Predikim i shën Joan Gojartit, Patriarkut të Konstandinopojës në të kremten e Theofanisë (Pagëzimit të Zotit Jisu Krisht).
Tani do të flasim pak për të kremten e sotme të Theofanisë, Pagëzimit të Zotit Krisht. Të shumtë janë ata që i dinë emërtimet e këtyre të kremteve dhe i festojnë ato, por nuk e dinë arsyen se përse janë vendosur nga Kisha.
Konkretisht, të gjithë e dinë se festa e sotme quhet Theofani, por se çfarë është në të vërtetë, jo. Është vërtetë e turpshme të festosh diçka nga viti në vit, e të mos dish se çfarë feston.
Së pari, nevojitet të theksojmë se nuk ka vetëm një Theofani, por dy. Njëra që ka ndodhur, dhe tjetra pritet të ndodhë në mbarim të kohërave. Për të dyja këto do të dëgjoni sot nga apostull Pavli, në letërkëmbimin e tij me Titon, në fillim për Theofaninë e Jordanit: “Sepse u shfaq hiri i Perëndisë që sjell shpëtim në gjithë njerëzit, i cili na mëson të mohojmë pabesinë dhe dëshirat e botës, e të rrojmë me urtësi e me drejtësi e me shprestari në këtë jetë” dhe duke vazhduar më pas për Theofaninë e ardhshme: “ duke pritur shpresën e lumur dhe shfaqjen e lavdisë së të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht” (Tito 2:11-13).
Për këtë ka folur dhe profeti Joel: “Dielli do të shndërrohet në terr dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit” (Joeli 2:31).
Përse nuk quajmë Theofani ditën e lindjes së Zotit, por ditën e Pagëzimit të Tij? Në këtë ditë u shenjtëruan ujërat, dhe prandaj ujin që bekohet në kishë e marrim në shtëpi dhe e mbajmë gjithë vitin. Një fenomen i çuditshëm ndodh në këtë kohë: Koha e gjatë nuk ka efekt mbi ujërat, të cilat qëndrojnë të paprishur gjatë gjithë vitit, madje edhe për 2 apo 3 vite.
Po përse kjo e kremte quhet Theofani (shfaqje që lartazi?) Sepse Krishti e shpalosi natyrën dhe veten e Tij të vërtetë ndaj të gjithëve jo gjatë lindjes, por gjatë Pagëzimit. Deri para kësaj dite Ai nuk ishte bërë i njohur nga njerëzit. Ata nuk e njihnin, as nuk dinin se kush ishte në të vërtetë, siç thotë dhe Joan Pagëzori: “Në mes tuaj rri ai që ju nuk e njihni” (Jn. 1:26). Madje as vetë Joani nuk e njihte Jisuin deri në atë ditë. “Edhe unë nuk e njoha; por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, ai më tha: Ai mbi të cilin të shohësh Frymën duke zbritur e duke qëndruar mbi të, ky është ai që pagëzon me Frymë të Shenjtë” (Jn.1:33). Është e rëndësishme të bëhet dallimi mes dy pagëzimeve, dhe të njihet pagëzimi i mëparshëm, që të mund të vlerësohet më tepër i riu. Pagëzimi judaik shërbente për të larguar papastërtitë trupore, por jo për të larë mëkatet. Pra, ai nuk kishte fuqi t’i largonte peshën e mëkatit dikujt që kryente imoralitet, vjedhje apo të tjera të këtij lloji. Por nëse dikush që kishte prekur eshtrat e një të vdekuri, që kishte ngrënë ushqim të flijuar idhujve, apo që kishte pasur kontakt me një të papastër apo lebroz, dhe lahej nëpërmjet pagëzimit, do të ishte i papastër deri në mbrëmje, pastaj të nesërmen do të quhej i pastër (Levitiku 15:5; 22:4). Duke parë papërsosmërinë e popullit të Tij, Perëndia i lejoi këto praktika për t’i mësuar ata që në fillim që të fitonin vigjilencë dhe dallueshmëri për veprimet e tyre, duke i përgatitur kështu për një shpresëtari më të thellë.
Siç përmendëm, riti i pastrimit judaike nuk ishte për shlyerje mëkatesh, por vetëm për papastërtitë trupore, ndryshe nga Pagëzimi, që është shumë më sublim dhe mbartës i një hiri të madh, pasi duke çliruar njeriun nga mëkatet, pastron gjithë qenien dhe e mbush atë me dhuratat e Shpirtit të Shenjtë.
Nëse do të bënim krahasim me pagëzimin e Joanit, mund të themi se ai ishte shumë më i lartë dhe i vlefshëm se pagëzimi në Judaizëm, por jo aq sa i yni. Në një farë mënyre, ai shërbeu si një urë ndërmjet dy pagëzimeve, duke filluar edhe vetë nga i pari e duke përfunduar në të fundit. Vërejmë se ata që vinin tek ai për të marrë pagëzimin, Joani nuk i këshillonte në lidhje me pastrimin trupor, por i qortonte dhe i mësonte të largoheshin nga veprat e këqija për të bërë të mira, dhe për të shpresuar në shpëtimin si shpërblim të këtyre veprave, dhe jo riteve të pastrimit me ujë. Pra, ai nuk tha: “Lani rrobat tuaja dhe trupin tuaj dhe do të jeni të pastruar”, përkundrazi: “Bëni fryte të vlefshme për pendim” (Mt.3:8). Siç përmendëm dhe më lart, ky pagëzim i Joanit ishte jo aq i lartë sa i yni, kësisoj ai nuk mbushte me Shpirtin e Shenjtë dhe as nuk mundësonte dot falje të mëkateve, megjithëse ishte një shtysë dhe nxitje për pendim. Për këtë arsye, Joani bëri të qartë dallimin, duke thënë: “Unë ju pagëzoj me ujë…Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt të Shenjtë dhe me zjarr” (Mt.3:11).
Por çfarë nënkupton Joani kur thotë “me Shpirt të Shenjtë dhe me zjarr”? Sillni ndër mend ditën, në të cilën mbi apostujt u dukën gjuhë posi prej zjarri që ndaheshin, që ndenjën mbi gjithsecilin prej tyre.” (Vep. Ap. 2:3).
Fakti që Pagëzimi i Joanit nuk mbushte me Frymë të Shenjtë del shumë qartë nga fjalët e apostull Pavlit i cili u tha disa nxënësve në Efes: “A morët Frymë të Shenjtë, kur besuat? Edhe ata i thanë: Por as nuk kemi dëgjuar në ka Frymë të Shenjtë. Edhe ai u tha atyre: Në se pra u pagëzuat? Edhe ata i thanë: Në pagëzimin e Joanit. Edhe Pavli tha: Joani pagëzoi pagëzim pendimi, duke i thënë popullit t’i besojnë atij që do të vinte pas atij, domethënë Jisu Krishtit. Edhe ata si dëgjuan, u pagëzuan në emrin e Zotit Jisu. Edhe si vuri Pavli duart mbi ata, erdhi Fryma e Shenjtë mbi ta.” (Vep. Ap. 19:1-6).
Këto vargje dëshmojnë qartë për papërsosmërinë e pagëzimit të Joanit. Padyshim, nëse ky i fundit do të kishte qenë i përsosur, nuk do të lindte nevoja për një pagëzim tjetër, me anë të vënies së duarve. Në këtë mënyrë kuptojmë ndryshimin e madh që ato kishin, si dhe superioritetin e Pagëzimit apostolik.
Duke u nisur nga sa thamë më lart, është e rëndësishme tashmë të përcaktohet për kë u pagëzua Krishti dhe me cilin pagëzim?
