cili do të shndërrojë trupin e përuljes sonë, që të bëhet në një formë me trupin e lavdisë së tij, sipas veprimit me të cilin ai mund edhe t’ia nënshtrojë të gjitha vetvetes.

Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur e të përmalluar, gëzimi edhe kurora ime, kështu qëndroni në Zotin, o të dashur.

I lutem Evodisë, i lutem edhe Sintikës, të kenë të njëjtën mendje në Zotin. Edhe të lutem edhe ty, o shok i thjeshtë, ndihmoji ato të cilat u munduan për ungjillin bashkë me mua edhe me Klementin edhe me bashkëpunëtorët e tjerë të mi, emrat e të cilëve janë në librin e jetës.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 18:15-17, 26-30.

Edhe i prunë atij edhe foshnjat që t’i prekte; edhe nxënësit kur i panë, i qortuan. Por Jisui, si i thirri pranë, tha: Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni; sepse e të këtillëve është mbretëria e Perëndisë. Me të vërtetë po ju them juve, ai që nuk do të presë mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të.

Edhe ata që dëgjuan thanë: E kush mund të shpëtojë? Edhe ai tha: Të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë.

Edhe Pjetri tha: Ja ne tek lamë gjithçka dhe të erdhëm pas. Edhe ai u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se nuk ka asnjë që la shtëpi, a prindër, a vëllezër, a grua, a djem, për hir të mbretërisë së Perëndisë, i cili të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në jetën që vjen jetë të përjetshme.