JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)
APOSTULLI – 2 Thesalonikasve 1:10-2:2.
Në atë ditë, kur të vijë të lavdërohet ndër shenjtorët e tij, edhe të jetë i mrekullueshëm ndër të gjithë ata që besojnë, sepse ju i besuat dëshmisë sonë.
Prandaj edhe lutemi përherë për ju, që t’ju bëjë Perëndia ynë të denjë për thirrjen e tij, edhe të përmbushë çdo pëlqim të mirësisë së tij, edhe vepër besimi me fuqi; që të lavdërohet emri i Zotit tonë Jisu Krisht tek ju, edhe ju tek ai, sipas hirit të Perëndisë sonë dhe Zotit Jisu Krisht.
Edhe sa për ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht, edhe për mbledhjen tonë me atë, ju lutemi, o vëllezër, të mos tundeni shpejt nga mendja, as të mos turbulloheni as prej fryme, as prej fjale, as prej letre si të shkruar prej nesh, se sikur u afrua dita e Krishtit.
* * * * *
UNGJILLI – Llukai 21:12-19.
Po para gjithë këtyre do të vënë duart e tyre mbi ju, edhe do t’ju përndjekin e do t’ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje, duke ju prurë përpara mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim. Edhe kjo do t’ju kthehet juve për dëshmi.
Vini pra në zemrat tuaja këtë, të mos mendoheni më parë si do të mbroheni, sepse unë do t’ju jap juve gojë e urtësi, së cilës nuk do të mund t’i kundërshtojnë, as t’i rrinë kundër gjithë armiqtë tuaj.
Dhe do të dorëzoheni edhe nga prindër e vëllezër e farefis e miq; dhe do të vrasin disa prej jush. Edhe do të jeni të urryer nga të gjithë për emrin tim. Po asnjë fije floku prej kokës suaj s’do të humbë. Me durimin tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj.