/E HËNË, 6 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E HËNË, 6 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – Hebrenjve 13:17-21.

Bindjuni të parëve tuaj, edhe dëgjojini; sepse ata rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj, sepse ata do të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim, e jo duke psherëtirë; sepse kjo nuk ju bën dobi juve.

Lutuni për ne, sepse jemi të bindur që kemi ndërgjegje të mirë, duke dashur të sillemi mirë në gjithçka. Por më tepër ju lutem ta bëni këtë, që të kthehem tek ju më shpejt.

Edhe Perëndia i paqes, i cili ngriti prej së vdekurish bariun e madh të dhenve me anë të gjakut të dhiatës së përjetshme, Zotin tonë Jisu Krisht, ju bëftë të përsosur në çdo punë të mirë, që të bëni vullnetin e tij, duke punuar ndër ju atë që është e pëlqyeshme përpara tij, me anë të Jisu Krishtit; të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 6:17-23

Edhe zbriti bashkë me ata e qëndroi në një vend të sheshtë; edhe ishin grumbulli i nxënësve të tij dhe një turmë e madhe populli nga gjithë Judea dhe nga Jerusalemi, edhe nga bregdeti i Tirit e i Sidonës, të cilët erdhën të dëgjonin atë, edhe të shëroheshin nga sëmundjet e tyre, edhe ata që mundoheshin prej frymëve të ndyra, dhe shëroheshin.

Edhe gjithë turma kërkonte ta prekte; sepse dilte fuqi prej tij, edhe i shëronte të gjithë. Edhe ai, si ngriti sytë mbi nxënësit e tij, thoshte:

Lum ju të varfërit, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë.

Lum ju që keni uri tani, sepse do të ngopeni.

Lum ju që qani tani, sepse do të qeshni.

Të lumtur jeni ju, kur t’ju urrejnë njerëzit, edhe kur t’ju përjashtojnë, edhe t’ju përqeshin, edhe t’ju nxjerrin emrin për të keq, për shkak të Birit të njeriut.

Gëzohuni në atë ditë dhe kërceni; sepse ja paga juaj tek është e shumtë në qiell; sepse kështu ua bënin edhe profetëve etërit e tyre.