Me asnjërin nga këto që kemi përmendur. As me pagëzimin judaike, as të Joanit dhe as të fundit. Sepse si mundet i pamëkatshmi të pastrohet nga mëkatet? Në Shkrimet thuhet për të se “nuk mëkatoi, as nuk u gjet mashtrim në gojën e tij” (1 Pet. 2:22) dhe diku tjetër : “Cili prej jush më qorton për mëkat? (Jn. 8:46). Krishti nuk u pagëzua as për pastrim mëkatesh, as që të vinte mbi të Hiri i Shpirtit të Shenjtë. Ndërsa të tjerëve Joani u thoshte të bënin fryte pendimi, Jisuit i tha: “Unë kam nevojë të pagëzohem prej teje, e ti vjen tek unë? (Mt. 3:14). Me këto fjalë, shën Joani u dëshmon edhe të gjithëve sa ndodheshin aty se pagëzimi i Jisuit nuk ishte për pendim, madje Jisui është shumë më i lartë e më sublim se vetë pagëzimi.
Një nga arsyet ishte ajo që tha vetë Joani, pra që nëpërmjet tij, Jisui të bëhej i njohur ndër njerëzit, siç vërejmë dhe tek fjalët e apostull Pavlit, sipas të cilit “Joani pagëzoi pagëzim pendimi, duke i thënë popullit që t’i besojë aij që do të vinte pas atij, domethënë Jisu Krishtit” (Vep. Ap. 19:4). Nëse Joani do të kishte shkuar për të trokitur derë më derë nëpër shtëpitë e njerëzve, duke u folur për Krishtin si Birin e Perëndisë, një dëshmi e tillë do t’i bënte njerëzit shumë skeptikë. Por, kur ata erdhën anembanë vendit dhe u mblodhën në buzë të Jordanit për t’u pagëzuar, dëgjuan me veshët e tyre zërin që lartazi të Atit që dëshmonte për Birin e Tij, dhe panë Shpirtin e Shenjtë në formë pëllumbi, që zbriti e ndenji mbi Krishtin. Kështu, u zhduk çdo pikëpyetje e ngritur ndaj fjalëve të Joanit.
Dëshmia e këtij të fundit bëhet akoma më e besueshme kur thotë se “nuk e njihte më parë” (Jn. 1:31). Dimë se nga gjaku, Joani dhe Jisui ishin kushërinj të parë, gjë që shprehet tek fjalët e engjëllit drejtuar Marisë teksa u mbars, ku i tha se edhe Elisabeta (e ëma e Joanit), kushërira e saj ishte mbarsur dhe do të lindte djalë (Llk. 1:36).
Meqenëse ishin të afërm, nuk duhet të dukej sikur Joani po dëshmonte për Jisuin vetëm falë lidhjeve të tyre të gjakut, prandaj Shpirti i Shenjtë e kishte rregulluar këtë gjë, duke i sjellë ngjarjet në mënyrë të tillë që Joani të jetonte gjithë jetën e tij në shkretëtirë, pa e parë e njohur Jisuin. Por nga iu bë e ditur Joanit se kush ishte Krishti?
“Edhe Joani dëshmoi, duke thënë se pashë Frymën duke zbritur nga qielli si pëllumb, edhe ndenji mbi të. Edhe unë nuk e njoha; por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, ai më tha: Ai mbi të cilin të shohësh Frymën duke zbritur e duke qëndruar mbi të, ky është ai që pagëzon me Frymë të Shenjtë.” (Jn. 1:32-33).
Një tjetër arsye se përse Krishti u pagëzua, na bëhet e njohur nëpërmjet fjalëve të Tij, kur Joani, si e njohu, i tha se ai vetë kishte nevojë të pagëzohej prej Jisuit, ndërsa ky i fundit kishte ardhur tek ai. Jisui iu përgjigj: “Lëre tani, sepse kështu ne duhet të përmbushim çdo drejtësi.”(Mt. 3:14-15). Vini re shërbëtorin e urtë dhe Perëndinë e përulur!
Me fjalën “drejtësi” nënkuptohen urdhërimet, pasi siç thuhet tek Ungjilli i Llukait, “që të dy ishin të drejtë përpara Perëndisë, duke ecur pa të metë në gjithë porositë dhe urdhërimet e Zotit” (Llk. 1:6). Meqë për çdokënd ishte thelbësore të përmbushte urdhërimet, por askush nuk mundej dot ta kryente këtë plotësisht, erdhi Krishti dhe u bë Ai vetë përmbushja.
