/E MARTË, 2 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E MARTË, 2 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – Filipianëve 2:16-23.

Bëni gjithçka pa murmuritje e pa kundërshtime, që të jeni faqebardhë e të pastër, bij Perëndie patëmetë, në mes të një brezi dredharak e të shtrembër, në mes të të cilëve ndriçoni si yje në botë, duke mbajtur fjalën e jetës, për mburrjen time në ditën e Krishtit, se nuk brodha më kot, as u nuk u mundova më kot. Po edhe në qoftë se bëhem spërkatje mbi flijimin dhe shërbesën e besimit tuaj, gëzohem e ngazëllohem bashkë me të gjithë ju; po ashtu edhe ju gëzohuni e ngazëllohuni bashkë me mua.

Edhe shpresoj në Zotin Jisu, të dërgoj së shpejti tek ju Timotheun, që të marrë zemër edhe unë, kur të mësoj punët tuaja. Sepse s’kam asnjë me të njëjtën mendje, që të kujdeset me çiltërsi për punët tuaja. Sepse të gjithë kërkojnë të vetat, jo ato të Krishtit Jisu. Edhe e njihni provën e tij, se, si bir me të atin, punoi bashkë me mua për ungjillin. Këtë pra shpresoj të dërgoj menjëherë, sa të marr vesh si do të shkojnë punët e mia.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 11:34-41.

Kandili i trupit është syri; syri yt pra, kur është i pastër, edhe gjithë trupi yt është i ndritur; po kur është i lig, edhe trupi yt është i errët. Vështro pra, që drita që është tek ti të mos jetë errësirë. Në qoftë, pra, gjithë trupi yt i ndritur, pa pasur ndonjë anë të errët, do të jetë i tëri i ndritur, si kandili kur të ndrit me dritën e tij të fortë.

Edhe si foli këto, një Farise i lutej atij të shkojë për drekë tek ai; edhe ai hyri e ndenji në tryezë.

Edhe Fariseu u çudit, kur pa, se nuk u la përpara drekës. Edhe Zoti i tha: Tani ju Farisenjtë pastroni të jashtmen e gotës e të pjatës; ndërsa e brendshmja juaj është plot me grabitje e me ligësi. Të marrë, ai që bëri të jashtmen, a nuk bëri edhe të brendshmen? Por jepni lëmoshë ato që janë brenda, edhe ja të gjitha tek do të jenë të pastra tek ju.