/E MARTË, 9 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E MARTË, 9 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – Kolosianëve 1:1-3, 6-11.

Pavli, apostull i Jisu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, edhe vëllai Timothe, shenjtëve dhe vëllezërve besimtarë në Krishtin që janë në Kolosë; hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, edhe prej Zotit Jisu Krisht.

Falënderoj Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jisu Krisht, duke u lutur përherë për ju. Që arriti tek ju, si edhe në gjithë botën; edhe sjell fryte, sikundër edhe në ju, që atë ditë që dëgjuat dhe njohët hirin e Perëndisë me të vërtetë; siç e mësuat dhe nga Epafrai, bashkëshërbyesi ynë i dashur, i cili është për ju shërbëtor besnik i Krishtit; i cili edhe na tregoi dashurinë tuaj në Frymën.

Prandaj edhe ne, që atë ditë që dëgjuam, nuk pushojmë duke u lutur për ju, edhe duke kërkuar që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo dituri e urtësi shpirtërore; që të ecni siç është e denjë për Zotin, për t’i pëlqyer atij në të gjitha, duke sjellë fryte në çdo punë të mirë, edhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë; duke u forcuar me çdo lloj fuqie, sipas pushtetit të lavdisë së tij për çdo durim dhe zemërgjerësi me gëzim.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 12:42-48.

Edhe Zoti tha: Vallë, cili është ai kujdestar besnik e i mençur, të cilin do ta vërë i zoti mbi shërbëtorët e tij, që t’u japë në kohë masën e ushqimit? Lum ai shërbëtor, të cilin, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke bërë kështu. Vërtet po ju them juve, se ka për ta vënë mbi gjithë pasurinë e tij.

Po në thëntë ai shërbëtor në zemrën e tij: Im zot vonon të vijë; dhe të zërë të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, e të hajë e të pijë e të dehet, i zoti i atij shërbëtori do të vijë atë ditë që s’e pret dhe atë orë që s’e di; edhe do ta ndajë më dysh dhe do ta vërë pjesën e atij bashkë me të pabesët. Edhe ai shërbëtor që e dinte dëshirën e të zotit dhe nuk qe gati as nuk bëri sipas dëshirës së tij, do të rrihet shumë. Po ai që nuk e diti dhe bëri punë për t’u rrahur, do të rrihet pak. Edhe gjithkujt që iu dha shumë, shumë do të kërkohet prej tij; edhe atij që iu besuan shumë, më shumë do të kërkojnë prej tij.