/E MARTË, 7 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE.

E MARTË, 7 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE.

APOSTULLI – 2 Korinthianëve 5:15-21.

Edhe Jisui vdiq për të gjithë, që ata që rrojnë të mos rrojnë më për veten e tyre, po për atë që vdiq e u ngjall për ta.

Prandaj ne që tani e tutje s’njohim asnjë sipas mishit; edhe ndonëse e njohëm Krishtin sipas mishit, po tani nuk e njohim më. Prandaj nëse është ndonjë në Krishtin, ky është ndërtesë e re; të vjetrat shkuan, ja të gjitha tek u bënë të reja. Edhe të gjitha janë prej Perëndisë, që na pajtoi me veten e tij me anë të Jisu Krishtit, edhe na dha shërbesën e pajtimit. Domethënë se Perëndia ishte në Krishtin, duke pajtuar botën me veten e tij, pa ua llogaritur atyre fajet; edhe vuri tek ne fjalën e pajtimit. Për Krishtin pra lajmësojmë, sikur t’ju lutej Perëndia me anën tonë; ju lutemi për Krishtin, pajtohuni me Perëndinë. Sepse Perëndia, atë që nuk njohu mëkat, për ne e bëri të jetë mëkat, që të bëhemi ne drejtësi e Perëndisë me anë të tij.

* * * *

UNGJILLI – Marku 1:16-22.

Edhe duke ecur buzë detit të Galilesë, pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetën në det; sepse ishin peshkatarë. Edhe Jisui u tha atyre: Ejani pas meje, edhe do t’ju bëj ju të bëheni peshkatarë njerëzish. Edhe ata menjëherë lanë rrjetat e tyre dhe shkuan pas tij.

Edhe duke shkuar prej andej pak më tej pa Jakovin, të birin e Zevedheut, edhe Joanin, të vëllain e tij, ndërsa ishin në lundër duke ndrequr rrjetat. Edhe menjëherë i thirri ata; edhe ata lanë të atin e tyre, Zevedheun, në lundër bashkë me punëtorët, edhe shkuan pas tij.

Edhe hyjnë në Kapernaum; edhe Jisui menjëherë të shtunën hyri në sinagogë e mësonte. Edhe çuditeshin për mësimin e tij, sepse ishte duke i mësuar ata si ndonjë që ka pushtet dhe jo si shkruesit.