E Tërëshenjta: Arka e Gjallë
“Edhe pas kurtinës së dytë ishte tenda që quhet Shenjtërore e Shenjtëroreve…” v. 3.
Vargjet e Sinaksarit: “Me Mbulesën tënde o Virgjëreshë e qashtër, mbulon dhe mbështjell ata që rendin tek ti me besë”.
Këtë të Diel, Kisha jonë e shenjtë kujton dhe kremton Mbulesën e shenjtë të së Tërëshenjtës Hyjlindëse, gjatë së cilës lexohet Sinaksari që vijon; domethënë, historiku i së kremtes.
Dikur, gjatë kryerjes së shërbesës së tërënatës, në Arkën e Shenjtë, brenda së cilës ishte vendosur, si thesar i çmuar, rroba e shenjtë e shën Marisë, në Tempullin e shenjtë të Hyjlindëses në Vllahernë -kështu quhet vendi- shkoi atje për të kryer detyrat e tij të zakonshme, Andrea i lumur. Atëherë ishte prezent edhe Epifani, një nga bijtë e tij shpirtëror. Ai dallohej, madje, për zellin e tij për shërbesat e shenjta, qëndronte në agripni, aq sa gatishmëria e mbante zgjuar, disa herë deri në mesnatë dhe herë të tjera deri në mëngjes.
Atje, pra, në orën 4 pas mesnate, Andrea i lumur, pa me sytë e tij -nuk e fantazoi- të Tërëshenjtën, madhështore, të hyjë në Tempullin e shenjtë nga dyert mbretërore, e pasuar nga një shoqëri e mrekullueshme! Këtë shoqëri e përbënin, së pari, shën Joan Pararendësi dhe biri i bubullimës, domethënë shën Joan Ungjillori. Ata i qëndronin përkrahë dhe i mbanin duart; pastaj shumë Shenjtorë, të veshur me rroba të bardha, nga të cilët disa ecnin përpara dhe të tjerë u vinin pas, duke kënduar dhe duke psalur himne dhe oda shpirtërore. Kur Hyjlindësja e Tërëshenjtë arriti në vendin e Amvonit, shën Andrea iu afrua Epifanit dhe i tha:
-“E shikon, o Epifan, Kryezonjën e botës?” Ai u përgjigj: -“Po, o ati im shpirtëror.”
Duke arritur, pra, e Tërëshenjta, u përgjunjë përpara syve të tyre të habitur dhe u lut për shumë kohë, duke spërkatur me lot fytyrën e saj hyjnore dhe të pacenuar. Në vazhdim iu afrua Ajodhimës, dhe kur qëndroi në Derën e Bukur, u lut për popullin, që qëndronte rrotull. Pastaj, hoqi, nga kryet e saj të panjollëshme, Mbulesën, e cila vetëtinte, dhe me duart e saj të shenjta, e hodhi, në mënyrë të hijshme, mbi popullin, që qëndronte rrotull. Dhe në atë moment, ndodhi diçka e habitshme dhe e tmerrshme: Andrea dhe Epifani të lumtur, shikonin për shumë kohë Mbulesën të mbetet e hapur mbi të pranishmit dhe të rrezatojë si dritë lavdinë e Zotit.
Mbulesa ishte e dukshme, për sa kohë e Tërëshenjtë ndodhej brenda Tempullit të saj të hirshëm. Pas largimit të saj, nuk dukej më. E mori me vete sigurisht, por la hirin dhe bekimin e saj tek të gjithë të pranishmit.
Pamjes së të Tërëshenjtës të papikëluar, i referohet, “nën hije”, teksti i sotëm apostolik. Përshkruan “Tendën e dëshmisë”, që ndërtuan Izraelitët, për të adhuruar Perëndinë, dhe ishte projekti i Tempullit të ardhshëm të Solomonit. Atje, brenda Tendës, ndodheshin nëntë objekte të shenjta, që parashkruajnë rolin e së Tërëshenjtë në veprën e shpëtimit të botës. Në pjesën e parë të Tendës, që quhej “Shenjtërore”, ndodhej
a. “kandili me shtatë drita”, që do të thotë shkëlqimin e Hyjlindëses, e cila rrezaton dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë, që i rendit apostull Pavli: “Dashuri, gëzim, paqe, zemërgjerësi, ëmbëlsi, mirësi, besnikëri, butësi, vetëpërmbajtje” Galatianëve 5, 22.
Në të njëjtin vend ndodhej .
b. “Tryeza” dhe c. “Paravënia” mbi të cilat vendosnin “bukët”. Ajo simbolizon Hyjlindësen, e cila, siç psalim në përshëndetjet e saj, është “Tryeza e gjallë”, që na dhuroi “Bukën e jetës”, Krishtin. Shën Theofani, himnografi i madh, në Pesëdhjetoren e gëzueshme, të mërkurën e gjysmëpentikostisë, në hyjlindësoren e odës së pestë, shkruan në mënyrë karakteristike: “Barku yt u tregua, o Nënë e Perëndisë, Tryezë e shenjtë, që mban dhe na ofron, Bukën qiellore, dhe ai që e ha nuk vdes, siç tha pikërisht Ushqyesi i tërë botës.”
