Festa e Ungjillëzimit e cila kremtohet gjithmonë më 25 Mars ka qenë historikisht në Kishën Orthodhokse një festë gëzimi. Një gëzim që njerëzit shpesh herë dhe pa e kuptuar e ndiejnë në shpirtrat e tyre. Gëzimi i madh i kësaj dite është, sepse historia e shenjtë tregon që njeriu u krijua për të jetuar në kungim të gjallë më Perëndinë e gjallë. Të jetonte i lumtur në parajsë dhe qenia e tij të ishte e mbushulluar me praninë e Perëndisë. Përpara rënies në mëkat jeta e tij ishte plot gëzim, sepse gëzimi ishte diçka natyrale tek njeriu. Dhe këtë gëzim mund ta ndiejë çdo person që se ka humbur mrekullimin fëmijëror, çdo person, i cili nuk është mplakur shpirtërisht. Kur njeriu ndoqi këshillën e djallit dhe mëkatoi gëzimi u largua prej tij, në zemrën e tij u shtua errësira. Për shekuj me radhë popujt kishin pritur një Shpëtimtar i cili do ti shpëtonte nga kjo errësirë, dhe do t’ju kthente gëzimin e humbur.
Historitë e popujve të ndryshëm janë të mbushura me shpresën; se
një ditë do të vinte dikush, që do të pajtonte Perëndinë me njeriun. Pikërisht
lajmin e përmbushjes së kësaj shprese, të ardhjes së Shpëtimtarit, shpalli
Gabrieli në këtë ditë, duke thënë “Gëzohu”, sepse kishte shekuj që gëzimi ishte
zhdukur nga zemrat e njerëzve. Dhe me këtë lajm të madh fillon Krishtërimi
“Gëzohu”. Një nga shenjtorët e kishës ka thënë “nuk mund të ekzistojë dot një
shenjtor i trishtuar”, por në fakt nuk mund të ekzistojë dot një i krishterë i
trishtuar. Madje trishtimi dhe vajtimi që kap të krishterin është i ndryshëm,
ashtu siç thotë dhe Shën Pavli: “Ne nuk hidhërohemi si ata që nuk kanë
shpresë”, sepse sado e thellë të jetë dhimbja tek ne, gjithmonë do të
lehtësohet nga lajmi i mirë se Shpëtimtari erdhi në botë.
“Gëzohu” ky ka qenë thelbi i gjithë predikimit të krishterë, të gjithë Shenjtorët
e Kishës sonë ishin njerëz të gëzuar, aq sa njerëzit rrotull tyre habiteshin
nga ky lloj gëzimi kaq i madh. Madje ata i luteshin Zotit që të mos iu jepte
kaq gëzim, sepse nuk e mbanin dot.
Ajo që i mungon shoqërisë së sotme në të gjithë botën është
pikërisht gëzimi. Në Shërbesën e Himnit Akathist fjala që përmendet më shumë
është: “Gëzohu”. Sa dikush me të drejtë mund të pyesë: – përse përmendet kaq
shumë kjo fjalë? Sepse pikërisht duke filluar nga kjo ditë dhe duke filluar me
këtë doktrinë u rigjet përsëri gëzimi.
Njerëzit e sotëm kanë krijuar shumë gjëra dhe vende që ndoshta janë shumë të
pasura dhe megjithatë nuk kanë gëzim. Siç shkruante një gazetë: “Vendet e
pasura kanë humbur gëzimin fëmijëror, ndonëse kanë krijuar shumë gjëra të
tjera, ligje, qytete të pastër, lulishte të bukura dhe pyje pafund, megjithatë
kanë humbur gëzimin sepse kanë humbur lidhjen me Zotin”, sepse asnjë shpirt nuk
mund të jetë dot i gëzuar nëse është i shkëputur nga Perëndia i Cili është
burimi i gëzimit.
Në momentin e kësaj ngjarjeje madhore në historinë e njerëzimit
sikundër dhe tradita na thotë Maria ishte një vajzë shumë e re, rreth 15 vjeç.
Megjithatë rinia nuk e pengoi atë të pranonte misterin e madh të Perëndisë, nuk
e pengoi që të jetonte një jetë të pastër, nuk e pengoi që të ruante shpirtin e
saj të dlirë aq sa Zoti ta zgjidhte si banesë të Tij. Kjo ditë ka një
domethënie shumë të madhe për të rinjtë, ndoshta më shumë për vajzat e reja.