Pra çfarë drejtësie përmbushej nëpërmjet pagëzimit? Drejtësi quhej bindja ndaj një profeti. Krishti, i cili ishte rrethprerë, kishte ofruar flijime në Tempull, mbante rregullisht Shabatin dhe të kremtet e tjera judaike, shtoi edhe këtë gjë të fundit, bindjen për t’u pagëzuar nga një profet. Asokohe ky ishte vullneti i Perëndisë, shprehur në fjalët e Joanit “Ai më ka dërguar t’ju pagëzoj me ujë” (Jn. 1:33) dhe të Jisuit: “..gjithë populli që dëgjuan atë dhe tagrambledhësit, njohën drejtësinë e Perëndisë, duke u pagëzuar me pagëzimin e Joanit. Po Farisenjtë dhe mësuesit e ligjit, duke mos u pagëzuar prej tij, e mënjanuan prej vetes vullnetin e Perëndisë.” (Llk. 7:29-30).
Prandaj, meqenëse bindja ndaj Perëndisë është drejtësi, dhe Ai dërgoi Joanin për të pagëzuar, atëherë Krishti e përmbushi edhe këtë urdhërim, bashkë me të tjerat.
Gjinia jonë njerëzore e kishte të pamundur t’iu përmbahej të gjitha urdhërimeve, dhe duke mos arritur dot të shlyente këtë lloj pengu, ishte e destinuar të mbetej në kthetrat e vdekjes. Krishti erdhi për të paguar pengun tonë për të gjithë ne që nuk e paguanim dot. Prandaj edhe nuk thotë se duhet të përmbushte këtë apo atë gjë, por “çdo drejtësi”.
Në zbritjen e Shpirtit të Shenjtë kemi një element që është i pranishëm sa herë ka një komunikim me Perëndinë, pëllumbi, i cili iu shfaq edhe Noas, duke mbajtur degën e ullirit, si një shenjë e dashurisë së Perëndisë ndaj krijesës së Tij. Në Jordan duket të mbajmë ndërmend se Shpirti erdhi në formë pëllumbi, dhe jo me trup, për të dëshmuar për mëshirën e pafund të Perëndisë, si dhe për të treguar se njeriu shpirtëror duhet të ruajë butësinë, thjeshtësinë dhe pafajësinë, për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë. Megjithatë, duke mbetur në analogji me arkën e Noes, kjo e fundit pas përmbytjes mbeti në tokë, ndërsa arka jonë e përjetshme, Biri i Perëndisë i pamëkatshëm dhe i përjetshëm, pasi shleu pengun tonë u ngjit trupërisht në qiell, dhe rri në të djathtë të Atit.
Në përfundim të kësaj fjale, do të doja t’i drejtohesha të gjithë atyre që do t’u afrohen të Shenjtave në këtë të Kremte të madhe. Jo të gjithë afrohen me frikë e me drojë, por disa edhe shajnë, bërtasin, shtyjnë apo edhe godasin, duke i përngjarë një turme. Ҫfarë ju ngut, bijtë e mi? Ҫfarë ju shqetëson? Jeni kaq të mbushur me shqetësimet e kësaj bote, sa që doni t’i shprehni edhe në këtë moment? Por a mundet që në një moment të tillë të jeni me mendje në botë, e të mos i bashkoheni korit engjëllor për t’i kënduar këngë e himne Perëndisë së Shumëlartë?
Të tjerë, në imitim të atij që u largua në mes të Darkës Mistike, largohen në kulmin e shërbesës, duke e përjashtuar veten nga hiri. Ҫfarë gjëje tokësore të mban kaq të ngulitur, saqë nuk mund të qëndrosh dot deri në fund? A mund të ketë ndonjë justifikim të denjë për këtë? Kini ndërmend se edhe Juda i pabesë, nëse nuk do të largohej më herët nga tryeza, nuk do të mund ta realizonte dot atë veprim të kobshëm.
Por ne, o besnikë, le të qëndrojmë deri në fund; t’u afrohemi të Shenjtave me shpresëtari dhe frikë, në mënyrë që Hiri i Perëndisë të vijë mbi ne e të na bekojë e të na pastrojë shpirtrat tanë. Amin.