/E MËRKURË, 17 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E MËRKURË, 17 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR -25 DHJETOR)

APOSTULLI – Kolosianëve 3:17-4:1

Edhe çdo gjë që të bëni me fjalë ose me punë, të gjitha t’i bëni në emër të Zotit Jisu, duke falënderuar Perëndinë dhe Atin me anë të tij.

Ju gratë ulini kryet burrave tuaj, siç i ka hie në Zotin.

Ju burrat duajini gratë tuaja dhe mos i hidhëroni ato.

Ju bijtë bindjuni prindërve tuaj për të gjitha, sepse kjo është e pëlqyeshme për Zotin.

Ju etërit mos i zemëroni bijtë tuaj, që të mos u ligështohet zemra.

Ju shërbëtorët, bindjuni në gjithçka zotërinjve tuaj sipas mishit, jo duke u shërbyer vetëm përpara syve, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, po me thjeshtësi zemre, duke pasur frikë nga Perëndia.

Edhe çdo gjë që bëni, me shpirt bëjeni, si Zotit, e jo njerëzve, duke ditur se prej Zotit keni për të marrë shpërblimin e trashëgimit; sepse Zotit Krisht i shërbeni. Po ai që punon padrejtësi, do të marrë shpërblimin e padrejtësisë së tij, sepse s’ka mbajtje ane.

Ju zotërinjtë jepuni shërbëtorëve tuaj të drejtën dhe sa u takon, duke ditur se edhe ju keni Zot në qiej.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 15:1-10

Edhe gjithë tagrambledhësit e mëkatarët i afroheshin, që ta dëgjonin. Edhe Farisenjtë e shkruesit murmurisnin, duke thënë se ky pret mëkatarë dhe ha bashkë me ta.

Edhe ai u tha atyre këtë paravoli, duke thënë: Cili njeri prej jush, në pastë njëqind dhen, dhe të humbë një prej tyre, nuk lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë, dhe nuk shkon të kërkojë të humburën, deri sa ta gjejë? Edhe si ta gjejë, e vë mbi supet e tij duke u gëzuar. Edhe kur vjen në shtëpi, thërret miqtë dhe fqinjët, e u thotë atyre: Gëzohuni bashkë me mua, se gjeta delen time të humbur. Po ju them juve, se kështu do të jetë më tepër gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet, se për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë, të cilët s’kanë nevojë për pendim.

Apo cila grua që ka dhjetë dhrahmi, në i humbtë një dhrahmi, nuk ndez kandilin dhe nuk fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes, deri sa ta gjejë? Edhe si ta gjejë, thërret mikeshat e fqinjat, duke thënë: Gëzohuni bashkë me mua, se gjeta dhrahminë që humba. Kështu, po ju them juve, bëhet gëzim përpara engjëjve të Perëndisë për një mëkatar që pendohet.