Kjo ditë është një mesazh i madh për tu thënë se ka shpresë për të ruajtur shpirtin
e pastër dhe për të thënë se çdo i ri mund të lidhet me Perëndinë. Maria ishte
e re, Ungjillori Joan ishte i ri e megjithatë ata njohën Perëndinë. Rinia nuk
mund të pengojë njeriun për të kuptuar Perëndinë, nuk mund ta ndalojë atë që të
bëjë një jetë fetare. Mendimi që jeta fetare është vetëm për të vjetërit është
një mendim krejtësisht i gabuar. Dikur, ata të cilët ishin të vjetër në moshë
nuk i pranonin nëpër manastire, për të treguar që manastiri ishte një vend
lufte shpirtërore dhe jo vend pushimi. Dhe forca më e madhe e luftës
shpirtërore është rinia, e cila ka energjinë më të madhe për të ndërtuar urën
që të mund të lidhet me Perëndinë. Kjo ditë duhet t’ju kujtojë të gjithë të
rinjve mundësinë dhe thirrjen e madhe të Zotit që bëhet nëpërmjet Marisë. Çdo
vajzë e re duhet të mendojë që Zoti i ka dhuruar diçka shumë të madhe, atë
pastërti dhe atë dlirësi të cilën ka në shpirt mund ta humbasë shumë shpejt,
prandaj gjithsekush le të mendojë dhe ta ruajë atë, sepse nga një gabim i vogël
mund të humbasë diçka e parikuperueshme.
Zoti vjen dhe banon tek njerëzit me shpirt dhe zemër të pastër, madje dhe vetë
trupi i njeriut është tempull i shenjtë i Perëndisë. Nëse Ai do të gjejë një
trup dhe shpirt të pastër do të banojë atje dhe nëse Zoti do të banojë në zemrat
tona së bashku me të do të jetë edhe gëzimi. Atëherë do të kuptojmë gjithë këtë
dritë mistike që përfshin këtë ditë dhe shumë ditë të tjera të kalendarit të
festave të krishtera, – “është fryma e hirit, rrezatimi i lavdisë së Malit
Tabor”. Atëherë do të kuptojmë atë gëzim të çuditshëm që ndienin Shenjtorët e
Kishës sonë, ndienin gëzim, sepse në zemrat e tyre mbretëronte Zoti. Një njeri
i cili ka gëzim brenda vetes së tij do të thotë së është njeri i plotë.
Gëzimi nuk është diçka aq e lehtë sa shpesh herë ju duket njerëzve, filozofët
më të mëdhenj të njerëzimit fjalën që kanë patur më të vështirë për ta
shpjeguar ka qenë gëzimi, sado që kjo gjë shumë njerëzve mund tu duket e
habitshme. Madje një filozof i madh duke marrë shkas nga fjala e Gabrielit thoshte:
“Më mbani gjithë jetën në burg dhe vetëm ditën para se të vdes më thoni çfarë
është gëzimi”. Ajo që duket e thjeshtë ajo është më e thella. Një shpirt që ka
ndierë gëzimin do të thotë që ka ndierë Perëndinë, sepse njeriu është krijuar
për të jetuar i lumtur. Kjo natyrë që kemi sot është natyra e rënë e njeriut
dhe jo natyra në të cilën na krijoi Perëndia. Le të mundohemi në këtë ditë që
gjithsekush nga ne të reflektojë pak më tepër mbi jetën e tij shpirtërore.
Nuk ka humbje më të madhe nëse Zoti nuk do të banojë në zemrat tona ashtu
sikundër nuk ka thesar më të madh sesa prezenca e Zotit në zemrat tona. ”Ai që
humbet pasurinë, humbet shumë, ai që humbet shëndetin ka humbur edhe më shumë,
ndërsa ai që humbet Perëndinë ka humbur gjithçka”
Historia ka treguar se shumë njerëz të pasur kanë qenë të dëshpëruar. Pasuria e
jashtme nuk mund t’i sjellë dot lumturinë njeriut. Lumturia e vërtetë vjen nga
Kungimi i Gjallë me Perëndinë e gjallë, nga një jetë e pastër dhe e dlirë.
Le t’i lutemi Zotit të paqes dhe asaj që lindi Mbretin e paqes që Perëndia tu
japë paqe në shpirt të gjithëve dhe në shpirtrat e të gjithëve të mbretërojë
drita dhe gëzimi i kësaj dite.
Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani