/E HËNË, 18 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E HËNË, 18 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – Kolosianëve 4:5-11, 14-18.

Ecni me urtësi para atyre që janë jashtë, duke fituar kohën. Fjala juaj le të jetë përherë me hir, e ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithësecilit.

Gjithë punët e mia do t’jua tregojë Tihiku, vëllai i dashur, edhe punëtor besnik e shërbëtor bashkë me mua në Zotin, të cilin e dërgova tek ju pikërisht për këtë, që të marrë vesh punët tuaja dhe të ngushëllojë zemrat tuaja; bashkë me Onisimin, vëllain besnik e të dashur, i cili është prej jush. Ata do t’ju rrëfejnë të gjitha të këtushmet.

Ju përshëndet Aristarku, shoku im i burgut, edhe Marku, i nipi i Barnabës, për të cilin morët porosi; në ardhtë tek ju, mirëpriteni; edhe Jisui i quajtur Just, të cilët janë nga rrethprerja. Vetëm këta janë bashkëpunëtorë të mi në mbretërinë e Perëndisë, të cilët u bënë tek unë ngushëllim.

Ju përshëndet Llukai, mjeku i dashur, edhe Dhimai.

Përshëndetni vëllezërit që janë në Laodiki, edhe Nimfain dhe kishën që është në shtëpinë e tij. Edhe si të lexohet letra tek ju, bëni që të lexohet edhe në kishën e Laodikeasve, që të lexoni edhe ju atë që do t’ju dërgohet nga Laodikia. Edhe thuajini Arkipit: Ki kujdes në shërbesën që more në Zotin, që ta përmbushësh atë.

Përshëndetja u shkrua me dorën time, të Pavlit. Kujtoni vargonjtë e mi. Hiri qoftë bashkë me ju. Amin.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 10:16-21.

Ai që ju dëgjon ju, më dëgjon mua; dhe ai që nuk ju përfill ju, nuk më përfill mua; edhe ai që nuk më përfill mua, nuk përfill atë që më ka dërguar mua.

Edhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim, duke thënë: Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd. Edhe ai u tha atyre: Shikoja Satanain kur ra nga qielli si vetëtimë.

Ja tek po ju jap juve pushtet që të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë, dhe mbi gjithë fuqinë e armikut; dhe asgjë s’do t’ju dëmtojë juve. Po mos u gëzoni për këtë, se ju nënshtrohen juve frymët; por gëzohuni se emrat tuaj u shkruan në qiejt.

Edhe në atë orë Jisui u gëzua në shpirt, edhe tha: Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i dheut, se i fshehe këto nga të diturit e nga të mençurit dhe ua zbulove fëmijëve. Po, o Atë, se kështu u pëlqye prej teje.