/E MËRKURË, 22 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E MËRKURË, 22 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

DITË KRESHME

APOSTULLI – 2 Korinthianëve 13:3-13

Meqenëse kërkoni provë që nëpërmjet meje flet Krishti, i cili s’është i dobët tek ju, po i fuqishëm në ju.

Sepse, ndonëse u kryqëzua prej dobësie, por rron prej fuqisë së Perëndisë; sepse edhe ne megjithëse jemi të dobët në të, por do të rrojmë bashkë me të në ju prej fuqisë së Perëndisë.

Shikoni veten tuaj, nëse jeni në besë; provoni veten tuaj; apo s’e njihni veten tuaj se Jisu Krishti është në ju? Veç në qofshi të paprovuar në ndonjë gjë. Edhe shpresoj se do ta njihni që ne s’jemi të paprovuar.

Edhe i lutem Perëndisë që të mos bëni ndonjë gjë të ligë; jo që të dukemi ne të provuar, po që të bëni ju të mirën, edhe ne le të jemi të paprovuar. Sepse s’mundemi të bëjmë gjë kundër së vërtetës, po për të vërtetën.

Sepse gëzohemi, kur ne jemi të dobët e ju jeni të fuqishëm; për këtë edhe lutemi, për përsosjen tuaj.

Prandaj i shkruaj këto kur jam larg, që të mos sillem ashpër kur të jem afër, sipas pushtetit që më ka dhënë Zoti për të ndërtuar, edhe jo për të shkatërruar.

Pra, vëllezër, gëzohuni, ngushëllohuni, jini në një mendje, kini paqe, edhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë bashkë me ju.

Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë.

Ju përshëndesin të gjithë shenjtorët.

Hiri i Zotit Jisu Krisht dhe dashuria e Perëndisë, edhe pjesëmarrja e Frymës së Shenjtë qoftë me ju të gjithë. Amin.

* * * *

Ungjilli – Llukai 4:1-15.

Edhe Jisui plot me Frymë të Shenjtë u kthye nga Jordani; edhe u pru me anë të Frymës në shkretëtirë, ku ishte duke u ngarë nga djalli dyzet ditë.

Edhe nuk hëngri asgjë në ato ditë; edhe si u mbushën ato, pastaj i erdhi uri. Edhe djalli i tha: Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë.

Edhe Jisui iu përgjigj atij, duke thënë: Eshtë shkruar “Se njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, po me çdo fjalë të Perëndisë”.

Edhe djalli e hipi mbi një mal të lartë, e i tregoi atij gjithë mbretëritë e botës në një grimë kohe. Edhe djalli i tha: Ty do të ta jap tërë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse mua më është dhënë, dhe kujt të dua ia jap. Nëse ti pra falesh përpara meje, e gjitha do të jetë jotja.

Po Jisui u përgjigj e i tha: Shporru prapa meje, Satana, sepse është shkruar: “Zotit Perëndisë tënd, do t’i falesh, edhe vetëm atë do të adhurosh”.