APOSTULLI – Veprat e Apostujve 2:14-21
Po Pjetri qëndroi bashkë me të njëmbëdhjetët, edhe ngriti zërin e tij edhe u ligjëroi atyre: O burra Judenj dhe gjithë sa rrini në Jerusalem, le të jetë e ditur kjo ndër ju, e vëruni veshin fjalëve të mia. Sepse këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju; sepse tani është ora e tretë e ditës.
Po kjo është ajo që është thënë me anë të profetit Joel: “Edhe në ditën e fundit, thotë Perëndia, do të derdh nga Fryma ime mbi çdo mish; edhe do të profetizojnë bijtë tuaj dhe bijat tuaja, edhe djemtë tuaj do të shohin vegime, edhe pleqtë tuaj do të ëndërrojnë ëndrra. Edhe mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia në ato ditë do të derdh nga Fryma ime; edhe do të profetizojnë. Edhe do të bëj çudira lart në qiell dhe shenja poshtë mbi dhe, gjak e zjarr e avull tymi. Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë e madhja dhe e shquara ditë e Zotit. Edhe kushdo që të thërresë në emrin e Zotit, do të shpëtojë”.
* * * * *
UNGJILLI – Llukai 9:23-27
Edhe u thoshte të gjithëve: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrejë kryqin e tij përditë dhe le të vijë pas meje. Sepse kush të dojë të shpëtojë jetën e tij, do ta humbë; edhe kush të humbë jetën e tij për mua, ky do ta shpëtojë.
Sepse ç’dobi ka njeriu, në fitoftë gjithë botën e të humbë veten e tij a ta dëmtojë?Sepse kush të ketë turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe i Biri i njeriut do të ketë turp për këtë, kur të vijë në lavdinë e tij e të Atit e të engjëjve të shenjtë.
Edhe me të vërtetë po ju them juve se janë disa prej këtyre që rrinë këtu, të cilët nuk do të ngjërojnë vdekje, deri sa të shohin mbretërinë e Perëndisë.