JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)
APOSTULLI – 1Timotheut 5:11-21.
Por hiq dorë nga të vejat më të reja; sepse si të mërziten nga Krishti, duan të martohen; duke u bërë mëkatare, sepse shkelën besimin e parë. Edhe në të njëjtën kohë mësohen të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi; edhe jo vetëm përtace, po edhe fjalëshumta e kureshtare, duke folur ato që s’duhen.
Dua pra të rejat të martohen, të bëjnë fëmijë, të bëhen zonja shtëpie, të mos i japin asnjë shkak armikut për të folur keq. Sepse disa nga ato tani janë kthyer pas satanait. Në qoftë se ndonjë besimtar a besimtare ka të veja, le t’u japë atyre të nevojshmet, edhe le të mos ngarkohet kisha, që të mundë t’u ndihmojë atyre që janë me të vërtetë të veja.
Pleqtë e kishës që drejtojnë mirë punën, le të nderohen dy herë më tepër, më fort ata që mundohen me fjalë e me mësim. Sepse shkrimi thotë: “Nuk do të mbyllësh gojën e kaut që shin”, dhe “I denjë është punëtori për pagën e tij”.
Mos prano kallëzim kundër plakut, veç përpara dy a tre dëshmitarëve. Ata që mëkatojnë qortoi përpara të gjithëve, që të kenë frikë dhe të tjerët.
Të urdhëroj përpara Perëndisë edhe Zotit Jisu Krisht, edhe engjëjve të zgjedhur, t’i ruash këto pa bërë dallim në mes njerëzve, e asgjë të mos bësh duke mbajtur anë.
* * * * *
UNGJILLI – Marku 10:2-12.
Edhe si i erdhën pranë Farisenjtë, e pyetnin duke e ngarë atë: A është e udhës burri ta lërë gruan? Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Ç’ju ka urdhëruar Moisiu? Edhe ata thanë: Moisiu dha leje të shkruajë kartë ndarjeje dhe ta lërë. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Për zemrën tuaj të ashpër jua shkroi juve këtë urdhërim.
Po që në fillim të krijesës, mashkull e femër i bëri ata Perëndia. “Për këtë punë njeriu do të lërë të atin e të ëmën, edhe do të ngjitet pas gruas së tij, edhe do të jenë të dy në një mish”, kaq sa nuk janë më dy, po një mish. Atë pra që Perëndia e bashkoi, njeriu le të mos e ndajë.
Edhe në shtëpi përsëri e pyetnin nxënësit e tij po për atë. Edhe u thotë atyre: Kush të lërë gruan e tij e të martohet me tjetër, shkel kurorën kundrejt saj. Edhe gruaja, në lëntë burrin e saj dhe të martohet me tjetër, shkel kurorën.