/E HËNË, 20 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E HËNË, 20 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – 1Timotheut 5:1-10.

Plakun mos e qorto, po këshilloje si një atë; të rinjtë, si vëllezër; plakat, si nëna; të rejat, si motra, me çdo dëlirësi.

Të vejat nderoi, ato që janë me të vërtetë të veja. Edhe nëse ndonjë e ve ka djem a nipa, le të mësojnë më parë të kenë shprestari për shtëpinë e tyre, edhe t’ua shpërblejnë prindërve të tyre; sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyeshme para Perëndisë. Edhe ajo që është me të vërtetë e ve dhe ka mbetur e vetme, e ka vënë shpresën tek Perëndia, edhe qëndron në lutje e në falje natë e ditë. Por ajo që prish shumë për dëfrime, ndonëse rron, ka vdekur.

Edhe këto porositi, që të jenë të paqortueshme. Po në qoftë se ndonjë nuk mendohet më përpara për të tijtë, edhe më fort për ata të shtëpisë së tij, ky ka mohuar besimin dhe është më i lig se i pabesi.

E ve më pak se gjashtëdhjetë vjeç le të mos vihet në numrin e të vejave, edhe të ketë qenë grua e një burri, edhe të ketë dëshmi për punë të mira: në ka rritur fëmijë, në ka pritur të huaj, në ka larë këmbë shenjtësh, në u ka ndihmuar atyre që kanë qenë në shtrëngim, në i ka rënë pas çdo pune të mirë.

* * * * *

UNGJILLI – Marku 9:42-10:1.

Edhe kush të skandalizojë një nga këta të vegjlit që besojnë tek unë, është më mirë për atë, t’i vihet një gur mulliri rreth qafës së tij, edhe të hidhet në det.

Edhe në të skandalizoftë dora jote, preje; është më mirë për ty të hysh në jetë me një dorë, se duke pasur të dy duart të shkosh në gjehenë, në zjarr të pashuar, ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, edhe zjarri s’ka të shuar”.

Edhe në të skandalizoftë ty këmba jote, preje; sepse është më mirë për ty të hysh në jetë me një këmbë, se duke pasur të dy këmbët të hidhesh në gjehenë, në zjarr të pashuar, ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, edhe zjarri s’ka të shuar”.

Edhe në të skandalizoftë syri yt, nxirre; është më mirë për ty të hysh me një sy në mbretërinë e Perëndisë, se duke pasur dy sy të shkosh në gjehenë të zjarrit, ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, edhe zjarri s’ka të shuar”.

Sepse çdo njeri me zjarr do të kripet, edhe çdo theror me kripë do të kripet. E mirë është kripa, po në u bëftë kripa e pakripë, me se do ta ndreqni? Kini kripë në veten tuaj dhe paqe njëri me tjetrin.

Edhe si u ngrit andej, vjen në kufijtë e Judesë, në anën e përtejme të Jordanit, edhe prapë turma shkojnë bashkë tek ai, edhe siç e kishte zakon, përsëri i mësonte.