Në pjesën e dytë të Tendës, që quhej “Shenjtërore e Shenjtëroreve”, ekzistonin:
ç. “Temianica e artë”, që simbolizonte Atë – Hyjlindësen, që pranoi brenda saj zjarrin e Hyjnisë dhe jo vetëm, që nuk u dogj, por edhe lëshonte aromë të mirë me qashtërsinë e saj.
d. “Arka e dhiatës, e mbuluar përreth nga të gjitha anët me ar”, që tregonte të Tërëshenjtën, e cila u vesh si me flori, me hirin e Shpirtit të Shenjtë.
dh. “Shtamba e artë, që kishte manën” e dërguar nga Perëndia tek populli i Izraelit në shkretëtirë, simbolizon Nënën e Zotit tonë, e cila, sipas Himnografit të hirshëm, është “shtamba manaprurëse, që i ëmbëlson ndjenjat e gjithë besnikëve”.
e. “Shkopi i Aronit”, që lulëzoi mrekullisht, simbolizon të Tërëshenjtën, sipas shën Andreas së Kretës, “është shkop gjithmonë i gjelbër, prej të cilit lulëzoi Krishti ynë”.
ë. “Pllakat e dhiatës”, mbi të cilat ishin latuar shkronjat hyjnore, “Dhjetë Urdhëresat”, simbolizojnë të Tërëshenjtën, nga e cila u mishërua Fjala e Perëndisë, Krishti, që erdhi të mbushë dhe të plotësojë Ligjin.
f. “Keruvimet, që i lëshonin hije fronit të përdëllimit”, simbolizojnë të Tërëshenjtën, e cila, si fron keruvik, pranoi dhe mbajti në barkun e saj, Zotin tonë Jisu Krisht.
Çfarë na mësojnë gjithë këto të vërteta hyjnore? Çfarë do të thotë për ne, që shën Maria është Arka e gjallë? Dikur, arka e Noes, shpëtoi nga përmbytja të drejtin, njeriun besnik të Perëndisë, Noen dhe familjen e tij. Tani, në kohët e Dhiatës së Re, mund të na mbrojë Arka, Arka e gjallë, që është e Tërëshenjta jonë. Sepse, në vitet dinake që jetojmë, ekziston një përmbytje tjetër, më e tmerrshme se ajo në kohën e Noes. Është përmbytja e të ligut, e imoralitetit, e shthurjes, e adhurimit të trupit. Është përmbytja e revistave dhe librave të ndotura, ofendimeve provokuese dhe paturp, të ateizmit të vogël dhe të madh, është dhe përmbytja nga drogat, jeta e natës, çorientimi i të rinjve dhe shumë të tjera.
Është akoma dhe përmbytja nga herezitë dhe filozofitë e larmishme gnostike dhe shumë të tjera, që kanë mbytur dhe lërojnë shoqërinë tonë. Nga këto përmbytje të tmerrshme do dhe mundet të na shpëtojë mbrojtja e së Tërëshenjtës sonë, Arka e gjallë.
Natyrisht, kjo nuk do të ndodhë vetiu dhe me dhunë. Nevojitet të kërkojmë me besë ndërmjetimet e saj. Të imitojmë virtytet e saj. Të studiojmë fjalën e Perëndisë, ashtu si ajo. Të komunikojmë me Perëndinë dhe të jetojmë në Kishën tonë duke marr pjesë në Misteret e shenjta. Një mesazh i ngjashëm i drejtohet çdo të krishteri. Jashtë arkës së Kishës sonë Orthodhokse dhe larg hirit shenjtërues të Mistereve të saj, nuk ka shpëtim nga përmbytja e të ligut dhe përmbytja e mëkatit, që po pushton shoqërinë.
Lavdi Zotit, që Perëndia ka gjithmonë brenda shoqërisë së njerëzve pjesën e të zgjedhurve. Sidomos të rinjtë, si një tjetër Noe, ftohen të mbeten të pastër dhe të panjollshëm nga shthurja shoqërore. Ashtu si atëherë, kështu dhe në epokën e sotme, është dalluar një pjesë e besimtarëve, “sipas zgjedhjes” që bëri Perëndia, “me hirin e Tij”, Romakëve 11, 5, për mbijetesën dhe ripërtëritjen e njerëzimit, që shkon në shkatërrim; vetëm pjesa e atyre që kanë dëshirën e mirë, “që u zgjodh” nga kjo shumicë do të shpëtohen”. Romakëve 9, 27.
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Të gjitha këto simbole të Dhiatës së Vjetër, për të Tërëshenjtën tonë, nga objektet që gjenden në “Tendën e Dëshmisë”, në “Shenjtërore” dhe në “Shenjtërore të Shenjtëroreve”, shfaqin se Virgjëresha është “Shenjtore më e madhe se të gjithë Shenjtorët”. Tek ajo kthehet i gjithë populli ynë besnik dhe i lutet. “Çdo shpresë më ty e var, nënë e Perëndisë, ruajmë nën mbrojtjen Tënde.”
U bëftë.
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 28.10.2018