/E MËRKURË, 15 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E MËRKURË, 15 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – 2 Timotheut 1:8-18.

Mos ki turp pra për dëshminë e Zotit tonë, edhe për mua të burgosurin e tij; por vuaj bashkë me mua për ungjillin sipas fuqisë së Perëndisë; i cili na shpëtoi dhe na thirri me thirrje të shenjtë, jo sipas punëve tona, po sipas vendimit dhe hirit të tij që na u dha në Krishtin Jisu që përpara kohëve të përjetshme, edhe që u zbulua tani me anë të shfaqjes së shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, i cili prishi vdekjen, edhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit. Për këtë u vura unë predikues dhe apostull e mësues i kombeve; shkak për të cilin edhe i pësoj këto; por nuk kam turp; sepse e di kujt i kam besuar, edhe jam i bindur se ai mund të ruajë deri në atë ditë atë që mua më është besuar.

Ruaj formën e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje, me besim e me dashuri që është në Krishtin Jisu. Të mirën që t’u besua ruaje me anë të Frymës së Shenjtë që rri ndër ne.

Ti e di këtë, se të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët, prej të cilëve është Figjeli dhe Hermogjeni. Zoti i dhëntë përdëllim shtëpisë së Onisiforit, sepse shumë herë më dha zemër dhe s’pati turp prej hekurave të mi, po kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë ngulm dhe më gjeti. Zoti i dhëntë atij të gjejë përdëllim nga Zoti në atë ditë. Edhe sa më shërbeu në Efes, ti i di më mirë.

* * * * *

UNGJILLI – Marku 2:23-3:5.

Edhe ndërsa ai po shkonte një ditë të shtunë nëpër të mbjella, nxënësit e tij, duke bërë udhë, zunë të shkoqin kallinj. Edhe Farisenjtë i thoshin: Shih, pse bëjnë të shtunën atë që nuk lejohet? Edhe ai u thoshte atyre: Kurrë s’keni lexuar ç’bëri Davidi kur pati nevojë dhe i erdhi uri atij dhe atyre që ishin bashkë me të?

Si hyri në shtëpinë e Perëndisë në ditët e kryepriftit Abiatar dhe hëngri bukët e blatës, të cilat nuk lejohet t’i hajë tjetër njeri, veç priftërinjve, edhe u dha edhe atyre që ishin bashkë me të?

Edhe u thoshte atyre: E shtuna është bërë për njeriun, jo njeriu për të shtunën. Prandaj i biri i njeriut është i zoti edhe i së shtunës.

Edhe hyri përsëri në sinagogë; edhe atje ishte një njeri që e kishte dorën të thatë. Edhe vinin re atë nëse do ta shëronte të shtunën, që ta akuzonin. Edhe ai i thotë njeriut që kishte dorën e thatë: Ngrihu e qëndro në mes.

Edhe u thotë atyre: A lejohet të bëjë njeriu mirë të shtunave apo të bëjë keq? Të shpëtojë jetë apo të vrasë? Po ata s’bënin zë.

Atëherë si i vuri re përreth me zemërim, sepse i erdhi keq për ngurtësinë e zemrës së tyre, i thotë njeriut: Shtri dorën tënde. Edhe ai e shtriu; edhe dora e tij u bë përsëri e shëndoshë si tjetra.