/E MËRKURË, 1 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E MËRKURË, 1 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMEN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – 1 Thesalonikasve 4:1-12

Së fundi pra, o vëllezër, ju lutemi dhe ju nxisim me anë të Zotit Jisu, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni dhe t’i pëlqeni Perëndisë, kështu të teproni shumë e më shumë. Sepse e dini çfarë porosish ju lamë me anë të Zotit Jisu.

Sepse kjo është dëshira e Perëndisë, shenjtërimi juaj: të hiqni dorë nga kurvëria; të dijë gjithësecili prej jush të mbajë enën e tij me shenjtërim e me nder; jo në pësim dëshirimi, ashtu si edhe kombet që s’njohin Perëndinë. Të mos kapërcejë ndonjë e t’i bëjë keq të vëllait në këtë punë; sepse Zoti është shpagimtar për gjithë këto; sikurse edhe jua thamë juve më përpara, edhe me dëshmi jua vërtetuam.

Sepse Perëndia nuk na thirri në papastërti, po në shenjtërim. Prandaj ai që hedh tej këto, nuk hedh tej njeri, po Perëndinë, që na dha neve Frymën e tij të Shenjtë.

Edhe për dashurinë vëllazërore s’keni nevojë t’ju shkruajmë, se ju vetë jeni të mësuar prej Perëndisë që të doni njëri-tjetrin; sepse edhe e bëni këtë për të gjithë vëllezërit që janë në gjithë Maqedoninë.

Po ju lutemi, o vëllezër, të teproni në këtë shumë e më shumë. Edhe ta keni për nder të rrini urtë e të shikoni punët tuaja, edhe të punoni me duart tuaja, siç ju porositëm, që të ecni para atyre që janë jashtë siç ka hije, edhe të mos keni nevojë për asgjë.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 20:1-8.

Edhe ndodhi që në një nga ato ditë, ndërsa ai mësonte popullin në tempull, edhe jepte lajmin e mirë, kryepriftërinjtë e shkruesit bashkë me pleqtë erdhën befas, e i folën, duke thënë: Na thuaj, me ç’pushtet i bën këto? Ose cili është ai që të ka dhënë këtë pushtet?

Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Edhe unë do t’ju pyes ju një fjalë, edhe më thoni: Pagëzimi i Joanit prej qielli ishte a prej njerëzish? Dhe ata mendoheshin me veten e tyre duke thënë se, në thënçim: Prej qielli, do të thotë: Pse s’i besuat pra? Po në thënçim: Prej njerëzish, gjithë populli do të na qëllojë me gurë, sepse është i bindur që Joani është profet. Edhe u përgjigjën se nuk e dinë nga është. Edhe Jisui u tha atyre: As unë nuk ju them me çfarë pushteti i bëj këto.